Refleksione antropologjike mbi feedback-un e komunikimit politik në debatet televizive, rasti i emisionit “Opinion” (TV Klan)

Nga Prof. dr. Aleksandër Dhima*

Emisioni “Opinion” i TV Klan është padyshim ndër më të ndjekurit në zhanrin e tij. Ndaj, publiku pretendon që gjuha e përdorur në të duhet të jetë së pari, brenda kufijve të etikës dhe, së dyti, në përputhje me një kulturë politike të denjë pas 25 vjetëve demokraci që sapo kemi lënë pas.

Në këtë kumtesë u trajtuan disa aspekte antropologjike të dialogut politik në mjedise publike, nëpërmjet indikatorëve të etikës dhe retorikës, performancës së aktorëve politikë (në përputhje me “prerjen” e tyre kulturore), kulturës publike dhe “regjimit” të publicitetit që i jepet mesazhit politik.

  1. Çfarë vazhdon të mos na pëlqejë në realitetin mediatik shqiptar? Deputetë, ministra, figura publike, të zgjedhur me votë popullore për të na qeverisur si dhe të tjerë të ardhur nga shoqëria civile, na prezantohen në ekran si intelektualë të vërtetë, të cilët mbizotërojnë tablonë që na serviret qysh në fillim të debatit politik. Çfarë ndodh më tej? Sa hap e mbyll sytë, gjithçka zhduket si me magji; spektatorit i duket vetja sikur ndodhet jashtë një kafeneje (në “Bllok”), ku disa “të rrugës” bëjnë një debat “të nxehtë”. Kështu emisioni kthehet në një arenë të frikshme dyluftimi.

Në biseda të lira mbi këtë temë me kolegë dhe miq, kam shprehur jo rrallë kërshërinë për të ndjerë një dialog të paqtë midis kundërshtarëve politikë, çka do të më bënte të ndihesha vërtet krenar për Shqipërinë time të pastranzicionit; në fund të fundit, që të ndihem i qetë se po më drejtojnë vërtet intelektualë, të cilëve iu kam dhënë votën për të na udhëhequr mendërisht e politikisht drejt së ardhmes.

Por, cili është feedback-u real që unë, si shumë të tjerë, përftojmë sa herë ndjekim këtë emision të shumëpritur? Kryesisht sharje, fyerje, akuza të ndërsjella për korrupsion pa fund; dhe, ç’vjen më pas: “faji mbetet jetim” – siç ndodh rëndom në jetën e përditshme. Po të shkojmë më tej: Një cinizëm i hapur në “gjuetinë e shtriganëve” meshkuj që cenojnë zonjat pjesëmarrëse në emision te jeta e tyre personale, me demek për t’u zbehur imazhin e tyre politik; më keq akoma, meshkuj që u përmendin kolegëve të tyre deputetë (nga të dy anët e politikës) anëtarët e familjes, gjoja për të njëjtin synim. Ndërkohë, moderatori detyrohet të kthehet në një polic trafiku (se mban edhe një shkop në dorë!), duke e shëmtuar më tej atë teatër…

Ku mund ta kërkojmë një zgjidhje racionale për të shmangur të tilla “tallje” publike? Natyrisht, duke ndërruar së pari, kodin etik. Për këtë detyrim madhor të politikës shqiptare na vijnë në ndihmë disa principe dhe paradigma të antropologjisë së komunikimit.

  1. Etika në të folur dhe sidomos në bashkëbisedime me natyrë politike merr një rëndësi të veçantë për disa grupe, mjedisi social i të cilave nuk pranon kontestime, kuptime të dyfishta, shtrembërime apo fabrikime të fakteve gjatë ligjërimit. Një grupim i tillë fokusohet në formulime të komunikimit etik. Të gjithë pjesëmarrësit e përfshirë në proces (në rastin konkret: në emisionin “Opinion”) pritet të sillen me ndershmëri dhe hapur me njëri-tjetrin. Në këtë rast, vihet në provë ndërgjegjja e personave bashkëbisedues në atë se çfarë ata përfaqësojnë dhe transmetojnë te të tjerët. Respektimi i këtij parimi bën të mundur seriozitetin e tyre për kumtin që duan të përcjellin.

