Demokracitë perëndimore, duke u munduar të sundojnë rajonin, kanë qenë pengesa kryesore për krijimin e qeverive të përgjegjshme në botën muslimane.

 

Nga Hakan Yavuz dhe Mujeeb Khan

 

Dështimi i grushtit të shtetit më 15 Korrik në Turqi tregoi edhe njëherë humnerën njohëse midis botës perëndimore dhe asaj muslimane kur vjen puna te mbështjetja e të ashtuquajturave vlera universale që rrethojnë demokracinë dhe vetëvendosjen.

Filozofi Jean-Paul Sartre, i cili bashkë me Frantz Fanon udhëhoqi luftën intelektuale perëndimore kundër torturave dhe masakrave kolonialiste në masë në Algjeri,  e përkufizon “mauvaise foi” apo “fatin e keq”, si mungesën e sinqeritetit ndaj atyre që u predikohen vlerat më të larta, e që  përfundon në vetëmashtrim dhe disfatë.

Në këtë kuptim, ishte kthjelluese të shikoje rrjetet kryesore të lajmeve në Shtetet e Bashkuara, si CNN dhe Fox, kur u duk se grushti i shtetit në Turqi po kishte sukses.

Një sërë politikanësh dhe “ekspertësh” televiziv amerikanë e patën të vështirë ta përmbanin gëzimin për idenë se qeveria e zgjedhur mund të rrëzohej dhe se, sipas tyre, një tjetër juntë e stilit të gjeneral Abdel Fattah al-Sisit në Turqi do t’u “shërbente interesave amerikane”.

Madje. edhe New York Times-i e etiketoi mbrojtjen popullore të demokracisë, “një anti-grusht”, dhe miliona qytetarët e zakonshëm, të cilët disa herë sfiduan vdekjen, si “dele” të Erdoganit.

Më tej, ky fat i keq u shfaq nga demokrati “liberal”, kongresmeni kalifornian Brad Sherman, një njeri i fuqishëm në Komitetin për Marrëdhëniet Publike Amerikano-Izraelite, i cili u hodh në mbrojtje të grushtit të shtetit në Turqi, duke shtuar në një cicërimë oruelliane në Twitter se kjo do të “çonte drejtë demokracisë së vërtetë”.

Sigurisht, ky ishte një reflektim i deklaratës famëkeqe të Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, kur tha se Gjeneral sisi po “rivendoste demokracinë” në Egjipt, ndërkohë që gjaku i mijëra protestuesve pro-demokracisë të masakruar në Egjipt në Sheshin Rabia nuk është tharë akoma.

Frika ndaj qeverive të përgjegjshme në botën muslimane

Sigurisht, ironia therëse këtu është se demokracitë perëndimore, të cilat kërkojnë ta sundojnë dhe ta shfrytëzojnë rajonin, kanë qenë pengesa e jashtme më e madhe për formimin e qeverive të përgjegjshme dhe përfaqësuese në botën muslimane.

Kjo daton madje që në fillimet e reformave institucionale kushtetuese dhe parlamentare në fund të shekullit të 19 dhe fillim shekullit të 20, kur Shteti Osman në vitet e 1877-1878 dhe Irani nga 1905-1907 përballeshin me pushtimet imperialiste evropiane, të cilat pjesërisht kishin për qellim shkatërrimin e këtyre reformave modernizuese dhe fuqizuese.

Kjo vazhdoi me Operacionin Ajax, ku CIA dhe MI6 në vitin 1953 organizuan një grusht shteti kundër liderit iranian të zgjedhur në mënyrë demokratike Mohammad Mosaddegh.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara ndoqën strategji të ngjashme të pamëshirshme kundër udhëheqësve kryesorë demokratë të majtë në Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi. Megjithatë, Lindja e Mesme vazhdon të mbetet një anomali në këtë drejtim, pasi politika të tilla anti-demokratike nuk janë ndërprerë këtu as pas rënies së Murit të Berlinit.

Në Algjeri, në vitin 1991, Uashingtoni dhe Parisi i dhanë dritën jeshile “terminatorëve” të juntës algjeriane që të anulonin zgjedhjet e fituara nga demokratët e moderuar muslimanë të Frontit të Shpëtimit Islamik, duke e zhytur kështu vendin në një luftë civile, e cila mori jetën e mbi 200 mijë njerëzve.

