Home / OPINION/ANALIZË / Festa – Festja – Triestja

Festa – Festja – Triestja

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Tri fjalët e mësipërme i përdor në vend të titullit, sepse më lehtësojnë shprehjen e mendimeve mbi zhvillimet më të fundit politike e diplomatike shqiptare. Me fjalën “festë” lidhen edhe disa shprehje frazeologjike shumë domethënëse. “Festa mbaroi, muzika pushoi” është një shprehje (më duket e huazuar) që në Shqipëri përdoret për të thënë në mënyrë figurative “hajdeni tani t’i vihemi punës se mjaft u zbavitëm”. Më 25 qershor 2017 qëlluan njëherësh dy festa të ndryshme, njëra fetare e tjetra politike. Veprimtaritë për Fitër Bajramit nisën me faljen në sheshin “Skenderbej” të saporindërtuar, falje e cila dukej si një përurim i dytë për këtë shesh. Kurse zgjedhjet, edhe pse u bënë në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe përfunduan pikërisht në ditën e Bajramit, përsëri nuk ishin bekim për shqiptarët.

Në këto zgjedhje pati si gjithnjë fitues dhe humbës të mëdhenj. E veçanta ishte se, ndryshe nga herë të tjera, pati zhbalancime disi paradoksale në mbështetjen për partitë politike garuese. Partia Socialiste e ruajti epërsinë e saj pa ndonjë rritje të ndjeshme në numrin total të votave. Megjithatë, PS-ja e fitoi të drejtën për ta qeverisur vendin e vetme, me qeveri njëngjyrëshe, duke shpëtuar kështu nga varësia që kishte në koalicionin qeverisës prej Lëvizjes Socialiste për Integrim të Ilir Metës, si dhe nga detyrimi për ta shndërruar në koalicion të mirëfilltë bashkëqeverisjen absurde politiko-teknike PS-PD, që lindi me marrëveshjen e mesnatës së 17 majit 2017 midis Edi Ramës e Lulzim Bashës. Këto zhvillime e përligjin vlerësimin se kryetari PS-së, Edi Rama, del si fituesi i madh i zgjedhjeve të 25 qershorit. Madje, ai është dy herë fitues, sepse gjatë fushatës zgjedhore e kërkoi me këmbëngulje këtë privilegj nga zgjedhësit dhe e siguroi të drejtën ta mbajë i vetëm timonin e qeverisjes për katër vitet e ardhshme. Kjo arritje, që dukej tejet e vështirë, qysh tani duhet ta bëjë Ramën “t’i vijë festja vërdallë” dhe jo të dehet nga suksesi e “ta vërë festen mbi sy”. Rama nuk mund të ketë më asnjë justifikim se e pengojnë të tjerët për t’i mbajtur premtimet që bën.

Zgjedhësit treguan se duan shtet të vërtetë, pushtet serioz dhe administratë të përgjegjshme, siç propagandon e premton Rama. Prandaj, siç duket, nuk i mbajtën mëri për shtrëngimet nganjëherë të tepruara e pa efikasitet, që sajoi ai gjatë katër vjetëve të kaluara. Zgjedhësit nuk u hakmorën ndaj Ramës, nuk ia plotësuan tangërllëkun Ilir Metës, as nuk dalldisën pas marrëzive të Lulzim Bashës, madje as nuk ua varën dinakërive të disa politikanëve pa personalitet, që i janë bërë rrodhe politikës shqiptare. Pra, zgjedhësit shqiptarë treguan më mirë se çdoherë tjetër se dinë të gjykojnë me gjakftohtësi, me maturi dhe me vetëdije më të ngritur politike. Qytetarët shqiptarë, si ata që votuan dhe ata që nuk votuan, treguan qartë se kërkojnë rregull, moral e disiplinë më të madhe në politikë dhe në punët e shtetërore.

