Një nga problemet që hasim shpesh në Shqipëri si pasojë e diagnostikimit të vonë dhe trajtimit të pamjaftueshëm është Displazia Zhvillimore Koksofemorale, e njohur gjerësisht në popull si Dislokacioni Koksofemoral i Lindur.

Nga ana tjetër, dislokacioni koksofemoral dhe po të trajtohet kirurgjikalisht në moshë të hershme, në këto artikulacione është e pashmangshme shfaqja e artrozës në moshë të rritur. Në varësi të largësisë nga vendi normal i pozicionimit të kokës femorale, në këmbë shfaqet shkurtësi e këmbës, çalim në ecje, kufizim i lëvizjeve të këllkut dhe më e rëndësishme nga të gjitha është dhimbja  që është ankesa fillestare e pacientit.

Në rastet kur këllku në të dy anët është i dislokuar (i zhvendosur) në vend të shkurtësisë që paraqitet në njërën këmbë, ecja merr formën e të ecurës së patës. Duke qenë se hasen më shpesh te vajzat, duhen marrë parasysh ankesat kozmetike të tyre. Jo rrallë as vetë prindërit nuk e dallojnë një gjë të tillë, por syri i një pediatri ose mjeku mund ta dallojë lehtë problemin në të ecur të fëmijës.

kocka 1

Risitë në teknikën e kryerjes së operacioneve për vendosje proteze dhe zhvillimi i teknologjisë së prodhimit të implantit bën të mundur të sigurojmë rezultate të suksesshme në zëvendësimin protezik të këllkut në mosha të reja. Por në këta lloj pacientësh teknika operatore e përdorur në kirurgjinë protezike dhe protezat e përdorura kanë shumë ndryshim nga protezat klasike.

Artoplastika Totale Koksofemorale është trajtimi i preferuar për pacientët me artrozë severe (të rëndë) të këllkut lidhur me dislokacionin (zhvendosjen) ose displazinë  zhvillimore të këllkut.

Gjithsesi, Artroplastika Totale e Këllkut mund të jetë e vështirë si pasojë e problemeve kockore apo të indeve të buta që lindin nga dislokacioni ose displazia. Një problem tjetër është që pacientët janë zakonisht të rinj në moshë, që mund të ndikojë në mbijetesën për një kohë të gjatë të protezës.

Në këllkun mesatarisht të deformuar, artoplastika totale e këllkut mund të kryhet duke përdorur teknikat standarde.

Problemet kryesore me këta pacientë janë deformimet kockore, kontrakturat e indeve të buta dhe mosha relativisht e re dhe niveli i lartë i aktivitetit në këta individë.

Deformimet kockore

Acetabuli (foleja) është e cekët dhe ovale, në vend që të jetë e thellë dhe e rrumbullakët. Me rritjen e rëndësisë së displazisë, anteversioni (kthimi nga para) i acetabulit rritet dhe masa kockore anterosuperiore (para dhe sipër) pakësohet. Duke u rritur shkalla e deformimit ndryshon këndi dhe rotacioni i acetabulit, pakësohet masa kockore dhe vërehet zvogëlim dhe hollim  jo vetëm i përmasave të kokës femorale dhe të acetabulit, por i të gjithë përmasave të këmbës.

Në dislokacionet e larta gjysma e pelvisit (legenit) dhe fossa acetabulare (foleja)  janë të zhvilluara pak dhe të rrotulluara. Përsa i përket femurit, koka femorale mund të jetë e zhvilluar normalisht në rastet më pak severe (të rënda), qafa është zakonisht nga jashtë; me rritjen e severitetit te koka femorale bëhet më e vogël dhe qafa më e shkurtër dhe e kthyer nga para. Trokanteri është i vendosur posteriorisht (nga mbrapa), kanali medular është i drejtë dhe i ngushtë (kanali i kockës së kofshës drejtohet dhe ngushtohet, koka e femurit zvogëlohet dhe rrotullohet).

Kontrakturat e indeve të buta

Deformimet sekondare të indeve të buta janë rrjedhojë e deformimeve kockore; hamstringet, aduktorët, kuadricepsi dhe iliopsoasi janë të shkurtër. Kapsula acetabulare trashet dhe migron afër me kokën e dislokuar të femurit. Tendini iliopsoas është zakonisht hipertrofik dhe mund të kalojë përmes kapsulës.

Nervi shiatik shkurtohet dhe mund të dëmtohet gjatë përpjekjes për të çuar qendrën e këllkut në nivelin e tij anatomik. Mospërputhja në gjatësitë e këmbëve mund të shkaktojë tilt pelvik (anim të legenit), lordozë( harkim) lumbare të shtuar dhe genu valgum (gjunjë të hapur nga jashtë). Me pak fjalë shkakton deformim në mes, kockën e legenit dhe në gjunjë.

Mosha e re

Komponentet e paçimentuar janë më të preferuar për shkak të moshës së re të pacientëve. Nga një këndvështrim biomekanik, vendosja e komponentit acetabular në vendin e tij anatomik të vërtetë është qëllimi kryesor për jetëgjatësi dhe rezultate më të mira funksionale të artroplastikës totale të këllkut.

Renditen disa teknika kirurgjikale që sigurojnë stabilitetin e komponentit acetabular

Vendosja e graftit strukuror acetabular

Vendosja e graftit strukturor acetabular është një procedurë që rrit masën kockore. Pas vendosjes së komponentit acetabular në nivelin e tij anatomik, përdorja e kokës femorale si graft për mbushjen e hapësirës posterosuperiore (mbrapa sipër) ka avantazhe si ngjitja më e thjeshtë me kockën dhe kostoja e ulët.

Edhe pse vendosja e graftit strukturor acetabular vendos qendrën e rrotullimit të këllkut në vendin e vet anatomik dhe biomekanik të përshtatshëm, është teknikisht një procedurë e vështirë dhe rrit kohëzgjatjen e operacionit. Ekziston gjithashtu një rrezik dështimi i hershëm ose pas një kohe të shkurtër nëse fiksimi i graftit nuk është i përshtatshëm ose ndodh shkrirja e graftit.

Përforacioni i kontrolluar i murit medial

kocka 2

Kjo teknikë konsiston në shpimin e qëllimshëm të murit medial të acetabulit dhe medializimin (vendosja në mes) të komponentit acetabular. Medializimi i komponentit acetabular ul forcat reaktive të  artikulacionit dhe ndihmon në mbulimin e komponentit. Disavantazhi kyesor është pakësimi i suportit të murit medial ndaj komponentit dhe rreziku i migrimit të mundshëm medial të komponentit para rritjes për brenda të kockës.

Rezultatet

kocka 3

Kompleksiteti i Artroplastikës Totale të Këllkut në rastet e koksartrozës si pasojë e Displazisë ose Dislokacionit Zhvillimor Koksofemoral (DZHK) është e lidhur me rëndësinë e deformimit.

Në deformimet në shkallë më të paktë, mund të përdoren komponentet primare dhe teknikat standarte. Deformimet e rënda zakonisht kërkojnë një teknikë operatore specifike dhe implante për rikonstruksion acetabular dhe femoral. Një hap shumë i rëndësishëm është gjithashtu dhe planifikimi i saktë preoperator i implantit dhe teknikës që do të aplikohet. Nëse hapat ideale janë të mirëpërcaktuara dhe zbatohen në mënyrë rigoroze, Artroplastika Totale Koksofemorale për këllkun displastik dhe të dislokuar mund të jetë po aq e suksesshme, sa në rastet e Artroplastikës Koksofemorale në rastet e artrozës primare./