Çfarë fshihet pas denigrimit të Veliajt nga Rama?

0

A ka një luftë të ftohtë mes kryeministrit dhe kryebashkiakut? Një historik i shkurtër i luftës brenda llojit, fundi i së cilës zor të parashikohet

Shkruan Ana Shkreli Lisi

Në pamje të parë nuk ka asgjë për tu çuditur. Kryeministri i shqiptarëve është një narcist krejt i pashpirt, që sillet njësoj me të gjithë. Historitë e tij tregohen rrugëve të Tiranës që në kohën kur ishte kryebashkiak i Tiranës, kur ishte ministër i Kulturës, kryetar partie dhe tani  Kryeministër. Sulmet e tij nuk janë vetëm verbale, siç tregojnë ata që i kanë provuar, shkojnë edhe fizike, deri në lëndime. Narcisti nuk ka ndjeshmëri, nuk do t’ia di për ato çfarë përjeton tjetri përballë.

Dhe kjo është krejt e dukshme, sidomos në rastin e Edi Ramës.

A e patë në videon ku i kërkoi Erion Veliajt të dilte në 4.30 të mëngjesit dhe të lyente shkallët e pallatit ku Rama kishte bujtur si pjesë e spektaklit të tij televiziv? Rama dridhej nga nervat, ndërsa Erioni nuk dinte ku të futej. Ai hodhi një batutë për “shefin që i do gjërat perfekte”, por e tha me aq gjysmëzëri, sa gati-gati ndjeje keqardhje për të. Një ndodhi që bëri xhiron e rrjetit dhe që dukshëm nuk ishte aspak normale. Nuk duhet të ndodhte ashtu duke ditur situatën, kohën dhe vendin ku ata gjendeshin.

Por a është ky rasti vetëm i një marrdhënie narcist-të përulur apo ka ka diçka më shumë? A është kjo pjesë e karakterit të kryeministrit apo mes dyshes më të pushtetshme në PS, Rama-Veliaj, ka një konflikt të pashprehur publikisht?

Nëse do të bëhej fjalë vetëm për një rast sporadik, ndoshta! Nëse Veliaj nuk do të përpiqej të mbulonte diellin me shoshë të nesermen e kësaj ngarje, duke thënë se Rama nuk e kishte me të, por me administratorin e pallatit, sërish ndoshta. Por kjo nuk është as hera e parë, dhe siç ndodhi, nuk ishte as e fundit që Rama dhe Veliaj duket që nuk shkojnë mirë.

Vetëm pak ditë më vonë, të martën e 10 dhjetorit, Rama në shoqërinë e Veliajt vizitoi një tjetër shtëpi, kësaj here në Pezë. Këtë radhë, kryeministri nuk pati nevojë të shikonte mure të shkarravitura që ti hidhej në fyt Erionit. E kunjosi për gotën e lëngut që kryebashkiaku bën sikur troket me nevojtarët sa herë që jep ato spektaklet e veta të tmerrshme. “Pse nuk ke marrë lëng me vete”, ishte pyetja e Ramës që pati efetkin e pickimit të grenxës tek njeriu që i gjendej përballë, Erion Veliajt. Sërish e njëjta skenë dhe i njëjti siklet. Narcist ose jo, në armiqësi të pashpallur ose jo, kjo ishte hera e dytë që vërtetonte se, megjithëse i ëndërron karrigen dhe po lobon fort për t’ia marrë, Erion Veliajt nuk ia mban ti dalë ballazi Edi Ramës.

Ama, ajo çfarë thuhet me siguri është se kryeministri nuk e ka më fort për zemër djaloshin e MJAFT, që i ka ngjitur me aq shumë sakrifica shkallët e karrierës. Duke parë se ai po fuqizohej nga dita në ditë, duke parë reklamimin diabolik që i bën vetes dhe krahun e fortë që nisi të krijonte brenda partisë, Rama ka pothuaj dy vjet që mundohet ti ndalë hovin të zgjedhurit të tij për bashkinë e Tiranës.

Lufta nisi të bëhej e qartë dhe e lexueshme për të gjithë shumë muaj para zgjedhjeve lokale të qershorit të këtij viti. Ngritja e Erionit duket se e trembte Edi Ramën, por i pafuqishëm tashmë për ta nxjerrë nga loja politike me në të rënë të lapsit, ai i nisi ti bënte presion në forma të tjera. Deri një javë para zgjedhjeve lokale, kryeministri i niste mesazhe jo të drejtëpërdrejta se mund të mos ishte ai personi që do të vazhdonte drejtimin e Tiranës dhe presionin ia bënte herë me promovimin e  Blerina Gjylametit e herë me ngritjen dhe fuqizimin e figurës së Ogerta Manastirliut. Goditje që Erioni i priti për bukuri duke ia kthyer nën rrogoz: Gjylameti dukej se nuk kishte brumë politike dhe mund ti bëhej presion kollaj me historitë rozë të mbjella gjatë fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme në Dibër, dy vjet më parë. Ndërsa me Manastirliun, pikërisht në kohën kur emri i saj po lakohej si kandidate e mundshme e përkhrahur nga Rama, doli lajmi i punimit të saj të doktoraturës si plagjiaturë.

Të ishte vallë rastësi? Natyrisht që jo!

Kjo nënkuptonte për Ramën se Erioni ishte treguar më i mençur se paraardhësi i tij. Ai ka ngritur me kohë një sistem rrufepritës funksional me një ushtri njerëzish dhe firmash të fuqishme që punojnë për të, të cilat janë të vështira të thyhen. Fakti që vazhdon të jetë aty ku është, e vërteton këtë.

Por a është vetëm kaq historia? A bëhet fjalë vetëm për një njeri që po fiton pushtet dhe kjo e bezids kryeministrin?

Njerëz pranë tyre thonë se nuk është vetëm kaq. Erioni ka dalë shumë herë hapur në ambjente të caktuara kundër njeriut që i shtriu dorën dhe e lejoji të zbatonte formulën që i dha pushtetin që ka. Madje madje, njerëz afër tij kanë treguar se diku, në një ambjent të rëndësishëm ndërkombëtarësh, i pari i Tiranës e ka quajtur të drejtë prangosjen e Kryeministrit të Shqipërisë. Është treguar partizan edhe për të bashkëpunuar drejt kësaj dite.

Etje e sëmurë për pushtet? Po! Luftë e egër brenda llojit? Po!

Po atëhere pse qenka kaq i pafuqishëm Rama për ta shtypur këtë buburrec që i duket vetja buall? Epo ata të dy kanë kaluar shumë gjëra bashkë dhe politika në Shqipëri nuk është një sallon që ndriçon nga ndershmëria. Prandaj është e lehtë t’ia zësh kokën me derë kundërshtarit. Qoftë ai edhe kryeministri ose edhe një kryebashkiak i thjeshtë.

    © 2019 Të gjitha të drejtat e rezervuara. PAMFLETI

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com

Loading...