Mbështetja që iu dha kërkesës së Ramës që të kishte 71 (mori 74) deputetë tregoi se shqiptarëve u janë neveritur qeveritë e koalicionit në Shqipëri, që vetëm të këqija i kanë sjellë funksionimit efikas të shtetit dhe demokracisë. Këtu qëndron vlera teorike e parimore dhe dobia praktike e goditjes së rëndë që iu dha rolit prej batakçiu politik që ka luajtur LSI-ja në bashkëqeverisjet pas vitit 1997. Këtu qëndron dhe e mira e disfatës që iu shkaktua Partisë Demokratike të Sali Berishës dhe të Lulzim Bashës, që përveç bashkëqeverisjeve të këqija kur ka qenë në pushtet, përdhosi në mënyrë të shëmtuar edhe opozitarizmin gjatë katër viteve të fundit. Zgjedhësit ndihmuan më shumë se herë të tjera që politikëbërja në Shqipëri të pastrohet nga disa rriqra të korrupsionit, batakçillëkut e krimit që i ishin ngulur në lëkurë. Pavarësisht se lind një frikë e përligjur për autoritarizëm partiak e pushtetar të pushtetit të PS-së, e veçanërisht të Edi Ramës, në rrethanat e tanishme këto zhvillime duhen parë si mirëbërëse për njëfarë kohe për shoqërinë e shtetin shqiptar. PS-ja bëri mirë që partiçkat e krahut të saj politik i la jashtë parlamentit. Partia Demokratike gaboi rëndë politikisht që në listën e deputetëve të saj përfshiu politikanë të zhvleftësuar nga partitë e tjera. PD-ja bëri një veprim antikombëtar, që i mundësoi njeriut të Janullatosit dhe zëdhënësit më arrogantë të Greqisë në Parlamentin e Shqipërisë, kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, të hynte në sërish në parlament, kësaj radhe si deputet i PD-së, që kështu të qetësohej politika e Athinës.

LEXO EDHE  A e dinit që festa e 1 qershorit në Shqipëri ka lidhje me një ngjarje jo të mirë për shqiptarët?

Pas votimeve të 25 qershorit 2017 “mund ta vërë festen mbi sy” vetëm “partia e bojkotit”. Pjesëmarrja e më pak se gjysmës së të regjistruarve në listat e zgjedhësve, madje rreth 140,000 votues më pak se në vitin 2013, ishte zhvillimi më pozitiv në këto votime. Kjo rënie e re e pjesëmarrjes dëshmoi për një lëkundje më të fortë të besimit të njerëzve te partitë, të cilave elektorati “ua vuri festen sipas kokës”. E veçanta e reagimit refuzues të zgjedhësve kësaj here ishte se më shumë u ndëshkuan partitë dhe politikanët opozitarë. Partia Demokratike pësoi humbje të rëndë, duke marrë 200,000 vota më pak se katër vite më parë. Elektorati e ndjeu se Shqipëria kishte qeverisje të keqe, por ishte më i dëshpëruar se nuk shihte fare opozitë për të qenë. E theksoj me kënaqësi forcimin e kësaj prirjeje në elektoratin shqiptar, sepse është një formë proteste e pakontrollueshme nga politika e pushteti, që u ka mbetur njerëzve për t’i ndëshkuar partitë. Prej më shumë se 20 vjet jam i rreshtuar me vetëdije dhe pa lëkundje në “partinë e bojkotit”, për arsyet që i kam trajtuar gjerësisht pas votimeve të 24 qershorit 2001 në shkrimin “Pse nuk votova” (“Rimëkëmbja” 3 korrik 2001). Në të njëjtin numër gazete kam botuar shkrimin me titull “Udhëtim në xhunglën zgjedhore”, që edhe tani në vitin 2017 duket si analiza ime më e saktë e dukurive negative e shkaqeve të tyre që vazhdojnë të përsëriten në demokracinë e dështuar e të përdhosur zgjedhore në Shqipëri.

Edhe pas përfundimit të votimeve parlamentare muzikat acaruese të “festës politike” nuk i kanë ulur tonet. Garuesve në këto zgjedhje, si humbësve të mëdhenj dhe fituesve të mëdhenj, ka filluar tashmë “t’u vijë festja vërdallë” nga problemet që po dalin dhe nuk po dinë si të qetësojnë veten. Sali Berisha ka sajuar shprehjen pa kuptim “fituesit janë të humbur dhe humbësit janë të fituar”, që të krijojë përshtypjen se tani ai vetë e “ka kthyer festen mbi sy”. Në fakt, në shpirt i vlon mllefi që për herë të parë nuk ishte ai prijësi bubullues i fushatës zgjedhore të PD-së. “Fituesja-humbëse” e madhe, Lëvizja Socialiste për Integrim, po e përjeton me shumë dhimbje dështimin e parullës zgjedhore megalomane se “do të bëhej partia e parë” dhe kryetari i saj i ri, Petrit Vasili, më 26 qershor do të ishte kryeministër i vendit. Vota e shkatërroi shumë shpejt këtë skemë të ndërtuar kur në LSI ”ishin mendtë në tufë të festes”. LSI-ja mori vetëm 3 deputetë më shumë se kishte dhe mbeti shumë larg Partisë Socialiste. Kryetari i LSI-së, vetëm dy muaj pasi ishte emëruar nga Meta në këtë detyrë, u detyrua të jepte dorëheqjen, për t’ia lënë vulën e kryepartiakut Monika Kryemadhit, bashkëshortes së Ilir Metës. Kështu, zgjedhjet e këtij viti bënë që “t’u vijë festja vërdallë” edhe fituesve të pakënaqur dhe prodhuan në jetën e partive politike shqiptare dukurinë e shëmtuar të udhëheqjes dinastike familjare, dukuri që karakterizon edhe klanet që ngatërrojnë punët në PD.

