Çdo krim ka dy kriminelë

0

Shkruan Frrok Çupi/

Si tërmeti i fundit, me dy pllaka tektonike…, pa tjetrën, njëra nuk tund as gjethen e pemës. Krimi është njësoj si tërmeti; në secilin prej tyre është një i dytë, të paktën. Sa shumë kriminologë të famshëm të botës kanë bërë studime ‘pse, vallë, në vende të ngrohta si këto ballkanike, krimin nuk ka burrë që e zbulon deri në fund?!’…

Të njëjtën pyetje po shtroj edhe unë. Kemi nëpër duar disa krime tronditëse, por prapë i marrim lehtë.

… A nuk po iu rri nën lëkurë krimi ndaj një shkrimtari dhe nëpunësi, i cili u arratis në Zvicër se ‘po më vrasin,  në Shqipëri? Edhe përballë krimit dallohen dy skuadra, njëra thotë ‘na mbyti komunizmi’, skuadra tjetër thotë: ‘Ik ore, ç’merreni me këtëhajdut’. Edhe vetë brenda ‘krimit’ ndodhen dy kriminelë, i pari ai që kërkonte shkak; i dyti një komunist tipik primitiv që bie në ‘grackën e të parit. Edhe më tej janë prapë dy kriminelë: Njëri që ka vjedhur temën e gradës shkencore, dhe pastaj me këtë gradë ka vjedhur 11 vjet nga 200 mijë lekë në muaj; dhe krimineli i dytë: Dekani i Fakultetit, shefja e katedrës, rektori…, që kanë firmosur një temë të vjedhur…

Tani dy palë ndodhen përballë: Ai që iku, këta që rrinë, ata që paragjykojnë, të tjerët që gjykojnë…

Janë dy kriminelë, asnjëherë një  i vetëm nuk mund të jetë kriminel. Po të ishin vetëm nga një më vete, as që do ta ndjenim; njësoj si me tërmetin: Pa dy pllaka tektonike Afrikë- Azi, as edhe një statujë mermeri mbi oxhak nuk do të ishte thyer.

Por dubli në krim po i bën namin vendit tonë. Ne secilin krim, secila palë ka rolin e vet. Njëra palë ka marrë përsipër të bëjë zhurmën, ndërsa tjetra të fshehë krimet teksa mbi dhè bëhet zhurmë. Një zhurmues është vetë kryetari i shtetit. Kjo nuk është për t’u tmerruar; kjo është për t’u çliruar nga makthi; sepse kur zhiva e kuqe ngjitet në majë, aty o vdes, o pëlcet. Disa njerëz po trishtohen politikisht dhe moralisht; këta ose janë naivë ose idiotë, ose bashkëpunëtorë.

Pse po trishtohen?

“Po si more vëlla, udhëheqësi i demokracisë puthet me Ilir Metën?! Po këta janë armiq…”, thua ti. Jo, more vëlla, fjala ‘armik’ është shpikur për të fshehur krimin. Ata janë thjesht ‘palë’, dy palë. Kur njëri lë të dytin dhe bashkohet me të tretin, atëherë ka ndodhur si në rrëshqitjen e ‘dy pllakave tektonike’, dhe bota nën këmbët tona rrëqethet e merr jetë njerëzish. Ti, vëlla, a nuk mendon se nesër presidentin ose udhëheqësin legjendar të demokracisë, nuk do t’i shikosh në krah të një tjetri? Ndryshe je budalla. Kriminelët duhet të jenë gjithnjë dy, të paktën dy, edhe sikur njëri të jetë udhëheqësi yt i zemrës e tjetri ai që të ka vrarë babanë.

Më thuaj mik… Ose më fal që i drejtohem tjetrit përballë, dhe jo vetes time: ‘Nëse nuk do të ishte një parti e tmerrshme në Shqipëri, që quhet LSI, vallë do të kishim kaq shumë të vdekur në tërmetin e 26 nëntorit?’… Jo, kurrë. Madje mund të mos kishim fare viktima. Por krimineli u bashkua me LSI (se LSI e gjuajti kriminelin) dhe ja ku jemi, 51 të vdekur, një Shqipëri të rrënuar… Dy vrasësit më të egër në Durrës, pronari dhe ndërtuesi i hotel ‘Palma’ dhe drejtori i ALUIZN-it në Durrës, ku u varrosën 25 persona për shkak të tyre, ishin kandidatë për deputetë të LSI. LSI, ky sekt kanceroz i politikës, ka funksionuar vetëm përmes krimit, ‘më jep tëtë jap’, ‘bëj një krim se të fal dy’. Ish presidenti i Republikës, Berisha, i ka thënëse mbi Ilir Metën ‘rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas Dajtit’, se ‘përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri me drogë, fëmijë dhe vajza të mitura’… Tmerr. Mos gjyko se sot janë bashkë, por gjyko të vërtetën e krimit…

Po pse në këto vende ‘të ngrohta’ krimin nuk ka zot që e zbulon dhe pse janë gjithnjë ‘dy kriminelë bashkë’? Pyetja që bëra në fillim…

Përgjigja e pjesës së parë ndodhet në pjesën e dytë të pyetjes: Sepse ‘janë gjithnjë dy ose më shumë’, dhe prandaj krimi nuk zbulohet kollaj. Vetë kriminologët e mëdhenj të botës kanë zbuluar të vërteta të tmerrshme:

E para:

Dy prej këtyre, Xavier Raufer dhe Stephane Quere (nuk e di nëse tani jetojnë apo jo), kanë zbuluar atë qënë këto vende të ngrohta krimi ndërtohet mbi baza ‘kanunore’, të racës, të familjes dhe të ‘fisit’. “E aftë për t’i bërë ballë ndëshkimeve më të rënda, mafia është shtet brenda shtetit… Familja mafioze nuk shuhet kurrë. Ju mund të arrestoni dy prej tyre, tre a katër, por familja mbetet”, shkruajnë këta kriminologë.

E dyta:

E ka zbuluar mjaft mirë Sigmund Frojd: ‘Ishte një pasionant lundrimi në Senë, Paris. Një ditë varka e tij u anua dhe ai përfundoi në fund të lumit… Që atë ditë sa herë anohej majtas, thërriste: ‘u mbyta’. Ky ishte Paskali; dhe sindromi, sipas Frojd, u quajt ‘Paskal’. Kriminelët tanë janë anuar njëmijë herë nga të dyja anët, tani presin të mbysin vendin.

Jemi në rrezik, aq sa mund të mos shpëtojmë kurrë, nëse i lëmë bashkë kriminelët. Përpjekjet e tjera janë njësoj si të mburrej miza se ‘mposhti shiritin mizavrasës’.

© 2019 Të gjitha të drejtat e rezervuara. PAMFLETI

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com

Loading...