Komunikimi nuk mund të kuptohet dhe nuk mund të ekzistojë pa etikën, një element ky i domosdoshëm i jetës njerëzore, që duhet të “instalohet” domosdoshmërish në rrethanat e një lirie pa kufi në të folur. Etika në komunikim është terapia parandaluese që redukton stresin e marrëdhënieve të tensionuara, përmirëson “shëndetin” e marrëdhënieve “të ngrira”, mirëmban komunikimin demokratik dhe ka lidhje të ngushtë me sjelljet në veprimtarinë e përditshme. Një sjellje agresive, një poshtërim, lënia në harresë e një njeriu ose e një komuniteti të tërë, mosplotësimi në kohë i një detyrimi apo përgjegjësie ndaj qytetarëve etj.- të gjitha këto janë shenjë e mungesës së etikës. Për hir të së vërtetës, ky variant vazhdon të spikasë në shoqërinë shqiptare dhe është bërë pjesë e kulturës së përditshme të komunikimit, duke ngulitur vrazhdësi dhe mediokritet në të folmen e përditshme, në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, në mjediset ku zhvillohet ballafaqimi i ideve politike, si në rastet e emisionit në fjalë.

Na qëllon që, sa herë kërkojmë të njohim të tjerët, pyesim se cilat janë normat etike me të cilat ata janë formuar apo janë të aftë të zbatojnë në veprimtaritë e tyre të përditshme. Substanca thelbësore e kësaj analize e ka zanafillën qysh nga koha e Aristotelit, i cili në disa nga veprat e tij analizon dallimin ndërmjet “ekonomisë” dhe “krematistikës” ose -e thënë ndryshe- ndërmjet “fitimit” si rezultat i punës së ndershme dhe “artit të pasurimit” ose fitimit të pandershëm. Ky shqetësim mund të përkthehet si veprim në emër të interesave të ngushta personale, përdorimit të forcës së pushtetit, shfrytëzimit të klientelizmit politik e ekonomik, përdorimit të mbulesës politike si mbrojtje ndaj abuzimeve, përdorimit të retorikës demokratike dhe lirisë si mbulesë e korrupsionit etj., me qëllim të vetëm “fitimin me çdo kusht”, në rastin konkret: të kapitalit politik vetjak.

Në këto rrethana, nuk mund të flitet për etikë dhe sigurisht ajo nuk është bërë shprehi, sepse nuk është ushtruar në mënyrë sistematike që të bëhet më e pranueshme, si instrument që zgjidh ngërçet në komunikim. 24 shekuj mbas Aristotelit, shoqëria, politika dhe biznesi shqiptar janë partizanë të zjarrtë të “krematistikës” aristoteliane: “I zoti është më i shkathëti, ai që arrin të fitojë maksimalisht në çdo nivel, rrethanë apo stad të pushtetit politik, ekonomiko-financiar ku ndodhet dhe ka mundësi ta përdorë atë”. Pra, në thelb, është harruar humanizmi dhe, si rrjedhojë, edhe vetë etika që është e lidhur ngushtë me jetën e njeriut, me veçoritë e personalitetit të tij. Marrëdhëniet komunitare, veprimtaritë politike e shoqërore, gjendja emocionale, tensionet, marrëdhëniet me mjedisin natyror janë -midis të tjerash- burim i etikës; ato përcaktojnë edhe përmbajtjen në komunikim.

Sa pak njerëz luftojnë sot për afirmimin e parimeve morale dhe vlerave demokratike! Kuptimi i thelbit të parimeve morale na jep çelësin për të kuptuar jo vetëm sjelljen e njerëzve, por edhe të sistemeve qeverisëse dhe autoriteteve. Tek e fundit, etika na ndihmon të kuptojmë kush është në të mirë të frymës së bashkëpunimit, të bashkëveprimit dhe të (bashkë)përgjegjësive. Por, etikën -sidomos në debatet televizive- e kanë mbytur dhe po e mbysin ndjenjat e përdorimit të dhunës verbale dhe të nënvlerësimit të “tjetrit”. Prandaj mungon ndjenja e komunikimit pozitiv, duke u kthyer në të kundërtën e saj: duke shpenzuar gjithçka emotive, alias normative, vetëm e vetëm që “tjetri” të duket “i papërgjegjshëm”!

