Edi Rama, ka deklaruar se Perandoria Osmane ka qenë me korrekte në administrimin e pronave sesa qeveritë shqiptarë që nga viti 1990 e sot.

Në një aktivitet të rëndësishëm për çështjen e rikthimit të ligjshmërisë në tjetërsimin e pronave, Kryeministri deklaroi se është kryer një masakër e madhe në ndarjen dhe regjistrimin e pronave. Madje disa prona tha ai janë regjistruar ende pa u ndarë.

Duke krahasuar dy periudha të largëta historike, kreu i qeverisë shqiptare tha se Perandoria Osmane ka qenë më strikte dhe më korrekte në regjistrimin, ndarjen dhe administrimin e pronave, sesa qeveritë e periudhës 25 vjeçare.

Ndërkaq, Rama premtoi ndëshkime të rënda për të goditur çdo akt të falsifikuar dhe për t’u dhënë fund abuzimeve.

Kryeministri tha se autorët e grabitjes së pronës nuk do të mund të jetësojnë apo ta legalizojnë produktin e grabitjes.

“Mund të shpëtojnë nga ndëshkimi penal autorët e grabitjes, po nuk mund ta jetësojë produktin dhe nuk mund të legalizojë produktin e grabitjes. Pra, hajduti ka vjedhur, vepra është parashkruar dhe ajo që ka vjedhur i njihet atij si pronë. Për këtë arsye, marrëveshja e nënshkruar sot ka një rëndësi themelore për të finalizuar një rrugë që do të jetë pa dyshim jo e lehtë, një proces të neutralizimit të produkteve të veprës penale të grabitjes së pronës. Dhe kthimin e pronës tek i zoti shtet, apo tek i zoti, qytetar…”, tha Rama.

Ndaj, sipas tij “ana tjetër e medaljes është çelja e kësaj faze të dytë përmes një operacioni shumë të thellë dhe të sukseshëm të goditjes të çdo akti të falsifikuar që ka prodhuar përmes veprës penale një interes të paligjshëm. Dhënia fund e gjithë kësaj historie skandaloze tejzgjatje dhe zvarritje përmes procedurave ligjore dhe transparente ka parasysh goditjen e produkteve të veprës kirminale të tjetërsimit të pronës përmes falsifikimit”.

Për kryeministrin, më parë ka ekzistuar një sistem që ka siguruar një lidhje të shkurtër mes grabitësve, pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. “Procesi i tejzgjatur i kthimit dhe kompensimi të pronave nuk kanë bërë asgjë tjetër, përveçse ka krijuar kushte optimale për zgjerimin e këtij kanceri”, tha ai.

Drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit, Sonila Qato shprehu shqetësimin e konstatimit të përditshëm të rasteve të tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme me anë të falsifikimit të dokumenteve.

Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, tha se marrëveshja synon kthimin e ligjshmërisë në të drejtën e pronave.

Prokuroria e Përgjithshme, AKKP, Policia e Shtetit dhe Avokatura e Shtetit, firmosën një marrëveshje të përbashkët për bashkëpunim ndërinstitucional kundër abuzimit me pronat.

8 COMMENTS

Comments are closed.