Gatime LIFESTYLE Shëndeti

Dr.Violeta & Ada Dajçi/ Dermatologet nënë e bijë: Kur lëkura “lutet” për ndihmë, por ju nuk e kuptoni

Flasin dy dermatologet, Dr. Violeta dhe Ada Dajçi, respektivisht nënë e bijë: Këshilla si të trajtoni lëkurën tuaj, për të mos u humbur…
Diplomimi i Ada Dajçit në “La Sapienza” të Romës, një doktoreshë elitare tashmë dhe pse Shqipëria nuk e mban dot këtu…
 
 Intervistoi: Silvana BALLIU
 
Nënë e bijë, përveç gjakut i lidh dhe një pasion i madh i përbashkët: Dashuria për dermatologjinë. Njëra mbron shkollën lindore, ndërsa tjetra shkollën perëndimore, një ëndërr e së parës. Po flasim fillimisht për DR.Violeta Dajçi, e cila njihet në Tiranë, si një nga dermatologet më të mira me një eksperiencë të gjatë në këtë fushë. Profesionin e saj e ka trashëguar dhe e bija, Ada, e cila sapo ka përfunduar studimet në universitetin prtestigjioz italian, “La Sapienza”, në Romë. Ato vijnë të dyja sot në “Super Shëndeti”, në këtë intervistë të veçantë për nga emocionet, por edhe plot informacion, se çfarë duhet të dimë rreth Dermatologjisë, e pse jo, të dimë ku të drejtohemi, kur në derë na trokasin problemet e lëkurës. Një moment për të mos u humbur i intervistës, është edhe momenti i diplomimit të së bijës. Lexoni më poshtë…
***
Dr. Violeta, unë ju falenderoj si fillim që pranuat të jeni pjesë në gazetën “Super Shëndeti” përmes kësaj interviste, bashkë me vajzën tuaj, Adën; edhe ajo tashmë një dermatologe e re, profesion të cilin ju ia keni trashëguar. Kjo intervistë nuk do të jetë si të gjitha të tjerat. Në fakt, unë do të mundohem t’ju ngacmoj edhe për ndjesitë tuaja, karshi saj, pra Adës. Si fillim, në lidhje me dermatologjinë, cili është mendimi juaj për këtë profesion në Shqipëri?
Dermatologjia është një specialitet i lakmuar tashmë dhe në Shqipëri. Është në “top listen” e kërkesave për specializimet nga mjekët e sapodiplomuar. Arsyet janë të shumta, por në krye qëndron mendimi i “gabuar”, si një fushë të lehtë. Kur i futesh Dermatologjisë, e kupton sa e vështirë është të vësh një diagnozë të saktë. Të gjitha patologjitë tona kanë, eritemë, kanë papul, bule, hiperpigmentim ose hipopigmentim etj, por një gjë e vogël i ndan pastaj nga njëra-tjetra dhe mjekimi është diametralisht i ndryshëm. Për këtë arsye, specialistët e fushave të tjera, i drejtohen dermatologut për gjithçka që shohin në lëkurë. Një arsye madhore është edhe zhvillimi i dermatologjisë estetike, një fushë e re, e bukur, ku duan të eksplorojnë dhe të futen të gjithë. Masiviteti nganjëherë prish edhe cilësinë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Ligjet do ta disiplinonin këtë defekt, dhe me anë të Shoqatës së Dermatologëve Shqiptare, kemi lobuar me instancat përkatëse dhe jemi në pritje të daljes së tyre.
A duhet ne, t’i besojmë një mjeku dermatolog në Shqipëri, (për shkak të kufizimeve, që ai has, jo të formimit të tij) dhe sa ekzistojnë mundesitë, që në vendin tonë, të merret trajtimi dhe mjekimi i duhur?
Gjithmonë duhet të na besoni! Ne vijmë nga një shkollë dhe Profesorë të nderuar si: Kadri Kërçiku, Mantho Nakuçi, Prof. Fabiola Ndoni. Literatura, studimet shkencore dhe sidomos eksperienca klinike, për ne që kemi punuar me ta, është një thesar që na kanë lënë me bujari profesorët, që nuk jetojnë tashmë. Në klinikën e Dermatologjisë, organizohen rregullisht konsulta për rastet e rënda apo të vështira me mjekë dermatologë nga i gjithë vendi, nën drejtimin tashmë të Prof. Ermira Vasilit. Nga ana tjetër, dermatologët kryejnë minispecializime të pavarura, në fusha dhe drejtime të ndryshme, në gjithë klinikat më të mira të Evropës e më tej. Por, që të jemi realistë, vështirësi ka gjithmonë. Për patologji të caktuara kërkohen ekzaminime specifike, që jo gjithmonë kemi mundësi t’i kryejmë. Biopsia, kyçi i diagnozave në dermatologji, ka shumë herë vonesa e mangësi.
