Një analizë në lidhje me Problemin e Palestinës dhe deklaratat mbi këtë çështje të Presidentit amerikan, Barack Obama, gjatë fjalimit të tij në sesionin 71. të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara…

Media u kushtoi një vend të gjerë deklaratave në lidhje me Izraelin të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, gjatë fjalimit të tij më 21 shtator drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. Kreu i Uashingtonit tha se Izraeli nuk mund të vazhdojë përjetësisht as pushtimin e territoreve të Palestinës dhe as ndërtimin e vendbanimeve mbi to apo kolonizimin e tyre. Disa i vlerësuan këto fjalë, që e konsiderojnë Izraelin një shtet pushtues, si një paralajmërim të fuqishëm. Madje kishte edhe nga ata, të cilët i komentuan deklaratat e Presidentit Obama si antiizraelite. Sepse për “Izraelin, aleat me një lidhje të pashkëputshme” i SHBA-së, këto nuk ishin territore të pushtuara, por “territore me status të diskutueshëm”.

Megjithatë mund të themi se theksi i liderit amerikan mbi pushtimet izraelite po fryhet dhe ekzagjerohet në mënyrë të panevojshme, më shumë sesa duhet. Dhe për këtë ka 4 arsye kryesore:

Tashmë Barack Obama i është afruar fundit të mandatit të tij presidencial në SHBA. Në janar të 2017-s, ai do t’ia dorëzojë çelësat e Zyrës Ovale liderit të ri amerikan, që do të zgjidhet në muajin nëntor të këtij viti. Po të kishte ndërmend një hap për të detyruar Izraelin që të respektojë ligjin, Obama mund ta bënte këtë gjë në fillim të mandatit të tij të dytë ose gjatë tij, por jo tani që i ka mbetur vetëm pak kohë. Avantazhi i tij më i madh do të ishte mungesa e preokupimit për t’u rizgjedhur. Liri veprimi të konsiderueshme për kreun e Shtëpisë së Bardhë në lidhje me këtë çështje ofronte edhe ajo se bashkëbiseduesi i tij në palën izraelite ishte dhe është Kryeministri Benjamin Netanyahu. Mirëpo Obama përvetësoi një mënyrë sjelljeje të atillë, që i jep meritat të quhet “presidenti amerikan më proizraelit”. Rrjedhimisht, Obama e ka të pamundur që të bëjë një manovër kundër interesave të Izraelit në tre muaj e gjysmë kohë nga afati i përfundimit të mandatit të tij.
Në pjesën e parë të deklaratave të liderit amerikan për Izraelin shohim se në një farë mënyre nuk ka një theks të veçantë. Shprehja e plotë e Obamës në fjalimin e sipërcituar është kjo: “Nëse palestinezët refuzojnë provokimet dhe njohin legjitimitetin e Izraelit dhe nëse izraelitët pranojnë që nuk mund të vazhdojnë përjetësisht as pushtimin e territoreve të Palestinës dhe as ndërtimin e vendbanimeve mbi to, kjo do të jetë absolutisht në të mirë të izraelitëve dhe të palestinezëve.” Siç edhe duket qartë, në frazën e Presidentit Obama nuk bëhet dallimi ndërmjet të shtypurit dhe shtypësit apo të viktimizuarit dhe viktimizuesit. Në këtë problem jetik, ai vazhdon t’i shikojë palestinezët dhe izraelitët si palë të barabarta, ndërkohë që të parët jetojnë nën regjimin e një pushtimi ushtarak dhe u konfiskohen vazhdimisht pronat, kurse të dytët vijojnë të bëjnë pushtime duke shpërfillur edhe rezolutat e OKB-së.
Nëse bëjmë një krahasim ndërmjet fjalimeve të Obamës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nga hera e tij e parë si president i SHBA-së e deri në atë të fundit më 21 shtator 2016, vërejmë se rëndësia që i është kushtuar Problemit të Palestinës ka pësuar ndryshime regresive. Në vitin 2009, ku Obama ngjitej në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për herë të parë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pjesa e fjalimit të tij në lidhje me këtë problem formohej nga 521 fjalë. Kurse në 2010-n, ai i kushtonte Problemit Palestinez ¼ e fjalimit të tij, plot 1.100 fjalë. Po ashtu në vitin 2011, kur rajoni i Lindjes së Mesme nisi të prekej nga zhvillimet e Pranverës Arabe, shohim se lideri amerikan vazhdonte t’i jepte rëndësi kësaj çështjeje gjatë fjalimit në OKB duke i kushtuar zgjidhjes së problemit 846 fjalë. Ndërsa pas 2011-s, rëndësia e Problemit të Palestinës në fjalimet e Obamës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka filluar të pakësohet. Në vitin 2012, ai ka shpenzuar në OKB vetëm 86 fjalë për këtë çështje. Pesha e saj është shtuar përsëri një vit më vonë, kur sekretari i Shtetit, John Kerry, orvatej pa sukses për të përshpejtuar nismat e ndërmjetësimit mes dy palëve. Problemi Palestinez u trajtua me 505 fjalë gjatë fjalimit të Presidentit Obama në 2013-n, por ra menjëherë në 192 fjalë në vitin pasues 2014. Sakaq, çështja nuk u përmend fare në fjalimin e tij drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në 2015-n. Ndërsa këtë vit (2016), pamë që pjesa e fjalimit të Obamës në lidhje me këtë problem u kufizua me vetëm 31 fjalë. Prandaj lehtësisht mund të themi se rëndësia e Problemit të Palestinës në agjendën e administratës Obama është pakësuar nga viti në vit.
SHBA-ja dhe Izraeli nënshkruan brenda muajit shtator 2016 një memorandum mirëkuptimi, pikë kjo që rezulton më e rëndësishmja. Sipas marrëveshjes në fjalë, SHBA-ja aprovoi planin për të garantuar ndihmë ushtarake për Izraelin gjatë 10 viteve të ardhshme (2019-2028) në një marrëveshje rekord prej 38 miliardë dollarësh, më e madhja në historinë amerikane. Me marrëveshjen e re, ndihma ushtarake amerikane për Izraelin rritet nga 3,1 në 3,8 miliardë dollarë në vit. Akordi u miratua pavarësisht pakënaqësive të administratës Obama për ndërtimin e kolonive izraelite në territoret e pushtuara palestineze. Pakti i ri zëvendëson një marrëveshje të ngjashme, që përfundon në vitin 2018. Mes të tjerave, Izraeli do të marrë çdo vit një fond prej 500 milionë dollarësh enkas për zhvillimin e mëtejshëm të mbrojtjes raketore, 5 miliardë dollarë në total.

