OPINION/ANALIZË Politika

Degradimi i kastës politike të Tiranës në përplasje mantenutash

Edi Rama, i përgjigjet “dashnores” së Pollos duke sjellë me urgjencë në Tiranë Mogherinin

Degradimi i kastës politike, pasi Berisha nxori në Shkodër "dashnoren" e Pollos, Rama nxjerrë në Tiranë Mogherinin duke përsëritur deklaratën vjetshme, konfirmon shtyrjen e negociatave    

Nëse Sali Berisha dhe Lulzim Basha, sa herë kalojnë ditë të vështira politike, sjellin me urgjencë në Tiranë “dashnoren” e Genc Pollos, ish-eurodeputeten D. P., Edi Rama fillimisht thërriste Stefan Fylen, ndërsa vitet e fundit shefen e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini. Disa ditë më parë, Berisha dhe Basha thirrën edhe një herë “dashnoren” e Pollos, i njohur si ‘Kuqoja’ i PD, e cila sulmoi nga Shkodra Ramën dhe reformën në drejtësi, tek e cila Berisha-Basha-Meta shohin fundin e tyre politik.

Nga ana tjetër, Rama solli dje në Tiranë Federica Mogherinin, për t’i dhënë një frymëmarrje qeverisë dhe për të sulmuar opozitën. Mogherini përsëriti deklaratat që ka bërë një vit më parë, ndërsa ish-eurodeputetja përsëriti vjershën e ‘Kuqos’. Ndryshimi është se “dashnorja” e ‘Kuqos’ tani është thjeshtë një pensioniste, ndërsa Mogherini është në fund të mandatit dhe ajo nuk ka asnjë ndikim në vendimet e Francës dhe Holandës për t’i mbyllur dyert e integrimit Shqipërisë, për shkak të qeverisë më të korruptuar në Evropë. Ky është degradimi i kastës politike të Tiranës, në përpjekje për të ruajtur sundimin, përmes alternimit në pushtet, mbrojtjes nga drejtësia dhe plaçkitjes.

Megjithatë, Mogherini kishte një mesazh. Zyrtarja e Bashkimit Evropian konfirmoi shtyrjen e çeljes së negociatave edhe këtë vit. Ajo tha se duhen bindur vendet anëtare për arritjen e rezultateve. “Objektivi i çeljes së negociatave është i arritshëm, por i vështirë, pasi duhen bindur opinionet e vendeve anëtare që të njohin rezultatet tuaja. Ndaj, inkurajoj të gjithë në Shqipëri që të vazhdojnë të japin kontributin. Përpjekja kolektive kërkon që të gjitha palët të jenë të bashkuara për integrimin evropian dhe duhen lënë mënjanë ndasitë. BE-ja e ka përsëritur qëndrimin e saj: partitë politike nuk duhet t’u kthejnë shpinën rolit të tyre dhe qytetarët nuk duhen privuar nga zgjedhja e tyre për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ky është mesazh nga të gjitha institucionet e BE-së”.

Në rastin korrekt, Mogherini iu referohet Francës dhe Holandës, të cilat nuk pranojnë të votojnë pro pa u plotësuar kushtet e vendosura nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian dhe të përsëritura e të detajuara në qershor të vitit të kaluar.

Franca dhe Holanda, por edhe Gjermania kërkojnë luftë reale kundër korrupsionit në nivele të larta, zbatimin e reformës në drejtësi, ndarjen e parave dhe të pasurisë në mënyrë të barabartë, respektimin e lirisë së mediave, krijimin e një administrate profesionale dhe të bazuar në meritë, zgjidhjen e çështjes së pronave. Qeveria e Edi Ramës nuk mund të plotësojë asnjë nga këto kushte. Për të plotësuar kushtin e luftës kundër korrupsionit në nivele të larta, duhet të dorëzojë para drejtësisë disa ministra dhe kryebashkiakë si dhe një tufë drejtorësh të korruptuar. Për të plotësuar kushtin e administratës, duhet të largojë nga zyrat e shtetit militantët pa arsim dhe ushtrinë e familjarëve të deputetëve, ministrave, drejtorëve dhe të të gjithë kastës politike. Për të plotësuar kushtin e pronave, duhet të shpronësojnë oligarkët dhe ujqërit e politikës, të cilst kanë rrëmbyer pronat publike dhe jo publike prej tre dekadash. Për të zbatuar kushtin e reformës, duhet të heqë dorë nga futja e kunetërve dhe burrave të deputeteve në organet e drejtësisë së re. Edi Rama nuk mund të bëjë asgjë nga këto./Pamfleti

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com