OPINION/ANALIZË Politika

A do ta blejë Francesco Becchetti televizoinin Top Channel?

Negociatat mes Vjollca Hoxhës dhe biznesmenit italian kanë nisur kohë më parë, por u “ngrinë” për shkak të vendimit të qeverisë shqiptare për mbylljen e Agon Channel dhe bizneseve të tjera të Bechettit. Kafja mes Blushit dhe Sonila Meços në Londër, me prezencën e Vjollcëssë Top-i  dhe takimet e fshehta me Bechettin. Në kulmin e krizës së TCH, kur pronares i kanë “zënë derën” borxhlinjtë, përmbarimi, paditë penale të biznesmenëve të cilëve u ka dërguar “fletën e gjobës”, është rikthyer në skenë “shpëtimtari” i saj, i cili fitoi gjyqin ndaj Ramës me një “faturë” të majme në kurriz të shtetit shqiptar. Pritet që këto para të shërbejnë për blerjen përfundimtare të Top Channel. Cili është roli i Edi Ramës në çuarjen para të kësaj historie

Zhvillime të papritura po ndodhin në fushën e medias, e cila është aq e ngërthyer me politikën shqiptare si gjithnjë, sa hera-herës duket sikur plotësojnë njëra tjetrën.

Televizioni Top Channel, sipas burimeve që na vijnë nga brenda tij, është në krizë të thellë financiare, për shkak të keqmenaxhimit dhe të shpërdorimit të parave nga pronarja Vjollca Hoxha, familja dhe dhëndurët e saj.

Teksa pronares së Top Channel i kanë “zënë derën” borxhlinjtë, përmbarimi, paditë penale të biznesmenëve të cilëve u ka dërguar “fletë- gjobë”, me sa duket është rikthyer në skenë “shpëtimtari” i saj.

Vetëm disa ditë më parë Arbitrazhi në Uashington i dha fitoren biznesmenit Francesko Bechetti, në padinë e ngritur kundër kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili akuzohej se kishte mbyllur me të pa të drejtë dhe në kundërshtim me ligjin televizionin “Agon Channel”.

Bashkë me fitoren në Arbitrazh, Bechetti mori dhe një “faturë” të majme nga shteti shqiptar me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare, jo pak por plot 110 milionë euro.

Asnjë gjykatë nuk çedon kur bëhet fjalë për presion të një kryeministri ndaj një media, për më tepër që shkaktoi dhe mbylljen e saj.

Me sa duket fitimi i gjyqit nga “babai” i arbitrazheve Francesko Bechetti, ka ngjallur shpresë dhe për televizionin Top Channel, që të dalë nga kriza përfundimisht.

Burimet saktësojnë se ka pasur negociata të forta mes ish pronarit të Agon Channel Bechetti dhe pronares aktuale të pjesës më të madhe të aksioneve të Top Channel, Vjollca Hoxha.

Vjollca Hoxha, e gjendur në një krizë të thellë financiare, ka negociuar shumë kohë më parë për të shitur Top Channel tek biznesmeni italian.

Negociatat ishin në fund, dhe pritej nga dita në ditë momenti i nënshkrimit të kontratës së shitjes, por me sa duket në dijeni ishte dhe kryeministri Edi Rama.

Lëvizja e kreut të qeverisë solli mbylljen e bizneseve të Bechettit dhe për pasojë gjithçka “ngriu” në negociatat mes Vjollca Hoxhës dhe biznesmenit italian, për shitjen e Top Channel.

Por dhe gjatë kësaj periudhe “ngrirjeje” nuk janë shkëputur kontaktet mes njerëzve të Vjollca Hoxhës dhe atyre të Francesko Bechettit, por dhe të vetë pronares së Top Channel.

Ben Blushi i cili një vit më parë la partinë “LIBRA” të cilën e krijoi si reaksion ndaj Ramës dhe mori drejtimin e Top Channel, ka qënë pjesë e disa lëvizjeve që tregojnë se negociatat me Bechettin kanë vijuar në fshehtësi.

Teksa erdhi për ta nxjerrë nga kriza TCH, por që në të vërtetë e zhyti akoma më tepër për shkak të rëndimit të gjobave ndaj biznesit, Blushi me sa duket ka qënë pjesë e negociatave të nëndheshme me biznesmenin italian, në emër të Vjollcës.

Këtë e ka evientuar dhe botuesi i gazetës “Tema” Mero Baze në një artikull të shkurtit të vitit të kaluar, ku përmes një fotoje tregon vizitën e Ben Blushit bashkë me Sonila Meçon në Londër.

Blushi, drejtori i përgjithshëm i Top Channel dhe Sonila Meço, ish- drejtuese e Agon Channel, pronë e Francesko Becchetit, janë parë bashkë në Londër në “Four Seasons”, duke pirë kafe.

Ndërkohë që burimet kanë saktësuar se bashkë me ta në Londër ka qënë dhe Vjollca Hoxha.

Meço është parë herë pas here në Londër, ku takon ish- pronarin e saj, ndërsa u përfol shkuarja e saj në Top Channel, pas ikjes së Sokol Ballës, shkruante gazeta “Tema” në atë kohë.

Duke nënvizuar që para një viti se shumë zëra flisnin se pas ndryshimeve në Top Channel qëndrojnë garanci financiare të Becchetit, por kjo nuk u konfirmua në atë kohë.

Pra ndonëse me negociata të ngrira por jo të mbyllura, gjatë tërë kësaj periudhe ka pasur takime mes njerëzve më të besuar të Hoxhës e Bechettit, përkatësisht Ben Blushi dhe Sonila Meço.

Fitimi i 110 milionë eurove në kurriz të qeverisë shqiptare nga ana e Bechettit, ka nxjerrë në skenë rifillimin e negociatave për shitjen e Top Channel tek biznesmeni kontravers italian.

Nuk përjashtohet mundësia që dhe Edi Rama të jetë pjesë e këtij “operacioni”, pasi kreu i qeverisë shqiptare shquhet për lëvizjet ekstreme të tij, në funksion të karriges së pushtetit.

Është më se e mundur që të jetë “penduar” për mbylljen e Agon Channel, dhe falë makinacioneve të kreut të qeverisë shqiptare por dhe të studios së fuqishme ligjore të Bechettit, paratë e blerjes së Top Channelit janë bërë tashmë. Ndoshta pritet vetëm zyrtarizimi? /Pamfleti

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com