Minareja e Xhamisë së Madhe (265 metra) do të jetë më e larta në botë, kurse xhamia do të mund të pranojë 120.000 besimtarë.

Qeveria e Algjerisë po ndërton në bregdetin verior të vendit një prej xhamive më të mëdha në botë, për të cilën zyrtarët thonë se do të shërbejë si mbrojtje nga ekstremizmi.

Xhamia e Madhe planifikohet të ketë në posedim një librari me kapacitet prej 1 milion libra, shkollë të Kuranit, Muze të historisë dhe artit Islam.

Minareja do të jetë e lartë 265 metra, dhe pritet të jetë minareja më e lartë në botë.

Pjesa për faljen e namazit do të përfshijë sipërfaqen prej 20.000 metra katrorë, kurse xhamija do të ketë kapacitet të pranojë 120.000 besimtarë, shkruarn Guardian.

Ndërtimi i kompleksit të xhamisë kap vlerën prej 1,5 miliardë dollarë, transmeton Anadolia.

Sipas fjalëve të arkitektëve, deri te xhamia do të ketë mundësi të arrihet me veturë, tramvaj apo anije, dhe për nga sipërfaqja do të jetë xhamia e tretë në botë, kurse më e madhja në Afrikë.

“Kjo është një prej projekteve të këtij shekulli”, ka thënë Ouarda Youcef Khodja, ish zyrtare e Ministrisë për Strehim dhe Planifikim Urban, duke theksuar se beson që punimet për ndërtimin e xhamisë pritet të kryhen në fund të vitit 2017.

Mbrojtja nga ekstremizmi

Khodja thekson se Presidenti i Algjerisë Abdelaziz Bouteflika ka dëshiruar të ndërtojë xhaminë si “monument i islamit dhe qytetarëve të rënë gjatë revolucionit algjerian”.

“Por, ky po ashtu do të jetë sinjal për të ardhmen. Ky monument do të jetë pikë referimi për revolucionin aktual – revolucionin e Algjerisë”, ka thënë Khodja.

Në Algjeri, i cili është një prej eksportuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit natyror, disa grupe kryengritëse të armatosura janë edhe sot e kësaj dite aktive, kurse herë pas here vendi tronditet edhe nga sulme shkatërruese të Al-Kaidës.

“Disa na kanë akuzuar për ndërtimin e këtij tempulli për ekstremistë. Përkundrazi, kjo do të jetë një goditje e rëndë për ekstremistët, ata janë armiq në këtë projekt”, ka thënë Ahmed Madani, këshilltar i Ministrisë për Strehim, lidhur me ndërtimin e xhamisë, për punimet e së cilës është autorizuar një kompani kineze.

1 COMMENT

Comments are closed.