  1. Të vjen keq që thelbin e elitarizmit në shoqërinë e sotme shqiptare e përbën provincializmi dhe jo lulëzimi i etikës së mirëfilltë, si një indikator i rëndësishëm kulturor. Prandaj, ne nuk kemi ende një publik me përgjegjësi të vetëdijshme etike. Lidhur me këtë, Kristians shprehet: “Sikurse mbijetesa njerëzore varet nga mbrojtja dhe kujdesi i natyrës, po ashtu, dhe në të njëjtën shkallë, kërkohet njëekologji e kulturësku bëjnë pjesë edhe mediat masive, një përkujdesje dhe një mbrojtje e saj. Autori fajëson dhe gjykon me guxim e profesionalisht opinionin publik për mungesën e përgjegjësisë kolektive. Me “përgjegjësi kolektive” nënkuptohet, në këtë kontekst, detyrimi moral i publikut dhe i aktorëve që marrin pjesë në proceset sociale në përgjithësi dhe në ballafaqimet mediatike në veçanti, se si do të duhej të përcillej dhe të monitorohej komunikimi dhe informimi i shoqërisë.

Historia na dëshmon se shumë vende e shoqëri ia dedikojnë suksesin në zhvillimin shoqëror pikërisht rolit të etikës në sjelljen e individëve, bizneseve dhe institucioneve. Thelbi i këtij suksesi qëndron në kalimin nga stadi i “etikës së kufizuar individuale” në stadin e “etikës së përgjithësuar”. Etika e kufizuar i shpalos vlerat dhe detyrimet e saj vetëm në mjedise të ngushta familjare, klanore, politike, sociale apo biznesi; përtej këtij mjedisi, gjithçka është etikisht dhe moralisht e papranueshme. Ndërkohë, shumë vende të zhvilluara e kanë “mbjellë” tashmë edhe etikën e përgjithësuar në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme, që fillojnë me edukimin shkollor e universitar, me rolin e masmediave në shpërndarjen e normave më të mira etike, vijojnë me sjelljen dhe mbajtjen e përgjegjësisë publike të vendimmarrësve dhe përfundojnë me ushtrimin e “presionit etik” nga e gjithë shoqëria ndaj çdo kategorie vendim marrësish apo drejtuesish publikë. Me një fjalë, e gjithë shoqëria shqiptare dhe institucionet e saj duhet të bëjnë një hap të madh përpara në kuptimin dhe zbatimin e etikës në çdo hallkë të komunikimit shoqëror.

Nga sa u parashtrua më sipër, del përfundimi se etika në të folur luan një rol të madh në efektivitetin dhe besueshmërinë e bisedës. Në çdo mjedis kompetitiv të sotëm, sidomos në botën e politikës, tiparet sociale bëjnë që edhe vetë etika të folur të pasqyrojë dallime midis kërkesave, synimeve dhe qëndrueshmërisë së kumtit që përcillet në audienca sa më të gjera.

  1. Kultura retorike dhe publike. Studimi i kulturës e zbaton teorinë dhe praktikën retorike për analizën, interpretimin dhe kritikën e jetës politike. Ky drejtim kërkimor e vlerëson retorikën si një mënyrë të prodhimit kulturor që u adresohet tensioneve dhe imagjinatës demokratike si të negociueshme përmes një game të gjerë performancash komunikuese, të cilat përfshijnë gjuhën, gjestet trupore dhe imazhin vizual. Ky projekt transformues është vizionar, për një botë më të drejtë dhe demokratike; ai kërkon që ne t’i marrim seriozisht detyrat që imponon konteksti bashkëkohor, përfshirë si diskurset shtypëse ashtu edhe ato rezistuese që mund të çojnë në pakënaqësi sociale.

