“Pas 34 vitesh në administratën publike, më hoqën nga puna me motivacionin e shkurtimit të vendit të punës, ndërsa sot nuk kam asnjë lloj të ardhure për të jetuar”. Me këto fjalë e nis historinë e saj Hyri Mata, e cila përveç faktit që ka mbetur pa punë, është person me aftësi të kufizuar.

Prej moshës 10-vjeçare ajo është diagnostikuar me artrit rematoit, një sëmundje kockash, që kërkon lëvizje për të mos u përkeqësuar. Në këtë intervistë, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, 54-vjeçarja nga fshati i Moglicës tregon sesi u hodh në rrugë 7 vite para pensionit, ndërsa kërkon një vend pune, pasi siç thotë edhe vetë, kjo “është më shumë jetike se ekonomike”.

“Kam filluar punë në gusht të vitit 1981 si magaziniere e Këshillit të Bashkuar dhe gjatë kontratës që kisha si magaziniere punova edhe 2 vjet si shefe personeli e Këshillit të Bashkuar. Kur u prish sistemi në gusht të 1992-it, kalova si magaziniere e Komunës Moglicë dhe në 2 gusht 1992 arkëtare komune, duke m’u bërë 15 vite pa ndërprerje nga arka. Pasi arkat “u transferuan” në bankomat, në dhjetor të 2010-ës, në 2011-ën punoja si magaziniere dhe formuluese e listë-pagesave. Kjo deri në 31 gusht 2015, kur më erdhi fleta e largimit nga puna. Shkurt, kam punuar 34 vjet në administratën publike.

Në fletë thuhej se shkaku i largimit ishte shkurtimi i vendit të punës. Brenda 5 ditëve bëra dorëzimet, konform rregullave, dhe ia dorëzova kryetarit të Partisë Socialiste.

Me sa di unë, punën time e bën kryetari i Partisë Socialiste, të cilit unë i bëra dorëzimet.
Unë jam invalide. Jam e diagnostikuar me artrit rematoit dhe jam sëmurur që në klasën e 3-të. Kam ecur për 14 vjet me patericë, por me mjekime fillova të përmirësohem pak.

Nuk kam asnjë lloj të ardhure. Unë kam jetuar me nënën dhe babain, të cilët kanë vdekur dhe aktualisht jetoj vetë. Nuk ka kush të më ndihmojë sepse edhe vëllezërit kanë familjet e tyre”, tregon ajo.

2 COMMENTS

Comments are closed.