Çojeni në burg, po na lemeris fëmijët

1

Që pas mbrëmjes kur i pa në spital dhe më pas organizoi takimin me Ronaldon dhe Buffon, Edi Rama nuk po u ndahet dy fëmijëve nga Thumana, Aurelit dhe Alesios.

Me sa duket, të dhënat analitike të rrjeteve sociale i thonë kryeministrit, se dalja në publik me dy vogëlushë të pafajshëm, ka efekt pozitiv për të. Prandaj ai nuk ndalet.

Sot në mëngjes, Rama dha spektaklin e radhës duke i përcjellë për në shkollë.

Dhe çfarë ndodh: sa herë që ka një shfaqje të tillë, Rama promovon veprimet “heroike” të dy vogëlushëve (është i dhimbshëm kontraktimi që lexohet tek fëmijët në çdo dalje me kryeministrin), atë të hedhjes nga ballkoni ditën kur ra tërmeti: njëri nga kati i pestë ndërsa tjetri nga kati i tretë.

Vogëlushë fatlum! Duke iu uruar një jetë të gjatë e të bukur, ne shpresojmë që Alesio dhe Aureli e kanë kapërcyer një herë e mirë stresin dhe traumën e asaj që u ka ndodhur!

Por a i lejohet Kryeministrit një promovim i tillë i pisët? Një kryeministri që për ditë të tëra i tundte gishtin medias duke e paralajmëruar se në rast ndjellje paniku do i mbyllte dhe burgoste, siç edhe mbylli dhe burgosi disa syresh, a i lejohet të keqinformojë fëmijët e këtij vendi vetëm për sukses (sipas tij) mediatik? A duhet të mbajë përgjegjësi ky Kryeministër, që vetëm të veshë kostumin e Spiderman-it i ka mbetur, të keqedukojë kështu fëmijët tanë? Ti drejtojë gabim, tu thotë sa herë del në ekran që “këta dy heronjtë janë hedhur nga ballkoni ditën e tërmetit”!

A thua është në dijeni Kryeministri ynë se sa i madh është numri i njerëzve të traumatizuar, një pjesë shumë e madhe fëmijë, nga tërmeti i 26 nëntorit? A thua është i vetëdijshëm ai se sa shumë përpjekje u duhen tani prindërve për tu mësuar fëmijëve të tyre se tërmetet janë dukuri natyrore dhe se një nga rregullat për administrimin e qetësisë dhe sjelljes në momente të tilla është të mos lëvizin, por të futen diku ku mund të jenë të sigurtë deri sa lëkundjet e tokës të kalojnë?

A thua është i vetëdijshëm Kryeministri se për hir të spektaklit të tij po minon punën e qindra të tjerëve, që të ruajnë qetësinë dhe ti kthehen jetës së përditshme? Me siguri që jo, por edhe sikur, një Kryeministër si ky zor se e vret mendjen. Atij i intereson vetëm spektakli.

Epo vërjani emrin si të doni: panik, fake news, keqinformim, çfarëdoqoftë Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Se ndërkohë që shqiptarët po mundohen të kthehen në normalitet, çdo fëmijë që sheh Kryeministrin duke u krekosur me djemtë që “u hodhën nga ballkoni”, ka të drejtë të besojë se ky varianti i të fluturuarit nga dritarja qenka shpëtim në rast tërmeti. E thotë Rama aq shpesh, sa nuk do kishin fare faj!

A e kupton kaq gjë z. Kryeministër?

A e kupton çfarë po bën për dy pare spektakël?

Jepu shpresë dhe mundësi Alesios, Aurelit dhe çdo fatkeqi që e pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit. E ke për detyrë ta bësh. Ama mos harro se puna jote nuk mbaron këtu. E ke për detyrë ti mendosh të gjitha.

Jo për gjë, por ligji vlen edhe për ty z. Kryeministër. Sidomos për ty! Duhesh dënuar se në mos panik, po keqinformon dhe keqedukon fëmijët e tjerë. Ata që ndoshta nuk kanë humbur të afërm apo shtëpitë nga dridhjet e tokës, por kanë humbur sigurinë, gjumin, besimin në jetën normale.

Dhe prindërit e mjerë nuk dinë çfarë tu shpjegojnë kur të dëgjojnë të flasësh kështu. Tu thonë që të vret ndërgjegja se Thumana mund të ishte shmangur nëse Ti do të kishe bërë shtet?! Tu thonë se Kryeministri e ka mendjen tek propaganda dhe nuk e di ç’flet? Tu thonë se Edin e këshillojnë djajtë, dhe djajtë nuk kanë din e iman?! Çfarë këshillon Ti, z. Kryeministër?

Si do të të dënojmë ne ty?!/Pamfleti

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com

Loading...