 Në të vërtetë, trashëgimia retorike qysh nga koha e Platonit, si praktikë e jetës sociale dhe politike, gjendet në një “tendosje” kritike me një seri binarësh modernë, si në përmbajtje ashtu edhe në formë, në tekst dhe kontekst, në praktikë dhe në teori, në produksion dhe në interpretim. Më tepër se sa një “mbulesë” ose mënyrë “bindëse” që mund të përdoret edhe pa marrë parasysh etikën, besohet se retorika është mjet i një kritike që i angazhon njerëzit në përpjekjet e tyre për një botë më të drejtë.

Kërkimet në sferën e kulturës publike synojnë promovimin me mënyra jo instrumentale të imagjinatës demokratike përtej mundësive të çastit, duke angazhuar në kritikë strukturat ekzistuese dhe zakonet e ndërveprimit në grup. Nga ky këndvështrim, demokracia do të kuptohej si angazhim për të trashëguar dhe çuar më tej një sërë principesh dhe praktikash që përfshijnë drejtësinë, mospërputhjen e mendimeve, barazinë, lirinë, maturinë dhe “shpikjet” poetike. Ajo ndan me teoritë e sferës publike një sërë normash për promovimin e vizioneve demokratike që do të ndërmjetësonin vetëqeverisjen e publikut. 

  1. Bashkëlidhja e performancës me praktikat komunikuese. Sfida për të hulumtuar praktikat komunikuese në kontekstin kulturor përfshin tri perspektiva: Së pari, ne i eksplorojmë format dhe praktikat komunikuese si mënyra veprimi për përmbushjen e qëllimeve të kohezionit social; së dyti, nëpërmjet performancës ne synojmë “poetikën” e aftësive për komunikim publik, mënyrat se si janë zhvilluar aktet komunikuese dhe se si ekspozohet aftësia për komunikim publik; së treti, ne i njohim performancat si kategori të veçanta ngjarjesh, në formën e ritualeve, spektakleve dhe opinioneve televizive ose shfaqjeve të tjera kulturore, në kuadrin e të cilave interpretohen dhe transformohen publikisht simbolet dhe vlerat e një shoqërie.

Siç shihet, studimi i performancës shërben si një “portë hyrëse” për kërkimet në fushën e jetës sociale, e cila transformohet, madje mund edhe të kritikohet, përmes praktikave të komunikimit. Kjo përparësi i detyrohet natyrës krijuese të përdorimit të gjuhës dhe të gjitha sistemeve semiotike, përmes të cilëve ne komunikojmë në kontekstin social-kulturor. Performanca ka edhe një përparësi tjetër: ajo ofron, me sa duket, lidhje reciproke midis praktikave të komunikimit në rrafshin mikro dhe proceseve më të gjera komunikuese, si në rastin e ideologjive dhe formacioneve politike.

  1. Komunikimi politik në realitetin kulturor shqiptar. Shqipëria është një vend që ka kaluar jo pak vështirësi në ecurinë e proceseve politike. Sigurisht që rolin vendimtar në konsolidimin, forcimin, promovimin e një shteti serioz e luan politika dhe aktorët e përfshirë në të. Gjuha politike e përdorur ka qenë dhe vazhdon të mbetet e ashpër, fyese dhe madje kërcënuese, duke degjeneruar deri në përplasje fizike; jo të pakta kanë qenë rastet kur ne, si spektatorë, kemi parë “ndeshjen” e radhës në televizion dhe kemi qenë dëshmitarë të “luftës verbale” ndërmjet “të zgjedhurve nga populli”. Megjithatë, komunikimi politik nuk ka vetëm këtë anë negative të tij. Ai shndërrohet në një spektakël të vërtetë plot premtime dhe zotime në periudha fushatash elektorale. Ky komunikim luan një rol kyç në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme të dish të “luash” me fjalën, të thuash të vërtetën përmes gënjeshtrës, të bindësh edhe pa qenë vetë i bindur.

