REDI SHEHU

Ajo çka ndodhi në qytetin e Elbasanit, në ditën e ndeshjes mes Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Izraelit, ishte një përzierje mes shtetrrethimit dhe represionit, me justifikimin e parandalimit të akteve terroriste. Dita e ndeshjes ishte rasti tipik i provës së asaj që është thënë për të pafundmen herë mbi rrezikun real që një terrorizëm shkakton, atë të manipulimit të aktit apo tentativës terroriste nga establishmenti politik, për të arritur qëllime, të cilat shkojnë përtej vetë aktit të shëmtuar.

Pra, justifikimi terrorist shërben si perpetum mobile për të aktivizuar një makineri gjigante që justifikimin e kthen në politikë dhe ideologji, duke rrafshuar shoqëri të tëra ngado. Ky, në fakt, është akti i vërtetë dhe më i organizuar i terrorit, sepse e shndërron këdo në subjekt të identifikueshëm me të keqen. Në “Elbasan Arena” u luajt një ndeshje e sforcuar pa zemër dhe me një publik memec, me media të shastisura nga militarizimi i paprecedentë i një ngjarjeje sportive.

Në një pasdreke të bukur me diell të një dite vere, dy vite më parë, në një mot me shikueshmëri të admirueshme, bregut të detit, në rërën e ngrohtë, një ndeshje futbolli kishte pak kohë që kishte nisur të luhej nga disa fëmijë 10- vjeçarë në Gaza. Të rrethuar nga shikimi plot admirim i peshkatarëve të zonës, fëmijët po ëndërronin prej vërteti lirinë e të luajturit si bashkëmoshatarët e tyre kudo në botë. Ata nuk kishin asnjë polic apo forca speciale që t’i ruanin, me përjashtim të disa gazetarëve që ndodheshin në hotelin “Deira” aty pranë dhe babait të katër prej tyre që qeshte vazhdimisht me ta.

Pavarësisht kësaj, ata u vranë teksa luanin futboll, nga një anije ushtarake izraelite që patrullonte ujërat e Gazës. Predha e lëshuar prej tyre copëtoi 4 vëllezër dhe plagosi fëmijët e tjerë që tërhiqeshin zvarrë drejt hotelit ku gazetarët të tmerruar dokumentuan gjithçka. Pamjet e rënda morën dhenë dhe të gjitha mediat i transmetuan ato. Kurrë nuk u kuptua se pse ata fëmijë u vranë nga Ushtria izraelite, teksa luanin një ndeshje futbolli, ashtu sikurse kurrë nuk po kuptohet pse mijëra të tjerë bashkëmoshatarë të tyre vriten në atë vend nga e njëjta ushtri.

Ekziston një pikë ku racionalja tretet në humnerën e të palogjikshmes. Është pika kur mendon se e drejta dhe lumturia jote mund të ndërtohet mbi fatkeqësinë apo fatkeqësitë e tjetrit. Rrallë gjen njerëz në të gjithë globin, të cilët edhe pse në atë eklektizmin e tyre, të pretendojnë se nuk po punojnë me të vërtetën. Në fakt, e gjithë sfida e këtij rruzulli është pikërisht te përcaktimi i së drejtës konsensuale.

E, fatkeqësisht, kjo kurrë nuk duket se do të ndodhë për sa kohë irracionalja do të pushtojë terrene gjithnjë e më të mëdha. Kjo botë po bëhet përherë e më problematike, sepse secili sot pretendon të ndërtojë të vërtetën e vet duke asgjësuar të vërtetën e tjetrit. Shansin për ta bërë këtë e ka ai që ka forcën më të madhe, dhe për rrjedhojë, e vërteta tashmë nuk ka më atribut moral, e cila do të duhej të qëndronte e emancipuar nga rrethanat, por ajo merr ngjyrën e më të fortit, dhe kur e drejta qëndron te më i forti, atëherë irracionalja ka marrë dhenë.

Demonstrimi ushtarako-policor i ditës së ndeshjes dhe sidomos proporcioni i tij, ishte në kufijtë e irracionales, pikërisht sepse e vërteta ka kohë që interpretohet dhe merr ngjyrën e më të fortit. Fëmijët palestinezë që luanin futboll, menduan se ishin të sigurt, ngase ishin fëmijë, ndërsa në Elbasan, ne menduam se ishim të sigurt për shkak se jemi të rritur.

Të dyja palët gabuan, të parët u vranë fizikisht, të dytët u vranë moralisht e shpirtërisht nga i njëjti represion që përdor të njëjtin justifikim, në emër të luftës ndaj terrorizmit. Terroristët janë qenia më e urryer dhe më e neveritshme që mund të ekzistojë, ata vrasin, presin, arrijnë qëllimet e tyre përmes terrorizimit të të tjerëve, qoftë individualisht, qoftë kolektivisht. Aktet e tyre janë moralisht të pajustifikueshme, po përse ne i konsiderojmë aktet e tyre të ndryshme dhe masat që duhen marrë nga çdo akt i shëmtuar i kriminelëve të zakonshëm?

Pse përpiqemi t’i japim një veshje të ndryshme nga ordinerja dhe e neveritshmja, duke bërë në fund të fundit lojën e tyre? Terrorizimi është një strategji e cila, përmes frikës, ka si qëllim të dëmtojë dhe çekuilibrojë aftësinë e njerëzve për të gjykuar drejt dhe qartë, si dhe të dëmtojë kapacitetin e tyre për vetëkontroll. Në këtë kuptim terrorizmi nuk është vetëm mjeti në duart e terroristëve, por për shkak të efekteve të tij të sipërpërmendura, bën që pasojat e pasigurisë dhe frikës të përdoren pastaj si mjet nga aktorë të ndryshëm në nivele të larta, për të ndërtuar profilet e tyre, si dhe për të rreshtuar arritje politiko –ekonomike tashmë në nivel ndërkombëtar.

Një qeveri e pjekur dhe një partner i besueshëm e dashamirës, është pikërisht ai që di të bëjë dallimin mes rrezikut dhe masave ndaj terrorit dhe manipulimeve e përfitimeve në emër të tij. Në botë konsumohet shpesh irracionalja në emër të së vërtetës, dhe përsëri brenga më e madhe përplaset jo me vetë përpjekjen kundër irracionales, por me pafuqinë ndaj saj. Vërtet ne sorollatemi në pafuqinë tonë për ta shfronësuar të vërtetën e rreme nga piedestalet e arrogantëve dhe mendjemëdhenjve.

3 COMMENTS

Comments are closed.