Deklarata e kryediplomatit amerikan në Rrëshen kanë shkaktuar një furtunë të vërtetë në mjedisin politiko-mediatik shqiptar. Thëniet e tij se të rinjtë mund ta rrezojnë një qeveri që nuk u pëlqen, përmendja e zyrave të shtrenjta, makinave luksoze dhe udhëtimeve të kushtueshme të pushtetarëve kanë zënë titujt kryesorë të mediave dhe kanë bërë të reagojë opozita.
Në fakt po të shihet, Donal Lu nuk ka lëshuar ndonjë bombë. Përmendja e faktit se në një demokraci qytetarët kanë të drejtë t’i rrefuzojnë qeveritë që nuk i përshtaten është një parim po aq i vjetër sa ky sistem. Po ashtu edhe mospërputhja e luksit qeveritar me gjendjen e popullsisë është një plagë e vjetër në Shqipëri, që nuk lidhet vetëm me qeverinë aktuale. Prandaj nga një këndvështrim, dklaratat e Donald Lu mund të duken edhe krejtësisht normale.
Por fakti që i bën ato të jashtëzakonshme lidhet me pyetjen: Pse po i bën tani?
Ambasadori aktual ka tre vite në Shqipëri dhe mund ta kishte përmendur edhe më parë të drejtën e popullit për të përmbysur qeverinë e vet dhe luksin e qeveritarëve që zgjat prej shumëkohësh.
Nga ana tjetër, mesazhet e tij nuk ishin të rastësishme. Lajmi mbi këto deklarata nuk u raportua nga gazetarët apo reporterët lokalë. Atë u kujdes ta shpërndajë vetë Ambasada, edhe me anë të Facebook-ut edhe me anët të kontakteve të saj në redaksi të ndryshme.
Pra, është e qartë se Lu nga Rrësheni më shumë sesa gjimnazistëve po u fliste atyre që e dëgjojnë në Tiranë?
Por pyetja është: Pse e dha tani këtë mesazh?
Njëra hipotezë është pakënaqësia e hapur që ai shprehu kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit si figura e dytë e shtetit. Ai e demonstroi edhe publikisht qëndrimin e vet.
Hipoteza e dytë lidhet me manovrat që Po bën Edi Rama për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi, për të cilën deri më tani ishte shfaqur në rolin e partizanit të flaktë.
Dhe version i tretë është një lloj paralajmërimi për një qeveri me një timonier të vetëm që mund ta shpjerë vendin në një drejtim të paditur, ç’ka amerikanët i tremben më shumë se çdo lloj gjëje tjetër.
Të gjitha këto pikëpyetje kanë ngritur edhe njëherë pyetjen: A mos po ndryshon kamp Donald Lu, që deri më tani ka qenë një mbështetës pothuajse i hapur i Edi Ramës?
Kthesa të tilla nuk janë të reja për diplomacinë amerikane. Edhe paraardhësi i tij Arvizu zbarkoi në Tiranë si mbështetësi i “Burrit të shtetit” dhe u kthye më pas në kundërshtarin më të fortë të Berishës?
A po ndjek të njëjtën trajektore edhe Lu?
Ndoshta është shpejt të thuhet. Por një gjë është e sigurtë. Shfaqja e tij në Rrëshen, qe larg së qëni një takim i thjeshtë me gjimnazistët.

SHPËRNDAJE