Sulo Shehu është një ndër biznesmenët e mëdhenj jo vetëm në Vlorë, por dhe në vend. Ai është ndër të parët që investoi në tregtinë e çimentos e më pas në atë të hidrokarbureve, menjëherë pas viteve ’90. Me gjithë peripecitë që i kanë ndodhur gjatë viteve si sipërmarrës i fuqishëm, dy ditë më parë ai është tronditur kur ka dëgjuar emrin e Gjergj Bojaxhiut, ish¬zv/ministri i Ekonomisë.

“Jam i shokuar. Ai ka gisht në tokën që më mori ‘Petrolifera’ në mënyrë të padrejtë. Edhe sot jam ende në gjyq me këtë firmë, ndonëse unë kam të gjitha dokumentet e vendimet që prona është e imja”, thotë biznesmeni. Sulo Shehu tregon lidhjen mes pronës së tij prej 30 mijë metra katrorë dhe Gjergj Bojaxhiut, të cilin e implikon në këtë çështje dhe dëmet që iu shkaktuan.

“Në të vërtetë, ashtu si dhe unë e kam me vendim gjykate, prona ku sot po funksionon “Petrolifera” është e imja. Janë mbi 30 mijë metra katrorë që ua kam blerë pronarëve që në vitin ’98, pasi ata e përfituan me vendim të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave.

E kam pastruar vetë gjithë atë sipërfaqe, me djersë e punë se ishte tërësisht e bllokuar me inerte e gëlqere, por sot, falë Gjergj Bojaxhiut, nuk e shfrytëzoj”, thotë ai në intervistën për gazeten “Panorama”.

Sipas tij, prona ka qenë e tij dhe ka investuar shumë aty, duke ngritur depozitat e karburanteve dhe duke nisur biznesin në fushën e hidrokarbureve.

6 COMMENTS

Comments are closed.