Një rast kontroversial terrorizmi në Kosovë, ku dy të akuzuar u gjetën fajtorë për pjesëmarrje në një organizatë të dyshuar terroriste, ‘Harausham’ – për të cilën BIRN ka zbuluar se mund të mos ekzistojë fare – vazhdon t’i vërë në siklet zyrtarët e lartë të drejtësisë. Në një konferencë mbi gjyqësorin në Kosovë të premten, organizuar nga BIRN dhe Internews Kosova, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi iu përgjigj duke qeshur një pyetjeje mbi aktakuzën kontroversiale të ngritur nga kolegu i tij, Kryeprokurori Special Reshat Millaku.

“Këtij rasti s’kam çka me i thënë – u përgjigj Lumezi duke qeshur dhe duke ngritur duart – me rëndësi është që gjykata paska pru aktgjykim dënues”.

Lumezi pranoi se ndoshta “ka qenë një gabim, por ai sigurisht që është përmirësuar gjatë shqyrtimit gjyqësor meqë kryetari i trupit gjyqësor ka marrë aktgjykim dënues”.

Asnjë përmirësim nuk i është bërë rastit, zbuloi një hulumtim i BIRN, në gjyqin e Arben Livorekës dhe Nexhat Behlulit, të cilët u dënuan me nga tre vjet e gjysmë burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar të këtij viti, pasi që u shpallën fajtorë për ‘pjesëmarrje dhe organizim’ në organizatë terroriste.

Të dy u arrestuan në shtator 2014 nën dyshimin e bashkimit të një grupi terrorist të quajtur ‘Harausham’, i cili pretendohet se ka lidhje me Al Nusra në Siri, gjatë periudhës nëntor 2013 – korrik 2014.

Megjithatë, BIRN zbuloi se ‘Harausham’ mund të ekzistojë vetëm në aktakuzën e prokurorisë dhe dokumentet e lidhura me të në gjykatë, dhe nuk shfaqet në kërkime të detajuara në listat zyrtare të grupeve që luftojnë në Siri dhe Irak.

Deklaratat e të dyshuarve në dokumentet gjyqësore janë të vetmet prova për ekzistencën e kësaj organizate, ndërsa të gjitha institucionet e drejtësisë kosovare dështuan të japin prova mbi ekzistencën e organizatës, kur BIRN i pyeti për rastin.

Kryeprokurori Lumezi, megjithatë, tha në konferencë se prokurori që ishte marrë me çështjen “duhet patjetër” ta dijë se për cilën organizatë bëhet fjalë, dhe se gjithashtu, gjykatësi që ka dhënë vendimin “duhet pyetur” për këtë rast.

4 COMMENTS

  1. … [Trackback]

    […] There you can find 63105 more Information to that Topic: epavarura.com/harausham-organizata-terroriste-fantazme-huton-kryeprokurorin-lumezi/ […]

Comments are closed.