Ish-kryeministri Sali Berisha shpreh bindjen se me 5 mijë njerëz në bulevard e rrëzon Edi Ramën nga pushteti. Gjatë një interviste për emisionin “Politika” në “ABC News”, ndër të tjera Berisha deklaroi se “doja 5 mijë vetë, të nguleshin në bulevard dhe të rrëzoja Edi Ramën nga pushteti”. Berisha ka sqaruar se kjo është dëshira e tij, sepse qëndrimin e opozitës tashmë e përfaqëson Basha.

“Gjëja e fundit që unë bëj kur flas është të flas spontanisht. Para se të shkoj në parlament, unë parapërgatitem, kurse si ide, kjo është e para disa muajve, që e përpunoj me veten time, sepse unë gjykoj se sot asnjeri, përveç atyre që kanë roje, shumë roje, nuk ndihet më i sigurt në një kohë kur bandat dhe qeveria janë bërë një. Vijmë te thirrja ime. Thirrja ime vjen në një vend që u njeh të drejtën e armëve, të drejtën për të bërë kërkesë për armatosje qytetarëve edhe mbi bazën e kërcënimit personal. Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se qytetari shqiptar merr armë për vetëmbrojtje. Ligji i njeh të drejtën për të marrë armë për vetëmbrojtje. Pse kjo oshëtimë? U ndeshën me këtë rast dhe unë ç’është e vërteta nuk parashikoja të kishte këtë efekt të mrekullueshëm që pati kjo deklaratë e imja. Them ‘të mrekullueshëm’, sepse nxori, u hoqi maskën kundërshtarëve. Tregoi se kundërshtarët e mi ndajnë në këtë problem psikologjinë totale të etërve të tyre, të frikës së tmerrshme të armëve në duart e qytetarëve. Një dallim si thikë mes diktaturave dhe demokracive është se regjimet demokratike nuk kanë dhe s’kanë asnjë arsye për të pasur frikë nga armët private mbi bazë ligjore të qytetarëve të tyre. Regjimet diktatoriale i mbledhin ato “manu militarum”. I mbledhin ato kundrejt dhunës, terrorit, torturave dhe të gjitha mjeteve të tjera. Pra Edi Rama me këtë rast nxori fytyrën e tij të vërtetë prej neobllokmeni, tregoi tmerrin që ka nga armët në duart e qytetarëve.

Kjo thirrje, ky qëndrim ndan sistemet, sistemin demokratik me sistemin diktatorial, përndryshe është i njohur amendamenti i dytë i Kushtetutës amerikane që sanksionon të drejtën kushtetuese të qytetarëve amerikanë për të pasur dhe mbajtur armë. Ky amendament thotë se “The right of the people to keep and bear arms shall not be infringed”. Nuk ka stimulim më monumental dhe përgjigje më monumentale që i jepet këtij problemi, sesa i jep Kushtetuta që bëri demokracinë amerikane, Kushtetuta që frymëzoi demokracitë e botës dhe e bëri Amerikën të shkëlqejë e të kapë majat që ka kapur kryesisht në sajë të saj.

Alternativën opozitare e paraqet kryetari i PD-së. Po të jetë për alternativë timen, revolucion demokratik. Unë e
kam thënë me kohë. Doja 5 mijë, 10 mijë vetë të nguleshim në bulevard dhe ta rrëzonim Edi Ramën. Por kjo nuk është e PD-së, kjo është e imja”, është shprehur Berisha.

4 COMMENTS