BOTA

Elbasan, inaugurohet gjimnazi i Fondacionit Turk Maarif

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2019-2020 në Shqipëri është inauguruar gjimnazi “IMSA High School Elbasan”, që administrohet nga Fondacioni Turk Maarif.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e shkollës që ndodhet në territorin e Bashkisë së Elbasanit, ishin të pranishëm përfaqësuesja e Fondacionit Turk Maarif, Prof.Dr.Aşkın Asan, nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Ervin Saraçi, koordinatori i zyrës së Fondacionit Maarif në Shqipëri, Fatih Cankurt, sekretarja e Përgjithshme e Prefekturës së Elbasanit, Eva Bica, prindër dhe nxënës.

Përfaqësuesja e Fondacionit Maarif, Asan, tha gjatë fjalës në ceremoni se synimi i tyre më i madh është që ta vazhdojnë vëllazërinë midis Turqisë dhe Shqipërisë.

“Ne besojmë se Fondacioni Turk Maarif rrit të ri shumë të mirë për të cilët e gjithë bota ka nevojë. Fondacioni Turk Maarif operon në 35 vende të botës, me 300 shkolla dhe me një numër afërisht 30 mijë nxënësish. Kjo do të thotë që ju jeni një pjesë e vogël e kësaj familje të madhe”, tha Asan.

Duke iu drejtuar nxënësve, ajo tha se, “Në mënyrë që ju të jeni sa më të suksesshëm të gjithë ne të punojmë së bashku. Ne ofrojmë programet më të mira në mënyrë që t’ju vijmë në ndihmë”.

Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Ervin Saraçi, gjatë fjalës së tij u shpreh se, “Jemi krenar që kemi kontribuar në ngritjen e këtij bashkëpunimi që në fakt vazhdon prej kohësh dhe ky është vetëm një hap i radhës. Jemi të lumtur që ju jeni në Elbasan dhe Elbasani është një vend që e do arsimin, është një vend që me përkushtimin ndër vite i ka dhënë arsimit shqiptar shumë”.

Të pranishmit në ceremoni në emër të ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i përshëndeti këshilltari për çështjet e arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Atakan Doğan.

Në emër të stafit të mësuesve të gjimnazit përshëndeti Elisabeta Myftari, e cila theksoi se në këtë shkollë, nxënësit do të gjejnë kushtet më të favorshme dhe maksimumin e përkushtimit të stafit pedagogjik.

“Premtoj se do të bëjmë më të mirën për çuarjen deri në fund të misionit të kësaj shkolle e cila hapet nën kujdesin e Fondacionit Maarif dhe me mbështetjen e fuqishme të shtetit turk, si vazhdim i bashkëpunimit të fuqishëm midis dy shteteve tona”, tha Myftari.

Ndërkohë sot filloi edhe procesi edukativ në kopshtin “IMS Farm Kindergarten Albania”.

Fondacioni Turk Maarif administron disa institucione arsimore në Shqipëri, si Universitetin New York Tirana dhe institucionet arsimore të lidhura me të, institucionet arsimore të sistemit parauniversitar, gjimnazin “New York High School”, shkollën 9-vjeçare “New York Basic Education” , “IMS Farm Kindergarten Albania” dhe “IMSA High School Elbasan”./AA

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com