A ekzistojnë ilaçe të garantuara në një vend si Shqipëria, për t’u shërbyer siç duhet pacientëve?
Nuk jap dot një përgjigje me kompetencë për këtë çështje. Në Klinikën e Dermatologjisë në QSUT, zbatojmë protokolle mjekimi të aprovuara nga OBSH-ja, gjejmë alternativa në raste (jo të rralla) mungesash, duke besuar fort që me pjesën e kontrollit të cilësisë dhe garancisë, merret një grup specialistësh, po kaq i përkushtuar sa mjekët kurues. Në raste të veçanta, kur medikamentet nuk janë në Shqipëri, sot ekziston mundësia e marrjes jashtë vendit. Por, jo rrallë, pacientët kërkojnë vetë një recetë për jashtë, sepse nuk u besojnë medikamenteve që hyjnë në Shqipëri. Nuk dua të bëj analizë të këtij problemi të vjetër në fakt, por që ka shumë të vërteta brenda.
Cilat janë sëmundjet që ju hasni më shumë dhe cilat prej tyre janë 100 për qind të trajtueshme?
Është statistikë e vështirë, por në përgjithësi varet nga stina. Shumë patologji që shfaqen në stinën e pranverës kanë në bazë alergjitë. Në stinën e verës shtohen infeksionet e lëkurës, qoftë mykotike, virale apo mikrobike. Në stinët e ftohta, shtohen patologjitë që kanë lidhje me hiperkeratizimin, për arsye të tharjes së lëkures, etj. Patologjitë e lëkurës janë të gjitha të trajtueshme, por jo të shërueshme. Shumë nga ato janë kronike, ndaj duan trajtim dhe durim. Unë ju them gjithmonë pacientëve, të cilët duan të shërohen me një vizitë, që dhe sëmundjet e lëkurës janë si ato të organeve të tjera, janë kronike.
A jeni e kënaqur me profesionin që keni zgjedhur?
Une e dashuroj punën që bëj! Më pëlqen pa masë puna në pavijon me pacientët, kënaqësia që marr nga falenderimet dhe shpresa që shoh në sytë e tyre. Puna e mjekut është art më vete. Kush arrin ta zotëroje këtë fuqi, është me fat.                          
Nuk është ajo që ëndërroja në bankat e universitetit. Të gjithë në vitet ’90 kërkonim specialitete të forta; kirurgji, kardiologji, gjinekologji…(qesh). Më vonë, edhe ne kuptuam kapitalizmin dhe tregun e punës. Dermatologjia kishte hapësirë, ishte në kulmin e zhvillimit të saj dhe kërkesë në mjekësinë shqiptare. Përfshirja e Dermatologjisë estetike, e bën më të plotë, më atraktive dhe pse jo, edhe më fitimprurës profesionin tim. Por, unë nuk e kam fshehur asnjëherë, që për mua patologjia është primare dhe më e bukura pjesë e dermatologut.

Ju i keni trashëguar profesionin tuaj, vajzës Adës, e cila sapo është diplomuar në universitetin prestigjioz, “La Sapienza”, Romë. Pse kjo zgjedhje dhe ishte ndikimi juaj, apo zgjedhja e saj ishte e pavarur?                                                    
Ka qenë zgjedhja e Adës. Unë mesa duket isha model i saj në familje, jo babi që merrej me politikë (Pal Dajçi, ish-prefekt i Lezhës, ish-deputet dhe funksionar i lartë i PD). Të tre fëmijët, ne i kemi mbështetur në atë, që ata kanë zgjedhur të bëjnë. Edhe iniciativa për të studiuar jashtë, ka qenë e Adës. Unë kam qarë çdo ditë, kur m’u largua vajza në Itali, sidomos vitin e parë. Atje punohet fort, por shpërblehesh po fort. Gjatë të gjitha viteve të studimit, Ada ka siguruar bursë nga shteti Italian, në bazë të rezultateve në universitet. Ajo ka trashëguar profesionin tim, por jam e sigurtë që do të jetë shumë më e zonja, falë shkollës, por dhe edukatës së punës atje.
Unë e di që lidhja juaj me fëmijet është e fuqishme. Kështu, është ndoshta për çdo prind, por ju e keni më të vënë në pah këtë gjendje tuajën. Mund të më thoni, si ishte dita e diplomimit të Adës?
