Të krishterët që punojnë në qendrën më famkeqe të azilkërkuesve në Greqi, janë përpjekur të konvertojnë disa nga emigrantët muslimanë që mbahen aty në bazë të marrëveshjes midis Bashkimit Europian dhe Turqisë. Në të paktën dy raste gjatë muajve të fundit, punonjësit e ndihmave kanë shpërndarë kopje të formularëve të konvertimit brenda versioneve në gjuhën arabe të ungjillit të Shën Gjonit. Rastet janë raportuar në qendrën e grumbullimit të azilkërkuesve në Moria, në ishullin e Lesbosit.

Formularët që raportohen nga “The Guardian”, ftojnë azilkërkuesit të nënshkruajnë një dokument ku deklarojnë: “Unë e di se jam mëkatar… i kërkoj Jezusit të falë mëkatet e mia dhe të më japë jetën e përjetshme. Dëshira ime është ta dua dhe t’i bindem fjalëve të tij”.

Azilkërkuesit që u ndeshën me këta formularë ndërsa morën librat thanë se e konsiderojnë një ndërhyrje të pandjeshme atë të punonjësve të ndihmave.

“Eshtë një problem i madh për shkak se një numër i madh njerëzit këtu janë muslimanë dhe ata e kanë problem ndryshimin e besimit”, tha Mohamed, një emigrant në qendër që vjen nga Damasku. “Ata u përpoqën të bënin këtë gjë gjatë Ramazanit, muajit më të shenjtë të muslimanëve”.

formular
Kopje në arabisht e formularit të konvertimit

Një tjetër sirian, Ahmed tha: “Ne i respektojmë të gjitha besimet, por si do të ndjeheshe nëse je i krishterë dhe unë të jap Kuranin?”

Azilkërkuesit që mbahen të ndaluar në qendër thanë se formularët janë shpërndarë të paktën në dy raste nga përfaqësues të “Euro Relief”, një shoqatë bamirëse greke që është shndërruar në grupin e ndihmës më të madh në Moria, pas organizatat e tjera u larguan në shenjë proteste ndaj marrëveshjes midis Bashkimit Europian dhe Turqisë. Kampi mbikqyret nga ministria greke e Emigracionit, por organizatat e ndihmës janë ato që zhvillojnë aktivitetin dhe menaxhimin ditor të kampit.

“Euro Relief” tha se nuk e miratonte shpërndarjen e formularëve të konvertimit, por shtoi se nuk mund ta përjashtojë mundësinë që punonjës individualë të ndihmave i kanë shpërndarë dokumentete me nismën e tyre.

Drejtori i organizatës, Stefanos Samiotakis, shtoi: “Kam marrë tashmë disa veprim, kështu që vullnetarët tanë ta dinë se nuk duhet të shpërndajnë më literaturë të tillë. Kodi ynë i sjelljes… thotë qartë se kjo është diçka që nuk mund të bëhet dhe se sjell reagime disiplinore”.

Ministria greke e Emigracionit nuk bëri asnjë koment.

Situata është pasoja më e fundit e mbylljes së korridorit humanitar midis Greqisë dhe Gjermanisë, dhe azilkërkuesit që janë grumbulluar në qendër kanë mbetur të bllokuar për shkak se duhet ose të kthehen në Turqi, ose të qëndrojnë në kamp në kushte të vështira.

Nga janari 2015 deri në mars 2016, rreth 1 milion azilkërkues janë lejuar të kalojnë përmes korridorit ballkanik pasi zbarkuan në Greqi nga Turqia. Por, në mars, Maqedonia mbylli pjesën e saj të korridorit, duke vulosur pikëkalimin në kufirin me Greqinë.

Pak ditë më pas, BE ra dakord për një marrëveshje që parashikonte se të gjithë ata që do të zbarkonin në Greqi pas 18 marsit do të deportoheshin pas në Turqi, një marrëveshje që sipas grupeve të të drejtave të njeriut, shkel ligjin ndërkombëtar.

Lëvizja ka bllokuar rreth 57 mijë azilkërkues në ishujt grekë, si Lesbosi, e në kampe të mbipopulluara si Moria.

Vetë azilkërkuesit dhe aktivistët e të drejtave të njeriut kanë kritikuar ashpër kushtet e tmerrshme brenda kampeve,  ku njerëzit jetojnë shpesh pa energji elektrike, pa ujë të pijshëm, ndërsa ushqimi për fëmijët shpesh nuk gjendet. Sistemi i aplikimit për azil është tepër i ashpër dhe procedon ngadalë.

Në disa kampe, frustrimi ka sjellë protesta e kryengritje, pasi shumë emigrantë kanë rënë pre e ndjesisë së përgjithshme të frikës, mungesës së ligjit dhe shpresës.

“Shohim episode dhune çdo ditë”, shprehet Fatima, shtetase siriane që jeton në Moria, me bashkëshortin dhe vajzën 3-vjeçare. “Nuk ndjehemi të sigurtë këtu, nuk ndjehemi mirë”.

Shtetet e BE-së duhet të risistemonin pjesën më të madhe të atyre që mbërritën në Greqi përpara nënshkrimit të marrëveshjes me Turqinë, mirëpo progresi ka qenë tepër i ngadaltë. Organizatat e ndihmave po përgatiten për mundësinë më të madhe, atë që pjesa dërrmuese e 57 mijë azilkërkuesve të bllokuar në Greqi të qëndrojnë aty për një kohë të gjatë.

7 COMMENTS

  1. … [Trackback]

    […] Read More Information here to that Topic: epavarura.com/denoncimi-punonjesit-greke-te-ndihmave-u-perpoqen-te-konvertojne-muslimanet-ne-kampe/ […]

  2. … [Trackback]

    […] Read More on that Topic: epavarura.com/denoncimi-punonjesit-greke-te-ndihmave-u-perpoqen-te-konvertojne-muslimanet-ne-kampe/ […]

Comments are closed.