Klerikët fetarë të komuniteteve në vend dhe politikanët dënuan programin e partisë ekstremiste

Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (Afd), miratoi dje manifestin e saj, i cili bazohet në politikat anti-islame. Ndërkohë, krerët e komuniteteve fetare në vend e kanë cilësuar këtë dokument, si të kundërligjshëm dhe e dënuan me forcë. Por anëtarët e kësaj partie, e cila ka fituar mbështetës në muajt e fundit, si pasojë e dyndjes së emigrantëve myslimanë në Gjermani, të cilët u larguan nga vendet në rrezik, kanë duartrokitur dhe mbështetur manifestin. I vetmi delegat, i cili kërkoi që të ketë më shumë bisedime me grupet islamike lokale, u vërshëllye dhe kundërshtua me zhurmë. Në samitin e partisë, delegatët miratuan ndalimin e mbajtjes së burkës si dhe shpallën të paligjshme xhamitë në Gjermani. Sipas Afd “islami nuk është pjesë e Gjermanisë”. Punimet e samitit kanë sjellë trazira në Shtutgart, ku qindra protestues të majtë tentuan që të mos lejonin anëtarët e Afd-së që të merrnin pjesë aty. Kjo solli përplasje mes tyre dhe policisë, si dhe disa qindra të arrestuar në këto 48 orë. Në terren ishin rreth 1 mijë agjentë. Ndërkohë, në një faqe interneti të majtë u publikuan të dhënat e mbi 2000 anëtarëve të kësaj partie të ekstremit të djathtë. Kryetari i Këshillit të Myslimanëve të Gjermanisë, Aiman Mazyek, deklaroi se axhenda “islamofobe” e kësaj partie nuk ndihmon aspak në zgjidhjen e problemeve. Sipas tij, në këtë mënyrë nuk bëhet asgjë tjetër, veçse do të përçahet edhe më shumë shoqëria. Edhe lideri i Shoqatës së Hebrenjve në vend, Joseph Shuster, kritikoi manifestin. Ai tha se politikat antiislamike të Afd-së tregojnë për jotolerancën e kësaj force politike dhe një mungesë të thellë respekti ndaj minoriteteve fetare. Politikania konservatore Gerda Hasselfeldt, u shpreh se asnjë parti demokratike nuk do të bashkëpunonte me lideren e Alternativës për Gjermaninë, Frauke Petry. Për një nga pikat e manifestit që thotë: “Feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë”, që ndodhej në programin e Afd, pati pakënaqësi në mbarë vendin. Sa i përket fluksit të emigrantëve dhe shtimit të rrezikut të sulmeve terroriste si pasojë e ekstremistëve të cilët futen brenda unionit të kamufluar, Gjermania dhe disa vende të tjera të BE-së po planifikojnë t’i kërkojnë Komisionit të BE-së vazhdimin e kontrolleve kufitare brenda zonës së Shengenit për gjashtë muaj. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjermane, Tobias Plate, thotë se letra u dërgua të hënën, duke kërkuar vazhdimin e kontrolleve në kufirin gjermano-austriak. Plate thekson se kontrollet nuk do të jenë të vazhdueshme dhe se ato mund të hiqen kur siguria e kufijve të jetë e plotë. Ai shton se në rast se KE-ja e pranon këtë kërkesë, kontrollet në disa vende të cilat janë pjesë e Schengen-it mund të vazhdojnë edhe për 6 muaj. Zëdhënësi hodhi dritë edhe në lidhje me pretendimet për fëmijët refugjatë sirianë që kanë humbur në Gjermani. Ai deklaroi se fëmijët, të cilët kanë lënë kampet dhe kanë shkuar pranë të afërmeve të tyre në Gjermani, nuk janë çregjistruar nga vendet ku rrinin, dhe për këtë arsye, ata konsiderohen si të humbur. Kurse kreu i shërbimit të zbulimit gjerman, Hans-Georg Maassen, deklaroi në konferencën e Zyrës për Mbrojtje të Rendit Kushtetues të zhvilluar dje, se sulmet vdekjeprurëse në Paris dhe Bruksel treguan kompleksitetin e lartë të natyrës së kërcënimit terrorist në Europë. Maassen tha se disa prej ekstremistëve kanë arritur në Europë përmes valës së emigracionit. “Agjencia gjermane e zbulimit tani duhet të marrë në konsideratë skenarë të shumtë të sulmeve të mundshme terroriste. Rreth kësaj, më mund të ndihmojë bashkëpunimi ndërkufitar në shkëmbimin e informacioneve”, u shpreh ai.

6 COMMENTS

  1. … [Trackback]

    […] There you can find 78871 additional Information on that Topic: epavarura.com/e-gjithe-gjermania-kunder-manifestit-islamofob-te-afd-se/ […]

Comments are closed.