Nuk mbaj mend akoma, të kem qenë ndonjëherë më e lumtur se më 21 Mars 2017! Në fillim ishte ankthi, si do të prezantonte Ada punimin e saj. Ishte e vetmja studente jo italiane, në 17, që lauroheshin atë ditë. Por, kjo nuk u ndje as në prezantimin e saj dhe as në vlerësimin maksimal nga profesorët italianë.                               
Kuptohet që mami e ka pritur mes lotëve dhe gjithë ankth vlerësimin, por të gjitha harrohen në një minutë dhe shpirti të mbushet me gëzim të pamatë. Ina, vajza e dytë që studion në Amerikë, kishte ardhur vetëm për një natë, si suport për motrën dhe u largua në aeroport, sapo Ada mbaroi prezantimin. Nuk kishte mundësi të priste vlerësimin. Vetëm, pasi u dhanë rezultatet dhe mbaroi festa e Adës, ne u kujtuam që nuk ishim çmallur me Inën. Unë kisha përgatitur kurorën me degët e dafinës të marra në kopshtin e prindërve të mi, me dashurinë që ndoshta nenat përgatisin kurorat e dasmës, por unë nuk e di nëse do të ndihem kaq e emocionuar, kur të martohet Ada. Sa herë hap fotot e asaj dite, lumturohem sërish dhe më duket arritja më e madhe në jetën time.
A ju ndodh, kur ju si një dermatologe tashmë me vite eksperiencë në supe, të liheni në hije, e pacientët të duan të vizitohen te Dr. Ada, pasi ajo ka studiuar jashtë? Apo, siç thoni ju (me humorin tuaj, që kushdo që ju njeh, e di fare mirë, se për çfarë po flas), ajo vjen nga jashtë shtetit dhe i duhet besuar më shumë?                                
Kjo na ka ndodhur, kur Ada është në Shqipëri dhe punojmë bashkë në klinikë. Mua më bëhet zemra mal! Sapo bëhet njoftimi në rrjetet sociale për doktoreshën nga Italia, të gjithë zgjedhin Adën, madje i vijnë dhe me buqeta me lule (hahaha, mikeshat e klinikës). Jashtë shakasë, edukata e punës së tyre është për t’u patur zili. Nga ana tjetër, unë e konkurroj doktoreshën nga Italia me eksperiencen time të gjatë. Besoj shumë, që jemi një dyshe e fortë dhe do të jemi gjithnjë e më të suksesshme.
Kur je në këtë dyzimin mes dermatologjisë, që keni mësuar ju, tradicionales, apo modelit lindor, në një vend si Shqipëria dhe asaj të Adës, që sjell një model më evropian, e diplomuar në Romë, aty ku shumëkush do ta kishte zili, cila do të ishte zgjedhja jote?                  
 Shkolla lindore ka qenë shumë didaktike, shumë strikte, por e saktë. Perendimorët janë më të hapur, më praktikë dhe kjo i bën më elokuentë dhe të pëlqyeshëm. Kuptohet që zgjedhja që ka bërë Ada është ëndrra ime e realizuar tashmë. Universiteti ku ka studiuar ajo, është një ndër më të mirët në Evropë dhe botë. Profesorët e Adës, një javë jepnin leksione në “La Sapienza”, e një jave në Yells. Shumica e tyre merreshin me kërkime të mirëfillta shkencore, por janë shumë njerëzorë me studentët dhe mjekët e rinj.
Ju, përveç kontributit tuaj, si mjeke dermatologe prej vitesh në QSUT, njiheni edhe përmes klinikës tuaj private “Skin Blossom”. A do të dëshiroje që Ada një ditë të kthehej dhe të trashëgonte një klinikë, të cilën ju e keni ngritur pa dyshim me shumë mund?
Që mundi i prindërve t’u trashëgohet fëmijëve, është lumturi për prindërit dhe përgjegjësi për fëmijët. Ngritja e klinikes “Skin Blossom” është një investim, energji dhe dashuri e gjithë familjes. Duke filluar nga arredimi, pikturat, faqja në fb dhe istagram, çdo gjë është e të pestëve bashkë. Tani për tani, nuk e mendojmë kthimin e Adës, por bashkëpunimin italo-shqiptar PO…(qesh). Ajo i ka të qarta synimet dhe kërkesat për veten. Por, që klinika do të jetë në duart e saj, kjo është e sigurt. Dy fëmijët e tjerë kanë zgjedhur profesione të tjera: Ina studion arkitekturë, Juli drejtësi dhe shkenca politike (si babi).

