OPINION/ANALIZË Politika

Edi Rama “zhyt” Shqipërinë, BE e quan “delja e zezë” e Ballkanit dhe e refuzon

Refuzimi i Shqipërisë nga disa prej vendeve më skeptike të zgjerimit të BE, ku hyjnë Holanda, Franca, Belgjika por dhe Gjermania që ka dy qëndrime, ka sjellë dhe “djegien” e Maqedonisë së Veriut. Skandaloz është etiketimi i Shqipërisë nga shumë vende anëtare të BE, si një “dele e zezë” e Ballkanit, një “arritje” që e kemi falë qeverisjes së Edi Ramës, i cili na ka “zhytur” thellë në llum.  “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, morën dritën jeshile nga ekzekutivi i BE për të hapur bisedimet e pranimit. Megjithatë, Shqipëria duket se është ‘delja e zezë’ e këtij dueti”, shkruan “EUROACTIV”, gazeta që përcjell qëndrimin zyrtar të vendeve të BE. Me “emërtesën” e re, Shqipëria nuk ka asnjë shans që të hapë negociatat me BE jo vetëm në qershor, por as në sezonin e vjeshtës së “provimit” politik. Përcaktuese është dhe kriza politike

 Vendet anëtare të Këshillit Europian pritet të mos e votojnë hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE këtë qershor.

Dy janë opsionet për Shqipërinë: vendimi për hapjen e negociatave në tetor të këtij viti ose një vendim i Këshillit të Ministrave të BE për vitin e ardhshëm.

Një shtyrje dhe një vit do përkeqësonte me të vërtetë situatën politike dhe shpresat e shqiptarëve do zeroheshin për një shans që të përgatiteshin realisht të hynin në familjen e madhe europiane.

Refuzimi i Shqipërisë nga disa prej vendeve më skeptike të zgjerimit të BE, ku hyjnë Hollanda, Franca, Belgjika por dhe Gjermania që ka dy qëndrime, ka sjellë dhe “djegien” e Maqedonisë së Veriut.

Disa prej vendeve europiane janë të mendimit se duhet të ndahet Maqedonia e Veriut nga Shqipëria, pasi ky vend ka pasur një ecuri mbresëlënëse, sidomos pas marrëveshjes së Prespës me Greqinë për çështjen e emrit, që e kishte bllokuar për 10 vite me radhë integrimin e saj.

Por shqetësues nuk është vetëm fakti i shtyrjes së negociatave të Shqipërisë me BE për në tetor apo dhe për qershorin e vitit të ardhshëm.

Skandaloz është etiketimi i Shqipërisë nga shumë vende anëtare të BE, si një “dele e zezë” e Ballkanit, një “arritje” që e kemi falë qeverisjes së Edi Ramës, i cili na ka “zhytur” thellë në llum.

Media e njohur e Parlamentit Europian “EUROACTIV” organizoi një debat para disa ditësh dhe pikërisht më 5 qershor, ku diplomatët dhe gazetarët folën lirshëm për ngurrimin e disa shteteve anëtare për pranimin e Tiranës dhe Shkupit në union.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria morën dritën jeshile nga ekzekutivi i BE për të hapur bisedimet e pranimit. Megjithatë, Shqipëria duket se është ‘delja e zezë’ e këtij dueti”, shkruan gazeta, e cila përcjell qëndrimin zyrtar të vendeve të Bashkimit Europian.

Diplomatët e BE i kanë thënë “EUROACTIV” se ditët e ardhshme pritet të ketë shumë presion mbi Komisionin Europian për ta bindur për “mbylljen e dyerve” dhe këtë vit për këto dy vende.

“Disa thonë nuk mendojmë se Shqipëria është gati të hapë negociatat në këtë fazë, edhe pse e pranojnë nevojën për të shpërblyer hapat e mëdhenj që Tirana ka bërë”, shkruan kjo media.

“Holanda, në veçanti, pritet të vështirësojë rrugën e Shqipërisë dhe po kërkon tashmë të rikthejë regjimin e vizave, mbi frikën e mafias shqiptare, që sipas saj, lëviz lirshëm në të gjithë BE”, thekson “EUROACTIV”.

Eshtë një etiketim i rëndë për Shqipërinë, çka tregon qartë se e keqja e madhe për shtyrjen e negociatave janë qeveria dhe politika shqiptare.

E themi këtë, pasi në këtë gazetë zyrtare që shpreh qëndrimin e BE thuhet se dhe situata politike e krijuar me daljen e opozitës në rrugë e jashtë institucioneve, protestat e dhunshme dhe mungesa e dialogut politik, kanë ndikimin e vet në krijimin e një perceptimi të zymtë për Shqipërinë.

Me “emërtesën” e re si “delja e zezë” e Ballkanit, Shqipëria nuk ka asnjë shans që të hapë negociatat me BE jo vetëm në qershor, por as në sezonin e vjeshtës së “provimit” politik./Pamfleti

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com