25 vjet nga rënia regjimit të Enver Hoxhës, në Shqipëri ekziston një e Majtë e Re, e përfaqësuar nga Organizata Politike. Një e majtë që s’ka të bëjë as me diktaturën e vjetër, as me kastat partiake 25-vjeçare. Pikëtakimi i tyre është qendra sociale “Logu i Shkëndijës”. Partitë e ekzistuese e vëzhgojnë këtë lëvizje, sepse e ndjejnë gjithnjë e më shumë si kërcënim – njofton radioja publike gjermane (“Deutschlandradio Kultur”).

Tirana, një qytet i rrethuar me kodra, shumë trafik, shtëpi me ngjyra. Aty diku gjendet qendra sociale “Logu i Shkëndijës”, një shtëpi e vogël për një familje. Këtu angazhohet 28-vjeçarja Deni. Ajo punon për një organizatë suedeze për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe e llogarit veten si pjesë të së Majtës së Re. Prej vitesh ajo lufton, veç tjerash, kundër privatizimit të universiteteve.

“Kemi filluar t’i informojmë studentët mbi ligjin e ri dhe njëkohësisht kemi mbajtur tubime publike. Atje po ashtu kemi filluar të flasim për universitetin që duam dhe jo vetëm për dëmet që mund të sjellë ligji i ri. Kemi pyetur veten: cila mund të jetë alternativa që mund ta ndërtojmë së bashku?”

Shumë të rinj iu bashkuan Denit dhe shoqeve/shokëve të saj. Qendër dhe pikëtakim i të Majtës së Re në Shqipëri është “Logu i Shkëndijës”. “Është për të qeshur, ama në fillim njerëzit merreshin me thashetheme, pyesnin se ç’ishte ajo shtëpi, ç’po ndodhte aty. Disa mendonin se ishte shtëpi publike, të tjerët kujtonin se ne ishim një bashkësi fetare. Pastaj ata panë fytyrat tona në televizion, për shembull kur raportohej për protestat. Tani ata janë shumë të përzemërt, fqinjët janë vërtet të sinqertë. Nuk bëjnë gjë kundër nesh, nuk ankohen për zhurmën, sepse nganjëherë bëjmë tepër zhurmë.” – thotë Deni.

Por jo të gjithë janë kaq të përzemërt. “Policia është punë tjetër, e sidomos kohëve të fundit që kemi qenë aktivë në shumë protesta. Jemi një nga grupet që në çdo protestë qëndrojnë në vijën e parë – si organizatorë apo si pjesëmarrës. Por nuk kemi frikë, sepse mbrojmë kauza të drejta dhe nuk kemi asgjë për të fshehur”.

Gjithçka filloi para pesë vitesh, më 21 Janar 2011, kur për shkak të një demonstrate të fuqishme pas një afere korruptive u vranë katër opozitarë në bulevardin kryesor të Tiranës. U vranë me urdhër të qeverisë së atëhershme.

“Ky ishte një nga momentet kur kishe ndjenjën se nuk je askush. Mund të të bënin gjithçka, të të plaçkitnin, të të vrisnin në rrugë dhe askush nuk do të pyeste mbi drejtësinë shoqërore. Sepse ty s’të përfaqësonte askush, sepse për ty nuk interesohej askush”.

Atëbotë shumë njerëz ishin të dekurajuar, por jo të rinjtë e “Logut të Shkëndijës”.

Një prej tyre është Bora. Kjo studente 23-vjeçare kalon shumë kohë këtu. Diskutimet politike, si ky që po zhvillohet sonte, janë të popullarizuara thotë ajo. Ky është vendi i vetëm në Tiranë ku zhvillohet diçka e tillë.

“Nuk organizojmë vetëm takime te qendrën sociale, por punojmë edhe në universitet dhe organizojmë protestat e studentëve kundër reformës së sistemit të lartë arsimor dhe zhvillojmë intervista për një studim mbi kushtet e punës në fabrika të ndryshme. Tashmë 24 orë në ditë jemi të zënë me këto punë, jo vetëm me qendrën sociale. E gjithë kjo nganjëherë është mjaft e komplikuar, por së paku një herë në javë organizojmë diçka këtu”.

Ata organizojnë mbrëmje në të cilat shfaqen filma ose dokumentarë, angazhohen për të drejtat e punëtorëve të fabrikave, diskutojnë për teoritë e majta, organizojnë ndeja. Por me të kaluarën e errët nën regjimin e Hoxhës, i cili orientohej nga Stalini, ata s’duan të kenë punë. “Stalinizmi sillte centralizim, represion, shkelje të të drejtave të njeriut. Çfarë kishim atëherë në Shqipëri ishte diktaturë”.

Popullsia e Shqipërisë sot vuan para së gjithash nga pasojat e privatizimeve dhe korrupsionit. Mes tjerash për këtë arsye për Denin “Logu i Shkëndijës” është një kundërpol që nuk mund të injorohet.

“Vitet e fundit jemi bërë protagonistë të mendimit publik dhe aksionet tona kanë jehonë. Mediat interesohen për ne dhe për atë se çfarë po bën e majta këtu. Ka kërkesë për fytyra të reja, zëra të rinj, mendim e artikulim të ri”.

– Ky artikull është botuar në gjermanisht në faqen e Deutschlandradio kultur. Versioni i këtushëm është saktësim dhe plotësim i përkthimit në shqip nga Dialogplus./ OP

1 COMMENT

Comments are closed.