***
Dr. Ada, ju tashmë, sapo jeni diplomuar në një universitet prestigjioz në Itali. Si fillim, do të doja t’ju pyesja, si ishte për ju kjo eksperiencë. Si erdhi konkurrimi, studimet, sa vite zgjati? Përshëndetje! Të zgjedhësh të studiosh jashtë vendit, është shumë më shumë se vetëm shkollë, sepse të duket sikur ti fillon një jetë të re dhe paralelisht, ke jetën tënde të mëparshme. Nuk është e thjeshtë, por as e pamundur. Unë zgjodha të studioj në “La Sapienza”, sepse mbahet si një nga universitet më të mirë në Evropë e në botë, sidomos fakulteti i Mjekësisë. Gjatë 6 viteve të studimit, kuptova edhe arsyen (qesh). Konkursi bëhet në shtator të çdo viti dhe është provimi më i vështirë i pranimit në universitetet italiane. Kjo do të thotë, që duhet një përgatitje e fortë përpara.
Për të gjithë ato/ata që duan të zgjedhin të njëjtin rrugëtim si ju, ua rekomandoni?
Patjetër, duhet ta bëjnë. Mjekësia do shumë vullnet, pak zgjuarsi dhe shumë shkathtësi për të mesuar sa më shumë gjëra, kur të jepet mundësia. Nuk jam as e para, as e fundit të kem studiuar e mbaruar në kohë në “La Sapienza”, studentët e mjekësisë këtu shkëlqejnë të gjithë!
A do ishte zgjedhja juaj “një mision i pamundur”, nëse nuk do të kishit në krah familjen?
Mua familja m’i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe me siguri, nuk do të kisha bërë një jetë kaq të qetë këtej, pa ata! Le të themi, që jam me fat që kam një familje të tillë, megjithatë ka plot studentë në Romë, që ia dalin vetëm me bursat e universitetit.
Çfarë është për ju Dermatologjia? A ekziston mundësia që kjo degë e mjekësisë të ketë evoluuar aq shumë, saqë të jetë në gjendje, jo vetëm të kurojë e trajtojë ato problemet rutinë, por të ndalojë rrudhat, plakjen, të korrigjojë deformimet e lindura, etj?
Për mua, Dermatologjia është një nga degët më të bukura të mjekësisë, por jo vetëm kaq. Lidhja që kam unë me të, është dhe lidhje sentimentale, pasi fakti që unë kam zgjedhur të ndjek hapat e mamit, më lidh akoma më shumë dhe i jep një nuancë dashurie. Përsa i përket evoluimit të kësaj dege, Dermatologjia (si të gjithë degët e tjera të mjekësisë) është gjithmonë në evoluim; kuptohet që të ndalosh rrudhat dhe plakjen është ende e pamundur, sepse do të thotë të bëhesh i pavdekshëm, por jemi në fazën ku zbulimet në këtë fushë lejojnë arritjen në pleqëri me pak rrudha, ndërsa korrigjimi i deformimeve të lindura është i hershëm, tashmë perfeksionohen teknikat.
A ka zbulime të reja, në këtë lloj shkence?
Zbulime të reja ka plot! Për shembull tema e mbrojtjes aë diplomës sime është një zbulim i ri, që kur të jetë koha e duhur, do t’jua tregoj (qesh)…
Po disa këshilla, mund të na japesh, se si duhet ta trajtojmë lëkurën tonë, le të themi fytyrën, me disa hapa. Dmth, si duhet trajtuar lëkura në çdo ditë tonën, të zakonshme? Si t’i shmangim gabimet, që ne mund t’i bëjmë rëndom?
Një ditë rutinë duhet të fillojë gjithmonë me larjen e fytyrës me një larës të përshtatshem për tipin e lëkurës, më pas një krem hidratues që ushqen lëkurën. Duhet të shmanget make-up-i i rëndë, sepse shkakton mbyllje të poreve dhe lëkura nuk merr dot frymë. Dhe, gjithmonë para se të shtriheni në darkë, mos harroni pa hequr make up-in. Për më të kujdesshmit, unë do të këshilloja kremin e syve të natës.
Po, edhe një këshillë, cilat janë ato trajtime, qe ne nuk duhet t’i neglizojmë kurrë te dermatologu? Dhe, cilat janë ato gjendje të lëkurës apo shenja, që ne nuk duhet t’i lëmë kurrë pas dore?
Trajtimet estetike janë të pafundme tek një dermatolog, për shembull tani është sezoni i peelingut kimik, një mënyrë e jashtëzakonshme për të ripërtëritur lëkurën nga qelizat e vdekura dhe nga shenjat e ndryshme.