Prandaj ka plasur një “avaz zgjedhor” i shëmtuar dhe i përçudnuar i organizimit tepër të nxituar të zgjedhjeve për kryetarin e Partisë Demokratike, pa bërë kurrfarë analize për humbjen në zgjedhjet parlamentare, pa respektuar as rregullat më elementare të demokracisë brenda partisë, njësoj siç ndodhi në vitin 2013. Ditën e votimeve parlamentare Lulzim Basha mori një goditje trullosëse të dyfishtë, partiake dhe vetjake. Prej javësh ai është tërësisht i çorientuar dhe përpëlitet kuturu që ta ruajë pozitën tij si kryepartiak dhe ta mbajë një rol në skenën shqiptare në të ardhmen. Bashës i dolën blof dhe iu kthyen si bumerang “zhurma çadriste” tremujore dhe shpallja e projektit absurd të “Republikës së re të Shqipërisë”. Tani Basha përpiqet të mbrohet me formulat qaravitëse që përdorte Berisha, kur PD-ja humbiste zgjedhjet se “ato nuk ishin të lira”, se “votat ishin vjedhur, blerë, shitur e grabitur”, se “rezultatet e votimit ishin tjetërsuar nga kundërshtarët”, ndonëse deri ditën e votimeve Berisha kishte premtuar se “vota ishte e garantuar”, se “kush luan me votën luan me kokën”. Bashën nuk e ndihmoi as marrëveshja që bëri me Ramën më 17 maj 2017 për qeveri të përbashkët. Tani Basha ankohet publikisht se atë marrëveshje nuk e paska dëshiruar, por ia imponuan amerikanët. Kështu, pasi “kësula (festja) e lavdisë së çadrizmit” i ra Bashës fare për tokë, ky nuk pati vullnetin të ulej e ta merrte si kësulën e tij, madje as ta shqelmonte menjëherë si kësulë që dikush ia kishte rrasur me zor në kokë. Në vend që të jepte dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e kryetarit PD-së, ai bëri gjestin më të pakuptimtë e qesharak politik, duke e shpallur veten “kryetar i ngrirë”, me shpresën se më 22 korrik 2017 anëtarësia e partisë do ta nxjerrë nga frigoriferi politik. Fare pak ditë kanë mbetur për të parë nëse kjo do të ndodhë.

LEXO EDHE  Greqi - Sot festa kombëtare. Incidente në Athinë, Selanik e Patras

Tani për tani shohim se anëtarësia e PD-së i ka humbur shumë aftësitë e ndjesitë reaguese dhe frymën qëndrestare demokrate të dikurshme. Gjatë tre muajve të çadrizmit kjo anëtarësi i kishte mundësitë të bindej se Basha “i kishte mend në tufë të festes” (rrinte sikur nuk është në tokë). Këtë e vërtetoi më së miri humbja e rëndë në zgjedhjet e 25 qershorit. Në gjendjen ku është katandisur PD-ja nuk mund ta rimarrë veten më duke rikonfirmuar si kryetar Bashën, politikanin meteor, të mbufatur vetëm me llafologji boshe çorientuese, e as duke e zëvendësuar këtë me Eduard Selamin, politikanin shtegtar, që në PD mund të sjellë vetëm një model të fishkur politikani e politike, pa shpirt e pa dinamizëm. PD-së nuk i bën dot derman as zgjimi i vonuar i “disidentëve” anti-Basha e të qesëndisësve të Selamit, që po grumbullohen sa për thënë se nuk po rrinë duarkryq në një “Lëvizje për ringritjen e PD-së”, të cilën e shpalli Astrit Patozi në Korçë një javë para votimeve të 22 korrikut. PD-ja do të kalojë në një gjendje më të rënduar dhe do të zvarritet si humbëse edhe në shumë fushata të tjera zgjedhore në qoftë se e kërkon rrugëdaljen duke u vërdallisur vetëm në këtë pellg uji politik të ndenjur e të ndotur. PD-së as mjekët Sali Berisha e Tritan Shehu nuk i bëjnë dot më operacion e reanimacion.

