BOTA

Erdogan: Turqia nuk e ka njohur dhe s’do ta njohë aneksimin ilegal të Krimesë

Erdogani organizoi një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas takimit që dy liderët zhvilluan në Kompleksin Presidencial në Ankara.

“Turqia nuk e ka njohur dhe s’do ta njohë aneksimin ilegal të Krimesë. Vazhdimi i ekzistencës së të afërmve tanë në vendlindjen e tyre historike, Krime, mbrojtja e identitetit dhe kulturës së tyre, ruajtja e të drejtave dhe lirive të tyre themelore, do të vazhdojnë të jenë përparësi e jona”, theksoi kreu i shtetit turk.

Ndërsa presidenti ukrainas falënderoi Erdoganin për politikën dhe qëndrimin e Turqisë lidhur me Krimenë, si dhe i bëri thirrje Rusisë që të veprojë në kuadër të së drejtës ndërkombëtare.

Volodymyr Zelensky theksoi se Krimea i përket Ukrainës dhe se vendi i tij do të gjejë një rrugë të përbashkët me Rusinë për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ai e përshkroi Turqinë si një “fqinj të mirë, mik të sinqertë dhe partner të rëndësishëm strategjik” duke theksuar rëndësinë e saj për marrëdhëniet me Ukrainën.

“Unë dua t’ju falënderoj për mbështetjen tuaj të vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, tha Zelensky duke iu drejtuar homologut turk.

Kreu i shtetit të Ukrainës vuri në pah se ai dëshiron ta bëjë vendin e tij një “qendër tërheqëse” për investitorët e huaj përmes reformave ekonomike dhe tregtare.

“Tregtia ndërmjet Turqisë dhe Ukrainës arriti në 4 miliardë dollarë në vitin 2018”, tha Zelensky dhe tërhoqi vëmendjen se kjo shifër nuk pasqyron potencialin e vërtetë të dy vendeve.

Ai nënvizoi se synimi i tregtisë së ndërsjellë turko-ukrainase është 10 miliardë dollarë dhe një marrëveshje e tregtisë së lirë do të stimulojë gjithashtu arritjen e këtij qëllimi.

“Unë dua të ftoj botën e biznesit turk në Ukrainë”, tha Zelensky duke ofruar garanci për një ambient të rehatshëm pune.

Lideri ukrainas po qëndron në Turqi për një vizitë dyditore dhe agjenda e tij përfshin gjithashtu një takim me patrikun grek të Fanarit, Bartholomeos, në Stamboll.

Ukraina mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare muajin e kaluar pasi Zelensky shpërndau Parlamentin (Verkhovna Rada) gjatë ceremonisë së tij të betimit në maj.

Zgjedhjet nuk u zhvilluan në Krime, gadishull në brigjet veriore të Detit të Zi, i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, si dhe në zonat lindore të Ukrainës, të cilat janë aktualisht nën kontrollin e separatistëve prorusë./trt

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com