Kur kryqtarët e parë u rikthyen në Europë nga Toka e Shenjtë në fundin e shekullit 11, ata sollën me vete diçka të rrezikshme: jo një sëmundje apo armë, por një formulë matematike – një formulë që shkaktoi luftëra, rrëzoi sundimtarë dhe tronditi strukturat e pushtetit të kontinentit.

Analiza e shpeshtësisë, e cila përdorej si një ndihmë për të thyer kodet e lashtë, mund të përdorej për deshifrimin e të gjithë kodeve të njohur në atë kohë. Kjo nënkuptonte se letrat e koduara – që kalonin nëpër duart e dhjetëra korrierëve dhe marinarëve në Mesjetë – krejt papritur nuk ishin më aq të sigurta sa më parë. Askush nuk mund të thoshte se kush e kishte lexuar letrën e tyre, para se të dorëzohej. Kjo ishte një fatkeqësi për elitën sunduese të Europës – nuk kishte alternativë, por të vazhdonin të dërgonin mesazhe mes papëve dhe mbretërve. Nevoja është mëma e shpikjes dhe ajo gjë që i nevojitej dëshpërimisht klasave sunduese ishte një sistem i ri kodimi.

Në këtë klimë, studiuesi Leon Battista Alberti u porosit që të shpikte një mënyrë kodimi për papatin. Shumë shpejt ai siguroi një disk me një kod revolucionar që përbëhej nga dy disqe rrotullues, një kod-thyerës për shumë alfabete që ishte shumë përpara për kohën e vet. Disku tregon se cila gërmë do të zëvendësohej me një tjetër. Përdoruesi merr një kod të ri thjeshtë duke përshtatur disqet. Që sistemi të funksionojë, marrësi duhej të kishte një disk identik – si dhe udhëzimet. Kjo gjë mund të përcaktohej gojarisht më përpara, ose mund të tregohej përmes gërmës së parë të korrespondencës së koduar.

Për shekuj të tërë, ky disk konsiderohej i pathyeshëm – dhe i dha Vatikanit një avantazh shumë të madh strategjik. Duke përdorur mbrojtjen që ofronte kjo metodë kodimi, papat ndikonin në politikën e Europës, pretendonin toka dhe qytete, vinin mbretërit nën presion dhe eleminonin armiq të fuqishëm – duke e ndryshuar përgjithmonë Europën.

7 COMMENTS

Comments are closed.