Festivali i Akullit dhe Dëborës në qytetin e Harbin në Kinë, ka përmbyllur punën për krijimin e skulpturave. 32 skuadra nga 10 vende morën pjesë në garën e krijimit të skulpturave më mahnitëse të akullit, të cilat do të qëndrojnë të ekspozuara deri në 25 shkurt. Festivali është një atraksion për shumë turistë nga e gjithë bota, të cilët mblidhen për të shijuar punimet e veçanta të akullit dhe pamjet e mrekullueshme dimërore që qyteti i Harbin ofron.

Qyteti i Harbin në verilindje të Kinës përmbylli punën për Festivalin e përvitshëm ndërkombëtar të Skulpturave të Akullit dhe Dëborës. Në këtë garë morën pjesë 32 skuadra nga 10 vende, duke përfshirë Kinën, Italinë, Kanadanë, Rusinë, Malajzinë dhe Japoninë. Duke filluar nga kështjellat e akullit deri tek maskotat, shumë nga skulptorët vendosën të lokalizonin punimet e tyre të artit – njëri prej tyre vendosi të gdhendte një skulpturë të një personi duke praktikuar Taichi.

“Ka shumë qarqe, për shkak të rrjedhës, dhe kështu do të jetë e vështirë sepse duhet të jemi të saktë. Ka disa surpriza, por shpresojmë që skulptura jonë e akullit të jetë e vendosur mirë në tokë, dhe në të njëjtën kohë, të jetë e lehtë në majë,” u shpreh skulptorja italiane, Francesca Cosmi.

Gara e këtij viti ishte më e forta e këtyre viteve të fundit, duke tërhequr disa nga skulptorët më të mirë të akullit në botë.

Sigurisht që po përpiqemi për medaljen e arit, apo jo? Por është një garë e fortë, shumë e fortë. Mendoj se ka 30 skuadra nga kudo në botë dhe ne jemi të vetmit nga Kanadaja dhe Amerika Veriore, prandaj duam ta bëjmë vendin krenar dhe të arrijmë podiumin,” u shpreh skulptori kanadez, Steve Buzak.

Edhe pse temperaturat mbërritën deri në -20 gradë Celsius, ato konsiderohen si të ngrohta për qytetin e Harbin, në këtë periudhë kohore.

Këtë vit është më ngrohtë se viti i kaluar. Por kjo nuk ka një efekt të madh mbi gdhendjet e akullit. Përsa kohë temepratura është nën zero, nuk do të ndikojë mbi akullin, prandaj ky lloj moti është normal, nuk është një problem. Për garuesit tanë është gjithashtu diçka e mirë. Mund të punojmë më shumë me duart meqë nuk është aq ftohtë,” u shpreh skulptori kinez, Yue Changshui.

Festivali i Akullit dhe Dëborës në Harbin, që do të zgjasë deri në 25 shkurt, ofron disa nga pamjet më mahnitëse. Teksa disa persona vijnë këtu për të parë disa nga skulptorët më të mirë të botës kur ata punojnë, shumë të tjerë vijnë për të shijuar dritat e ndezura dhe argëtimet që ky festival siguron.

4 COMMENTS

Comments are closed.