Me zhvillimin e teknologjisë, komunikimi politik është bërë media-addicted (i varur nga media). Nuk është vetëm media tradicionale ajo që shfrytëzohet, por sot mediat virtuale, si: email-et, facebook-u, twitter-i, blog-et etj., po përdoren për komunikime të shpejta dhe me pak kosto. Kjo është moda e re e politikanëve që po gjen përdorim edhe në vendin tonë. Ajo çfarë i mungon jetës politike në Shqipëri është përballja në debat “ballë për ballë” e kandidatëve apo politikanëve: Gjithsecili replikon “në distancë” dhe “hedh” ftesa për debat, por këto të fundit mbeten spontane. Progres-raportet e hartuara nga institucionet evropiane kanë theksuar vazhdimisht problemin e mungesës së dialogut politik në Shqipëri. Kërkesat e vazhdueshme për t’u ulur në tryeza të përbashkëta kanë rënë në “vesh të shurdhër” apo janë përdorur si justifikime për të sulmuar palën kundërshtare. Si rezultat, kjo dukuri është bërë pjesë e komunikimit politik të tyre, sigurisht në favor të vetes.

Me sa duket, forma në të cilën është zhvilluar deri tani ky lloj komunikimi mund të quhet komunikim politik made in Albania. Përditë flasim për integrim të Shqipërisë, për “ecje me hapa të shpejtë drejt BE-së”. Por si mund të ketë integrim pa komunikim? Si mund të jemi “një zë” kur të gjithë bëjnë “zhurmuesin”? Për sa kohë do të jenë të mbyllura hapësirat bashkëpunuese dhe nuk do të ketë tolerancë, komunikimi do të vazhdojë të jetë moskomunikim dhe pasojë e tij do të jemi ne, të cilët kemi zgjedhur të udhëhiqemi nga “të pakomunikueshmit”.

Klasa politike në Shqipëri shfaq sot në një masë të madhe, madje tronditëse, mangësi në njohjen e principeve bazë të përmbajtjes dhe të funksionimit të demokracisë. Ajo shfaq në qëndrimet dhe punën e saj një kulturë të cekët demokratike, ku mungojnë qëndrimet dhe zgjidhjet efektive, funksionale; në vizionin e saj vihet re një amalgamë idesh dhe përvoja praktike që përziejnë ndjeshëm ide të kundërta, që nga mentalitetet bajraktariste/ autoritariste e komprometuese, deri tek ato komuniste. Këto mentalitete e përvoja kanë një ndikim të madh në qëndrimet, mendimet dhe veprimet e klasës politike në ballafaqim me publikun. Mund të justifikohej kjo mungesë e kulturës demokratike në fillim të procesit, por jo fakti që në këto 25 vjet nuk janë bërë përpjekje serioze apo të organizuara për të mbushur boshllëkun me kulturën e demokracisë.

Natyrisht, kjo është një ndërmarrje e vështirë, sepse kërkon një konceptim të gjerë për kulturimin demokratik të njerëzve. Mendja e qeverisësve ndriçohet nga dijet politike, ndërsa qytetërimi vjen në radhë të parënga të nxënit e të qeverisurve. Vetëm kjo dikotomi sinergjike mundëson një vizion të plotë e të qëndrueshëm që i hap rrugë zhvillimit të demokracisë dhe efektivitetit të qeverisjes; vetëm nëpërmjet kësaj rruge do të plotësohej “zgjimi” i vërtetë demokratik dhe qytetaria e shumëpritur e shoqërisë sonë. Sa më parë të realizohet ndërgjegjësimi për ndryshim, aq më shpejt do të çlirohemi nga dukuritë negative, të analizuara më sipër, dhe aq më lehtë do të bëhet kalimi i shumëpritur i demokracisë shqiptare, nga e brishtë në të konsoliduar e funksionale.

* Kumtesë e mbajtur në “Ditët e Studimeve Shqiptare” III (Tiranë/ UET, 30 prill 2016).

5 COMMENTS

Comments are closed.