Madje, agjencitë sekrete të juntës ushtarake shfrytëzuan grupin e pamëshirshëm të stilit të ISIS-it, Grupin e Armatosur Islamik të Algjerisë (GIA), duke e përdorur për të kryer masakra ndaj mijëra fetarëve muslimanë pro-demokratë në rajonin e Blida-s, si dhe për të kryer sulme terroriste në Francë në momentin që u duk se Parisi mund të hiqte dorë nga mbështetja ndaj “të fuqishmëve”, apo regjimit të pa zgjedhur ushtarak në Algjeri.

Në vitin 2006, kur Hamasi i fitoi zgjedhjet demokratike në Gaza kundër regjimit tërësisht të korruptuar e të kompromentuar të Fatahut, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara reaguan me ashpërsi kundër popullatës civile që kishte guxuar të bënte “zgjedhjen e gabuar”.

Në mënyrë të ngjashme, neo-konservatorët në administratën e Xhorxh W. Bushit dhe Dick Cheney-t përmbysën tranzicionin paqësor të partisë së moderuar të Unionit të Gjykatave Islamike në Somali vetëm që ta zhysnin përsëri vendin në luftë civile e të shfaqnin monstren e tyre në formën e organizatës al-Shabab.

Çfarë të mbjellësh do korrësh

Apologjetëve të këtyre politikave grabitqare u pëlqen të pohojnë se në rajon ekziston një pakicë “demokratësh xhefersonianë” dhe se këto zgjedhje çojnë drejt “një personi, një vote, një herë”.

Përtej vetëkënaqjes së demokratëve origjinalë xhefersonianë për spastrimet etnike dhe skllavërinë, ky pohim nuk merr parasysh faktin se demokracia nuk buron nga një konceptim i pagabueshëm, por është një proces mirëbesimi i vazhdueshëm kompromisesh dhe legjitimiteti të kundërshtarit politik me kalimin e kohës.

Një shpjegim më i besueshëm i faktit pse qeveritë perëndimore dhe grupet e interesit pro-izraelite kanë frikë nga demokracia në botën muslimane është se qeveritë popullore dhe të përgjegjshme do të këmbëngulnin për të kontrolluar tregjet dhe burimet e tyre, si dhe do të vendosnin një çmimi të lartë për politikat grabitqare në rajon, duke përfshirë shpronësimin e popullsisë vendase palestineze dhe mbajtjen në këmbë të diktatorëve dhe despotizmit të një familje të vetme.

Pas sulmeve të tmerrshme të 11 shtatorit, kur përfitimet në rajon nga një neo-imperializëm i tillë i vazhdueshëm u bënë tym, në kuptimin e plotë të fjalës, si Xhorxh W. Bushi ashtu dhe Barak Obama duket se përfituan nga momentet e hutimit për të pranuar se kanë sakrifikuar demokracinë dhe zhvillimin për hir të stabilitetit në rajon.

Megjithatë, administrata Obama ka pranuar në heshtje se ka pasur gisht në grushtin e shtetit në Egjipt dhe se në përgjithësi ka tradhtuar Pranverën Arabe në Siri, Bahrein dhe Libi.

Siç e kanë vënë re shumë vetë në rajon, ISIS është Sisi i lexuar mbrapsht. Brexit-i dhe dalja e lëvizjeve neo-fashiste në SHBA dhe Evropë tregojnë qartë se po vazhdojnë përpjekjet makiaveliste perëndimore për të përkrahur despotizmin e për të ruajtur fragmentimin post-osman të Sykes-Picot në rajon, duke kërcënuar në këtë mënyrë demokracinë dhe fragmentimin e vetë Perëndimit.

Hakan Yavuz është profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Utah dhe autor i shumë punimeve akademike dhe librave mbi Turqinë moderne.

Mujeeb Khan ka punuar si hulumtues në Gjirin Persik dhe si profesor i jashtëm në Departmentin e Shkencave Politike në UC Berkeley.

Marrë nga Al-Xhazira