Përsa u përket shenjave disi më të rrezikshme, unë do të përqendrohesha tek nishanet, sidomos në moshat 30-50 vjeç, që përket me incidencën më të lartë të kancerit më të ‘fshehtë e të rrezikshëm’ në botë, melanoma. Në moshat më të reja, shenjat e akneve bëhen problem në qoftë se pacienti nuk ndiqet nga një dermatolog dhe në moshat e mëdha, çdo shenjë e re në lëkurë, sidomos me rritje të shpejtë, duhet të jetë një sinjal për të bërë një vizitë dermatologjike.
Tani, që tashmë jeni diplomuar, cili është hapi tjetër, që do të bëni për t’u rritur në karrierë? A e shikon veten të punësuar në Itali, le të themi në sistemin e tyre publik, apo kjo është e pamundur për të huajt? Ju si e keni gjetur rrugën për të punuar atje?
Pas diplomimit, hapi tjetër është Provimi i Shtetit për të marrë licencën e mjekut. Unë tashmë gjendem në fazën e tretë, dmth të përgatitjes për provimin e specializimit. Le te themi që punësimi si specializant nuk është i pamundur, por është shumë i vështirë si për të huajt, e si për italianët vetë. E njëjta gjë ndodh dhe në hapin e 4, dmth të punësimit definitiv, pas specializimit. Por, për këtë do të flasim pas ca vitesh, sepse mjekësia nuk mbaron kurrë (qesh).
Mund të na tregoni si ishte dita e diplomimit tënd. Ngjarjet, emocionet, dhuratat, urimet?
Dita e diplomimit ka qenë një vorbull me emocione, një ndër ditët më të bukura në jetë! Nuk jam në gjendje të përshkruaj mirë dhe me detaj, pasi për mua ishte si një ëndërr. Pjesa më e bukur kuptohet për një student, që i përkushtohet shkollës me mish e me shpirt, siç kam bërë dhe unë, është rezultati dhe ajo shprehja e famshme italiane “la dichiaro dottoressa in medicina e chirurgia”, sepse do të thotë që më në fund, mbaroi (qesh). Normalisht isha shumë e lumtur dhe krenare për veten, për emocionet dhe kënaqësinë që lexova në sytë e prindërve dhe familjarëve të pranishëm, shoqeve e shokëve (kishin ardhur të gjithë!)
Si e shikoni jetën mes Tiranës e Romës? Unë e di që ju keni zgjedhur të jetoni andej, por pse e keni bërë një zgjedhje të tillë. “Minuset” që të ofron Shqipëria i dimë, një vend i vogël, me një treg të vogël, po “pluset” cilat ishin?
Siç thashë në fillim, deri para pak kohësh, më dukej sikur kisha një jetë tjetër paralele. Tani gjërat kanë filluar të ndryshojnë, sepse jam mjeke në Itali dhe kur vij në Shqipëri, punoj në klinikën e Dr. Violetës (qesh) po prapë si mjeke, më në fund duket sikur çdo gjë po merr formë. Kam zgjedhur të qëndroj jashtë, sepse dua të kem një formim sa më të mirë dhe pse jo, me një pagesë që është shumë herë më e lartë se në Shqipëri. “Plusi” më i madh i Shqipërisë për mua është që po të rrija këtu, do të isha pranë familjes dhe do të punoja me mamin, gjithsesi për momentin kjo mundësi është lënë mënjanë.
Ky në fakt është një lajm i keq për ne shqiptarët, pasi kemi minus një DOKTOR. Një gjendje alarmante ikjet e mjekëve nga Shqipëria vitet e fundit. Por, a mendon se do të kesh një mundësi që dijet e tua, t’ja kthesh në njëfarë mënyre vendit tënd? Apo nuk është ky momenti për të bërë atdhetarin etj, etj?
Unë, kur vij në Shqipëri, përpiqem gjithmonë të punoj dhe të ndërgjegjësoj pacientët me mënyrat e rregullat e jashmte, besoj që sa herë të kem mundësi, do të vazhdoj ta bëj. Unë e dua Shqipërinë dhe në qoftë se një ditë do ketë kushte e mundësi të ofrojë dhe vendi ynë për ne, po, mund të kthehem.
Ju Faleminderit
Faleminderit ju! Jeni shumë e mirë. (Buzëqesh)… 

 
DR.VIOLETA DAJÇI
KLINIKA “SKIN BLOSSOM”
Rruga: “Sami Frashëri”, përballë shkollës “Petro Nini”, Tiranë
Tel. 0692498104
Fb. Klinika s.blossom
email: violetadajci@live.com
Shperndaje lajmin Dr.Violeta & Ada Dajçi/ Dermatologet nënë e bijë: Kur lëkura “lutet” për ndihmë, por ju nuk e kuptoni appeared first on SuperShendeti.