Berati, “qyteti i një mbi një dritareve”, mbetet një nga grishjet më të forta për turizmin e historisë, artit e kulturës në Shqipëri. Për shkak të vlerave të veçanta historike e kulturore, Berati u shpall qytet muzenë vitin 1961, ndërsa që nga viti 2008 është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Qyteti i Beratit vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, pa lënë pas edhe ata vendas. Fakti që qyteti i Beratit tashmë është pjesë e UNESCO-s, por dhe vlerat e veçanta kulturore dhe historike që kjo zonë mbart ndër vite, kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve për ta vizituar.

Berati ndërthur në mënyrë harmonike kulturën perëndimore me atë lindore dhe dëshmon më së miri traditën e harmonisë fetare në vend. Vetëm 90 minuta larg nga Tirana, Berati mund të ofrojë ushqim të shijshëm, akomodim të lirë, mikpritje dhe histori.

Më poshtë po rendisim 5 destinacione për t’u vizituar në Berat:

Kalaja

Lagjja brenda mureve të kalasë është ende e banuar. Nëse do të ecni këtu, mos u çudisnni t’a gjeni veten në oborrin e dikujt duke menduar se është kishë (rreth 40 kisha mendohet të kenë ekzistuar brenda në kala). Në pranverë dhe verë aroma e kamomilit përhapet në të gjithë lagjen e kalasë. Një piknik nën hijen e pishave dhe me peizazhin e Goricës do të ishte një mënyrë e mirë për t’u shplodhur, pasi të keni ecur në rrugët e pjerrëta me kalldrëm.

Muzeu i Onufrit

Kalaja tradicionalisht ka qenë lagje ortodokse, por shumë pak kisha kanë mundur t’i qëndrojnë kohës. Kisha më e madhe është “Fjetja e Shën-Mërisë”, aty ku është vendosur edhe Muzeu i Onufrit. Daton prej vitit 1797 dhe është ndërtuar mbi themelet ekzistuese të një kishe të shek. X. Veprat e Onufrit janë të ekspozuara këtu.

Mangalemi

Kompleksi i lagjes “Mangalem” është unik në artin e ndërtimeve. Ka formën e një piramide, që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella. Mangalemi është një nga pikat më të fotografuara, pikturuara, gdhendura në dru e gurë; është emblema e Beratit. Shtëpitë e bardha duket sikur i mbivendosen njëra-tjetrës, prandaj ndryshe Berati quhet “qyteti i një mbi një dritareve”.

Gorica

Lumi Osum ndan lagjen Goricë nga lagjja Mangalem. Të dyja qëndrojnë përballë njëra-tjetrës dhe janë sa të ndryshme aq edhe të ngjashme. Ura e Goricës, e ndërtuar në vitin 1780, e lidh me pjesën tjetër të qytetit. Vizitorëve u tërheqin vëmendjen rrugicat intime, me errësirën e tyre duket sikur sfumojnë godinat e lagjes.

Muzeu Etnografik

Sapo zbret nga kalaja është muzeu etnografik, i vendosur në një shtëpi karakteristike të stilit otoman, ndërtuar në shek. e XVIII. Në katin e parë, ashtu si në një ekspozitë, janë vendosur veshjet tradicionale, mjetet e përdoruara nga argjendarët dhe endësit. Në katin e sipërm ndodhen dhomat e gjumit, kuzhina dhe dhoma e mysafirëve, areduar në stilin tradicional. Ndërsa çardaku zë vendin qendror në banesë. Gjatë stinëve të ngrohta merr funksione të qarta banimi. Duke qenë i hapur dhe me sipërfaqe të madhe, plotëson një pjesë të aktivitetit të jetës shtëpiake. Kjo shihet në qoshqet e tij të ngritura më lartë dhe të kufizuara me dritare si të jetë mjedis banimi. Qoshku është një element i rëndësishëm i çardakut, është i pajisur me mindere, velenxa e qilima.