Nacionalist, konservator, mistik. Pasi ka milituar me Eduard Limonovin në Partinë Nacionalbolshevike, sot është një prej ideologëve më të dëgjuar në Kremlin. Dhe ndër frymëzuesit e strategjisë së Putinit në Ukrainë

“Imagjinoni që në një vend fqinj me Francën, për shembull në Belgjikë, e populluar nga shumë francezë, këta të fundit rrezikojnë deportimin dhe genocidin”. Krahasimi i shërben politologut dhe filozofit Aleksandr Dugin për të nënvizuar pashmangshmërinë e zgjedhjeve të Vladimir Putinit në Ukrainë. Sipas Duginit, Presidenti rus është detyruar që t’i përgjigjej apelit të banorëve të Krimesë se “junta në Kiev” po përgatitej t’i “asgjësonte”. Për të njëjtin motiv Putini duhet të ndërhyjë në juglindje të Ukrainës për të mbrojtur popullsinë rusishtfolëse. “Mënyra me të cilën përfaqësuesit e Ukrainës perëndimorë trajtojnë rusishtfolësit të kujton momentet më të këqija e Rajhut të Tretë. Rusia nuk mund të qëndrojë pa lëvizur, duhet ta mbrojë popullin e saj”, shton Dugin, një njeri që nuk preokupohet shumë sesi janë vërtet gjërat, flet nëntë gjuhë të huaja dhe mban me krenari një mjekërr të gjatë prej profeti.

Prej kohësh i marxhinalizuar për shkak të pozicioneve ekstremiste të tij, Dugin është tashmë një prani fikse në mjetet zyrtare të informimit. Për këtë teoricien të neoeuraziatizmit sjellja e Rusisë në Ukrainë, për sa e diktuar nga situate, u përgjigjet imperativëve gjeopolitikë, historikë e filozofikë që shkojnë përtej ngjarjeve të Maidanit.

I lindur në Moskë, i apasionuar në rini pas misticizmit dhe ezoterizmit, Dugini është babai i versionit modern të euraziatizmit, një ideologji e formuluar në vitet Njëzet të shekullit të kaluar nga disa mendimtarë rusë në mërgim (si Georgij Florovskij, Nikolai Trubetskoj, Piotr Savitskij) të bindur se fati i Rusisë përkonte me pozicionin gjeografik të saj prej “kontinenti të tretë” midis Perëndimit dhe Azisë. Sipas këtij koncepti, të gjithë liderët rusë janë të detyruar që të pushtojnë dhe të asimilojnë popullsitë e rrezikshme kufitare, ndërsa shteti duhet të jetë i fortë, i centralizuar dhe rezistent ndaj aspiratave shkatërrimtare demokratike e liberale të një Perëndimi në dekadencë të plotë. Eurazia e Duginit përfshin të gjithë hapësirën passovjetike dhe duhet ta shtrijë influencën e saj mbi Bashkimin Europian: “Projekti i ribashkimit të Rusisë së Madhe ka nisur. Po kërkojmë që ta shtyjmë përpara duke përfshirë vendet e tjera me miqësinë dhe paqen, por kur interesat tona kërcënohen, atëhere integrimi duhet të procedojë nëpërmjet aneksimeve. Të gjithë ata që tregohen armiqësorë ndaj Rusisë dhe interesave të saj, siç ka qenë në rastin e ish Presidentit gjeorgjian Mikheil Saakashvili, dhe siç është sot me juntën e Kievit, duhet të kuptojnë se nuk mund të ekzistojnë për faktin që janë entitete antiruse. Çdo shtet i hapësirës passovjetike që vendos t’i kundërvihet Rusisë, do të mund të ekzistojë vetëm në formë të gjymtuar”.

