Rusia është vendi që shënon ndoshta numrin më të madh të grave të vrara nga krimi në familje, por Parlamenti vendas, Duma, ka votuar për dekriminalizimin e dhunës “së lehtë” brenda mureve shtëpiake.

Duhet vetëm aprovimi i Dhomës së Lartë dhe firma e Putinit dhe, shumë shpejt një “shuplakë” ndaj bashkëshortes apo fëmijëve nuk do të përbëjë më një krim penal. Fajtori, tashmë do të jetë vetëm subjekt i një gjobe që mund të arrijë deri në 500 euro.

Pikënisja e një nisme të tillë, që bëri që Duma ruse të votonte në unanimitet, është një vendim tepër i kritikuar i Gjykatës Supreme të verës së vitit të kaluar. Gjykata vendosi atëherë se të godisje dikë nuk përbënte krim në Rusi, të paktën për sa kohë që nuk do të ndodhte në familje. Në thelb, sot për sot, një baba që i jep një shuplakë të birit apo të bijës ndiqet penalisht, ndërkohë që nëse godet një të huaj në rrugë, atëherë ai bën shkelje të parashikuara nga Kodi Penal.

Nisur nga kjo, disa deputetë konservatorë të partisë së drejtuar nga Presidenti Putin prezantuan një amendim, i cili duket shumë më i keq sesa “kleçka” e vogël që duhej riparuar.

Kush përdor duart në familje, e jo vetëm kundrejt fëmijëve, por edhe bashkëshortes apo bashkëshortit, do të mbetet i pandëshkuar nëse këtë e bën për herë të parë. Vetëm në rastet kur agresori vijon sulmin ndaj të njëjtit familjar, mund të gjykohet dhe të dënohet me burg, por në çdo rast vetëm nëse viktima arrin të sjellë fakte, sepse drejtësia nuk do të veprojë në rrugë zyrtare.

“Viktima duhet të mbledhë të gjitha faktet e aktit agresiv dhe të shkojë në të gjitha seancat gjyqësore për t’i treguar ato. Në praktikë, mbrojtësi në këtë rast duhet të hetojë për rastin ndaj tij”, thotë Efe Mari Davtian, avokate eksperte për dhunën në familje.

Kundër ligjit dolën të gjitha grupet që shqetësohen në lidhje me mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Në Rusi statistikat nuk janë shumë të besueshme, por sipas të dhënave të vitit 2010 të ofruara nga Kombet e Bashkuara, situata atje është e rëndë. Mes 143 milionë rusëve, 14 mijë gra vriten nga prindërit apo burrat brenda një viti. Disa organizata të tjera joqeveritare japin shifra të ngjashme për vitet e kaluara. E sa për krahasim, në Itali shifrat zyrtare flasin për 179 gra të vrara në 2013-n, ndërsa në SHBA, nga 320 milionë banorë, gratë e vrara në një vit janë rreth 1.000.

Nëse ligji do të miratohet nga Dhoma e Lartë, atëherë do të pritet vetëm firma e presidentit. Por Putin, pak javë më parë është shprehur qartësisht kundër zakonit për t’i dhënë një shuplakë në familje. “Më mirë të mos ngrihen duart dhe të mos i mbështesim këto tradita. Nuk është një ide e mirë dhe i bën keq familjeve”.

2 COMMENTS

Comments are closed.