Bishnica e bekuar

5
160

Pas promovimit në Dritare.net, të Rehovës, fshatit piktoresk e historik të panjohur për vlerat turistike, një banor i një tjetër fshati ka shkruar në redaksinë tonë për ti kushtuar vëmendje vendlindjes së tij.

Ai është Bledi Lufo nga Bishnica e Pogradecit i cili ka hapur edhe një faqe me të njëjtin emër në rrjetin social facebook.
“Nuk ka asgjë më të bukur Dardha e Korçës se Bishnica jonë”-thotë Bledi, i cili është lindur e rritur në këtë vend të cilin e quan mrekulli të natyrës.

Bishnica, një fshat i vogël me rreth 70 familje në rrethin e Pogradecit mbart bukurinë e një vendi të paprekur nga infrastruktura e kjo e bën më të veçantë.

I krijuar në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, në rrethin e Pogradecit, ky fshat shtrihet mes maleve e kodrave të zonës së Mokrës duke ofruar një panoramë të mrekullueshme, e përshtatshme për tu vizituar në çdo stinë të vitit.

Ngjitjet malore, shëtitjet në natyrën e bukur, ushqimi tradicional, e ajri që të pastron mushkëritë e bëjnë më tërheqës këtë fshat në sytë e vizitorëve.

Rruga pjesërisht e shtruar drejt fshatit ofron një peisazh mahnitës me pyje e dëgëzime të kristalta të lumit Shkumbin, por edhe mundësitë pëe të vizituar “Urën e Golikut” të ndërtuar që në shekullin XVII, si dhe Varrezat Ilire në Selcën e Poshtme.

Gjatë verës fshati vizitohet nga turistë të huaj çekë e gjermanë, -tregon Bledi për dritare.net, por askush nuk e njeh Bishnicën brenda në Shqipëri, atë çka natyra ofron aty e që rrallëkund e gjen.
Pyjet zenë një pjesë të konsiderueshme të panoramës; kur i sheh nga larg duken si dy ngjyrësh: një pjesë e gjelbër e errët që janë pishat dhe një pjesë e gjelbër e çelur që janë drurët e ahut.

Dikur në fshat ka patur një Ndërmarrje Pyjore, një mensë për punëtorët dhe një hotel për ta, ndërsa sot fshati banohet vetëm nga vendasit që shfrytëzojnë blegtorinë e bujqësinë.
Mbi fshat, gjenden dy liqenet e Lukovës, të rrethuar nga kurora e pyjeve të përziera shumëngjyrëshe e në një lartësi prej rreth 1800 metrash mbi nivelin e detit.

Përveç bukurisë në njërin nga liqenet mund të praktikohet edhe peshkimi, sepse aty peshku është direkt nga natyra dhe i parritur me koncentrate.

Për këdo që adhuron turizmin malor, ose dëshiron të largohet nga jeta e zhurmshme e qytetit; për këdo që i pëlqejnë bukuritë e natyrës dhe të fshatit ose dëshiron një destinacion të veçantë për fundjavë, rreth 65 km nga qyteti i Pogradecit gjendet Bishnica, fshati që pret të shndërrohet në një nga pikat më atraktive të vendit.

The post Bishnica e bekuar appeared first on Kuriozitete.

Google search engine

5 COMMENTS