Anëtarësia e PD-së, sidomos ajo që ka mbetur në shpirt mbartëse traditash nga koha e idealistëve dhe qëndrestarëve të përkushtuar, duhet ta kuptojë se kriza e tanishme asgjësuese në PD nuk erdhi me Bashën. PD-ja po përjeton fazën më të acaruar të një krize politike që ka nisur qysh në ditën e themelimit të saj nga makinacionet e një grupi të deleguarish të Ramiz Aliasë, Partisë Punës dhe Sigurimit të Shtetit komunist për ta manipuluar Lëvizjen Demokratike Studentore, që po shpërthente fuqishëm në periudhën 8 dhjetor 1990 – 20 shkurt 1991. Berisha ka përgjegjësinë më të madhe për dështimin e tanishëm të PD-së, sepse për tri dekada e ka keqpërdorur rolin e tij komandues në PD. Goditjen fatale Berisha ia dha PD-së në vitet 2000-2001, kur shpalli “Fillimin e ri politik” si kapitullim para politikës së Greqisë dhe rigrumbulloi në PD gjithë skoriet e saj politike, ata që e kishin tradhtuar në ditët e vështira.

Prandaj nuk janë pa vend sugjerimet se PD-ja duhet ribërë, por nuk zgjidhet gjë thjesht duke ribërë me makiazh të ri Partinë Demokratike. Duhet ribërë opozita demokrate shqiptare, serioze, e panjollosur me mëkatet e PD-së, që janë bërë mal. Që të nisë mbarë puna e ngutshme e (ri)krijimit të opozitës, duhet zhbërë kjo Parti Demokratike, që gjoja ka sot Shqipëria. Objektivin madhor që shpall Edi Rama për pastrimin e pushtetit gjyqësor e për rindërtimin e administratës shtetërore, si rrugë për rimëkëmbjen e shtetit, duhet ta shpallin më me ngut demokratët e vërtetë në Shqipëri për rindërtimin e opozitës politike partiake që i duhet Shqipërisë. Prandaj, 4 vitet që na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 për opozitën e vërtetë shqiptare duhet të kthehen në vite të ndërtimit të saj nga e para, jo thjesht të riparimit të pjesshëm të PD-së ose të aleancave të saj të dështuara, të meremetimit të një opozitarizmi llafolog ose obstruksionist ndaj qeverisjes. Në qoftë se opozitarizmi ndaj qeverisjes socialiste do të mbetet në kuadrin e strategjive, taktikave, praktikave e metodave të deritanishme të PD-së, atëherë rreziku i autoritarizmit të pushtetit të PS-së e të Edi Ramës bëhet real për një periudhë të gjatë, siç ndodhi dhe në kohën e Partisë së Punës.

Të gjithë ata që deri sot kanë manipuluar PD-në dhe politikën nëpërmjet PD-së nuk mund të jenë më bartës të besueshëm të procesit të ndërtimit të opozitës së re në Shqipëri. PD nuk duhet të ringrihet nëpërmjet rrugës së “rinovimit” si Partia e Punës në vitin 1991, sepse mund t’i sjellë dëme edhe më të mëdha Shqipërisë sesa i shkaktoi rinovimi i Partisë së Punës, që ende nuk ka marrë fund në PS dhe në të majtën shqiptare. Shkrimtari Besnik Mustafaj, përfitues në maksimum nga PD-ja dhe kontribuues në minimum në jetën e luftën e kësaj partie, nuk mund të marrë në fushatën e tanishme të “Ringritjes së PD-së” rolin që pati shkrimtari Dritëro Agolli në qershor të vitit 1991 si figurë emblematike për rindërtimin e PPSH-së në kongresin e saj të dhjetë. Imitime të tilla dalin karikaturale dhe vetëm e rrënojnë opozitën shqiptare. Një opozitë politike e vërtetë mund të krijohet vetëm jashtë këtyre skemave imituese. Zgjedhjet e 25 qershorit këtë mësim japin dhe ofrojnë terren për qasje të reja.