Sipas Duginit, “integriteti territorial i të gjitha shteteve passovjetik, pa përjashtim, varet në radhë të parë nga Moska. Kjo nuk do të thotë se Rusia është e gatshme që t’i shpërbëjë apo se duhet t’i nënshtrohen totalisht Kremlinit. Por pa një marrëveshje me Rusinë integriteti territorial i tyre nuk mund të garantohet”. Duke ndjekur shembullin e mësuesve të tij, Dugini formulon një teori antiperëndimore dhe antiliberale, duke nënvizuar rëndësinë e tradicionalizmit social për Rusinë që ka misionin e dominimit të botës duke luftuar kundër të “keqes globale” të përfaqësuar nga Shtetet e Bashkuara. Në këtë perspektivë, “kriza ukrainase nuk është gjë tjetër veçse një episode i vogël në brendësi të një konflikti shumë kompleks midis një bote unipolare dhe një multipolare, midis talasokracisë (qytetërimit detar të Shteteve të Bashkuara) dhe telurokracisë (qytetërimit tokësor të mishëruar nga Rusia)”.

screen-shot-2016-10-15-at-10-08-24-am

Gjeografia është fati

Konform me pozicionin zyrtar të Kremlinit, Dugini shpjegon se, sipas Moskës, “në Ukrainë është në zhvillim një operacion special i menaxhuar nga Shtetet e Bashkuara. Washington do të ruajë hegjemoninë e tij botërore dhe përdor popullin ukrainas për të shpërthyer një luftë me Rusinë”. Në virtyt të ligjit të “luftës së madhe të kontinenteve” (titulli i një vepre të Duginit) herët apo vonë konflikti midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të shpërthejë. “Përplasja është e pashmangshme, pavarësisht nga ajo që duan Putini, Obama, europianët dhe ukrainasit, kundër vullnetit të të gjithëve dhe kundër interesave të të gjithëve”, profetizon Dugini. “Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë të dënuar që të luftojnë: nuk ka hapësirë për një bashkëjetesë paqësore”. Me paqen e mirë të europianëve. “Nuk do të doja të shpërtheja, por është evidente që Europa është jashtë loje në këtë konflikt qytetërimesh”, ligjëron Dugini.

Në linjë parimore, Rusia nuk është armiqësore ndaj vendeve të Kontinentit të Vjetër: “Me ta ndajmë hapësirën dhe historinë. Me Bashkimin Europian, Gjermaninë, Francën mund ta arrijmë një mirëkuptim”, shpjegon Dugini. Megjithatë, ligjet e historisë nuk e mundësojnë, sepse në realitet është Amerika ajo që kontrollon gjithçka. “E vërteta është se Europa nuk ka nevojë për Ukrainën. Prapa gjithë kësaje qëndrojnë amerikanët. Pjesa më e madhe e burokratëve të Brukselit është atlantiste dhe Ukraina, në vend që të shërbejë si një urë midis Rusisë dhe Europës dhe t’i bilancojë interesat e saj në dy drejtimet, është bërë një nyje mosmarrëveshjesh”. Sipas Duginit, “europianët duhet të kenë kujdes: amerikanët kanë çliruar xhindin e ultranacionalizmit dhe të nazizmit me objektivin që ta infektojnë edhe Europën”.

Idetë e Duginit korrespondojnë me pozicionin zyrtar të Rusisë dhe ofrojnë disa këndvështrime leximi për të interpretuar aksionet e Moskës në krizën ukrainase. Ta konsiderosh Duginin një lloj “sugjeruesi” të Putinit sigurisht që do të ishte një gjë e rrezikshme, por është i pamohueshëm fakti që politologu është i future mirë në qarqet e pushtetit. Nga fundi i viteve Nëntëdhjetë punon për Dumën, Dhomën e Ulët, si këshilltar politik e strategjik. Edhe pse nuk do ta sigurojë kurrë një ulëse në Parlament, dora dorës që Putini e formulon me më qartësi projektin e një Rusie të ndarë nga Azia dhe nga Europa dhe të nisur drejt një “rruge të tretë”, idetë e tij bëhen gjithnjë e më pak marxhinale. Ideologjia e Duginit ofron një kuadër teorik përssoshmërisht kompatibël me konservatorizmin e Putinit, të shënuar nga refuzimi për të marrë mësime nga Perëndimi, nga një devijim i pastër autoritar dhe nga ambicjet ekspansioniste.

