Çfarë e bën Teuta Rugovën, të bijën e ish-Presidentit, një fenomen të rrallë politik

17

Nga Blendi Gashi
Teuta Rugova, vajza e të ndjerit ish-president, është shndërruar në një fenomen politik me aktin e saj të një “tradhëtie” të hapur ndaj partisë së saj, e që është gjithashtu dhe partia historike e lënë prej babait, LDK.

Ajo është bërë njësh me kreun e PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit Kadri Veseli, duke iu bashkangjitur këtij të fundit në një tur lobues nëpër Europë. E ka ndërmarrë këtë aksion politik pa izmën e partisë ku militon, në një injorim të plotë.
Vetë LDK, turin e Veselit e konsideron si “vizitë turistike me shpenzime të panevojshëm të parasë publike”.
Po pse nuk reagon LDK ndaj kësaj plangprishëseje politike, e cila e ka ndarë identitetin e saj gjithashtu politik me dysh?
Është e qartë: Teuta është gjithsesi një aset politik i përkthyer në vota, mu prej faktit se është e bija e njeriut simbol të saj, ish-presidentit Rugova, kolona kryesore identitare ku ende mbahet në këmbë LDK-ja.
Nga ana tjetër, “tradhëtia” e Teutës ndaj LDK-së dhe afërsia e saj me kundërshtarët e drejtpërdrejtë edhe të të atit të ndjerë, nuk përbën befasi.
Vjeshtën e kaluar, Teuta Rugova u bë emri më i lakuar pasi përflitej si dhënëse vote për qeverinë së PAN-it (PDK-AAK-NISMA), duke qenë në radhët e LDK-së. Vota e saj po mbante në ethe të gjithë, edhe pse LDK deklarohej se ka unitet brenda partisë.
Teuta edhe pse nuk mori pjesë në seancën kur u votua qeveria “Haradinaj” ajo dha kontribut në formimin e ekzekutivit, pasi ishte e vetmja deputete nga LDK-ja që qëndroi në Kuvend për t’ia bërë kuorumin PAN-it.
Teuta, po ashtu ndihmoi PAN-in në gusht të vitit të kaluar gjatë seancës kur po provohej konstituimi i Kuvendit. Meqë koalicioni PAN akoma nuk i kishte votat për ta zgjedhur Veselin në krye të Kuvendit, ajo votoi propozimin e Enver Hoxhajt për të shkuar në pushim.
Edhe në këtë rast LDK-ja nuk ndërmorri asnjë masë ndaj Teutës. Hesht kjo, hesht dhe partia e saj. Ndaj dhe është fenomen. //
 
 

0 Shares
Loading...