LEXO EDHE  Festa e Kurban Bajramit, ALSAR 14 mijë pako për familjet në nevojë

Dy ditë pas zgjedhjeve partiake të PD-së, mund të përballemi me një episod tjetër të sherrit politik zgjedhor. Data 24 korrik 2017 është caktuar si dita për ceremoninë e kalimit të pushteteve e funksioneve presidenciale nga Bujar Nishani, që i përfundon mandati si kryetar shteti, tek Ilir Meta, që është zgjedhur për këtë post. Të dy këta duken të mërzitur. Nishanit nuk iu plotësua dëshira e madhe që shfaqte për t’u rizgjedhur, ndërsa Ilir Meta ka shfaqur haptazi mërzitjen e tij që e zgjodhën president. Gjatë fushatës zgjedhore ai shkeli çdo rregull, duke u vënë në krye të kësaj fushate për LSI-në, edhe pse nuk ishte më kryetar i saj. Sytë e mendja i kanë mbetur të gozhduar tek kolltuku kryeministror. Iliri është i etur, deri në pangopësi, për pushet real ekzekutiv e urdhërues, jo për pushtet më shumë ceremonial. Prandaj e bëri shumë shpejt manovrën që bashkëshortja e tij të ngjitej në rolin e kryepartiakes në LSI. Ilir Meta nuk e fsheh se ai uron që punët në politikën shqiptare të vërtiten në një mënyrë të tillë që ai të ketë rastin të “bëjë gjestin e fortë” (në dukje) të dhënies së dorëheqjes nga posti i presidentit, nëse i hapet rrugë që “për të mirën e stabilitetin politik të vendit” të ulet në kolltukun e kryeministrit. Iliri nuk ka ngurruar të kujtojë publikisht se ai mund të veprojë sipas metodës së presidentit fyromas, Gjorgje Ivanov, për të vështirësuar punën e mbledhjes së parlamentit të ri dhe të zyrtarizimit të qeverisë së re, që do të dalë prej tij. Pas këtyre deklarimeve, Ilir Meta u kërcënua publikisht nga PS-ja se mund të bëhet i pari president i shkarkuar në Shqipëri (PS-ja nuk e llogarit Berishën në vitin 1997, sepse në fakt ai u rrëzua me rebelim të armatosur dhe nuk u shkarkua ligjërisht). Edhe ndërrimi i presidentëve është kthyer, si asnjëherë më parë, në sherr më vete. Si të mos “i vijë festja vërdallë” të gjorit popull nga kësi mbrapshtish politike!?

Më 12 korrik 2017 në Trieste u bë mbledhja e radhës në kuadrin e “Projektit të Berlinit” për të ndihmuar që vendet e Ballkanit Perëndimor “të ecin pa pushim, por me maturi” drejt BE-së. Komentin tim të këtij mesazhi të përsëritur e kam bërë në shkrimin me titull “Dera hapur… hyrja nga oxhaku(!)” (“Shenja”, dhjetor 2012). Me rastin e takimit të Triestes në shtypin shqiptar e të disa vendeve të tjera, sidomos në Gjermani, është shkruar për synimet e diplomacisë së Brukselit që në Ballkanin Perëndimor të krijohet një “Jugosllavi e re”, fillimisht me pamjen e një zone të përbashkët ekonomike. Edhe në këtë pikë nuk po zgjatem se jam shprehur në shumë raste dhe posaçërisht në shkrimin “Europa kërkon Jugosllavinë e tretë” (“Shenja”, nëntor 2013). Ky projekt duhet të alarmojë shqiptarët. Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me njëfarë nervozizmi i ka cilësuar shkrime të tilla si “broçkulla”. Punët e këqija mund të nisin si “broçkulla” dhe të mbarojnë si “proçka”. Këto “broçkulla” nuk dëgjohen për herë të parë. Të tjerët i marrin më seriozisht ato dhe nxitojnë të lëshojnë mesazhe diplomatike lidhur me to. Më 13 korrik 2017 në Selanik u mblodhën udhëheqësit më të lartë të Serbisë, Bullgarisë e Greqisë “për ta forcuar bashkëpunimin dhe stabilitetin në Ballkan”. Simbolika e këtij takimi është se këto tre vende ballkanike çmojnë më shumë aleancën e përfunduar midis tyre në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, në tetor të vitit 1912, për copëtimin e trojeve shqiptare. Ka edhe arsye të tjera që kryeministrit shqiptar duhet “t’i vijë festja vërdallë” nga zhvillimet diplomatike në Ballkan dhe në Europë./ shenja

Check Also

Festa e Kurban Bajramit, ALSAR 14 mijë pako për familjet në nevojë

Pranë “Rrugës së Bogdanëve” në Tiranë, në katin e parë të një pallati të ri …

error: Mos kopjo, por shperndaje ;)