Padyshim që kjo ndihmë ushtarake për Izraelin, e paparë ndonjëherë në historinë amerikane, ka një rëndësi kolosale dhe të pakrahasueshme me 31 fjalët, që ndërtojnë fjalinë e vetme të Presidentit Obama kushtuar Problemit të Palestinës në fjalimin e tij të sivjetmë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Po, në atë fjali të vetme, lideri amerikan e cilësoi Izraelin si një shtet pushtues; por njëherësh kritikoi edhe palën palestineze nën pushtim.

Mesazhi i përcjellë me anë të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ka një rëndësi shumë herë më të madhe. SHBA-ja përdori kështu një iniciativë për të konsoliduar akoma më tepër epërsinë ushtarake izraelite në Lindjen e Mesme. Përveçse sinjalizon që Izraeli do të vazhdojë të mos japë llogari për veprat e tij antiligjore dhe çnjerëzore, pakti në fjalë do të shkaktojë edhe një efekt përshpejtues të armatimit në rajon. Përpara nënshkrimit të akordit, Izraeli ka shfaqur një sërë qëndrimesh në kundërshtim me interesat amerikane duke bërë sjellje të papranueshme kundrejt presidentit të SHBA-së dhe duke vazhduar injorimin e rezolutave të OKB-së. Megjithatë Izraeli jo vetëm që nuk u ndëshkua për gjithë këto harbutëri, por edhe u shpërblye. Ky memorandum mirëkuptimi demonstron edhe një tjetër herë se jeta e palestinezëve nuk ka shumë vlerë.

Në anën tjetër, me këtë pakt, Uashingtoni shpenzon paratë e taksapaguesve amerikanë për të ndihmuar ushtarakisht një vend me ekonomi dhe ushtri aktualisht të zhvilluar. Ç’është më e çuditshmja, kjo gjë bëhet ndërkohë që në SHBA po shkurtohen vazhdimisht fondet sociale për personat në nevojë. Pra, marrëveshja në fjalë shumëzon me zero edhe vetë ndjeshmërinë e opinionit publik amerikan, pasi më tepër se gjysma e zgjedhësve amerikanë ishte kundër saj. Kjo ndihmë ushtarake rekord nuk është gjë tjetër veçse një akord në interes të industrisë izraelite e amerikane të armëve dhe në dëm të palestinezëve e të taksapaguesve amerikanë.

Përfundimisht, cilësimi i Izraelit si një shtet pushtues gjatë fjalimit të Obamës në sesionin 71. të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk ka ndonjë domethënie të madhe për të ardhmen e politikës së SHBA-së rreth Lindjes së Mesme. SHBA-ja vazhdon të shtrëngojë me kujdes lidhjen e pashkëputshme, që garanton marrëdhëniet speciale të saj me Izraelin. Pikërisht në aspiratën dhe këmbënguljen për të vijuar me çdo kusht këto marrëdhënie speciale duhet kërkuar edhe shkaku pse mbetet i pazgjidhshëm Problemi i Palestinez, që në fakt Uashingtoni kërkon ta zgjidhë.

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

6 COMMENTS

Comments are closed.