Myftiu i Shkodrës, Muhamet Sytari ka reaguar pas arrestimeve në qytetin verior që çuan në anulimin e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit.

Në një deklaratë për televizionin Shkodra TV1, Sytari theksoi se “arrestimet nuk duhet të ishin kryer në atë mënyrë pasi kanë tronditur klimën por edhe situatën në qytet”.

Myftiu i Shkodrës ka komentuar të gjithëçfarë po përflitet këto ditë në panele e portale, duke deklaruar se gjithçka është një “lojë e të paudhëve pasi në Shkodër kanë qenë muslimanët që gjithmonë kanë promovuar paqen e bashkëjetesën.

“Ishin muslimanët shkodranë që strehuan hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore dhe nuk mund t’i prisnin keq pasardhësit e tyre sot”.

Sytari ka theksuar se nëse shteti ka problem me individë, t’i kryejë procedurat pa prekur muslimanët në tërësi.

Ndërkaq, duke folur për çështjen e meshës së lumturimit të 13 priftërinjve nga Kisha Katolike, myftiu i Shkodrës deklaroi se nuk ka qenë i ftuar në ceremoni dhe shtoi se kjo është punë e organizatorëve, ndaj ka bërë thirrje që të ndalohet çdo koment.

Kjo pasi disa zyrtarë lokalë të qytetit kanë shprehur pakënaqësinë për mospjesëmarrjen e klerikëve muslimanë në ceremoninë e Kishës Katolike.