Sot Dugini është i lidhur me ekonomistin Sergei Glazev, njeri i besuar i Presidentit për çështjet ukrainase dhe këshilltar për integrimin euraziatik, dhe është edhe midis këshilltarëve të Presidentit të Dumës, Sergei Naryshkin, mbështetës i ndërhyrjes ruse në Ukrainë. Shfaqjet e tij të fundit në kanalet televizive shtetërore, kuti rezonance të pozicioneve zyrtare, të bëjnë të mendosh se nivelet drejtuese e autorizojnë (në mos e nxisin) që të promovojnë vizionin e tij të botës. “Gjeografia është fati, përcakton historia. Ekzistojnë dy Ukraina, të ndara nga lumi Dniepër. E para është e drejtuar nga Perëndimi, e dyta nga Rusia. Ukraina lindore do të jetë ruse”, këmbëngul Dugin. “nuk jemi të ndarë nga kufij historikë, por vetëm nga kufij formal në brendësi të një shteti të vetëm që në të kaluarën quhej Perandoria Ruse dhe më pas Bashkimi Sovjetik. Rusë dhe ukrainas kanë jetuar gjithmonë si një popull i vetëm. Ukraina nuk është një vend autonom i hyrë në Bashkimin Sovjetik, por një rajon i Bashkimit Sovjetik që ishte pjesë e Perandorisë Ruse. Për të dalë nga një gjë, fillimisht duhet të jesh brenda saj. Ukraina nuk ekzistonte, është krijuar nga Stalini dhe Hrushovi”. Duke vazhduar t’u bëjë jehonë deklarimeve zyrtare të Kremlinit, Dugini nënvizon se aneksimi i Krimesë ka qenë hapi i parë drejt “ribashkimit të trojeve ruse”.

Nëqoftëse objektivi afatgjatë është kthimi në fole i Novorossijas (Rusisë së Re, siç quhej Ukraina lindore e sotme në kohën e perandorisë), në afatshkurtër duhet mbrojtur “populli rus dhe 20 milion individët e kërcënuar nga junta e Kievit”. Në këtë drithërimë patriotike Dugini shikon rilindjen e njeriut rus. “Është fillimi i pranverës ruse”, ka shpjeguar nga ekrani i Pervij kanal, televizioni kryesor shtetëror. “Kemi rifilluar të jemi krenarë për vendin tonë. Rusët po fillojnë të kuptojnë se nuk janë objekte pasive, por subjekte të historisë. Duke u preokupuar për fatin e rusëve dhe të rusishtfolësve që jetojnë jashtë kufijve tanë, nuk bëjmë gjë tjetër veçse forcojmë shoqërinë tonë”. Lidhur me këtë, nuk ka kurrfarë dyshimi, Aleksandr Dugin dhe Vladimir Putin janë absolutisht dakord.

Biografia

  • 1962 Lind në Moskë
  • 1983 Përjashtohet nga Instituti i Aviacionit të Moskës, në të cilin ishte student, prej pozicioneve politike të tij dhe posedimit të librave të ndaluar. Midis intelektualëve të referimit janë Rene Guenon dhe Julius Evola.
  • 1987 Anëtarësohet në organizatën nacionaliste dhe tradicionaliste Pamyat.
  • 1992 Themelon revistën “Elementy”.
  • 1993 Me shkrimtarin Eduard Limonov, themelon Partinë Nacionalbolshevike.
  • 1997 Boton librin “Themelet e Gjeopolitikës”. Afrohet me Partinë Komuniste e Genadij Zhuganovit.
  • 2002 Themelon Partinë Eurazia, që një vit më pas transformohet në Lëvizjen Ndërkombëtare Euraziatike.
  • 2008 Afrohet me rrethin e Vladimir Putinit dhe Partinë Rusia e Bashkuar.
  • 2012 Emërohet ndër këshilltarët e Presidentit të Dumës, Sergei Narjushkin.

(nga Liberation)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

4 COMMENTS

Comments are closed.