Klodi Leka

O më trego si të bëhem hero në këtë kohë pa kohë – është një nga vargjet më interesante dhe të thella të këngës “Heroi i qytetit pa lumë” të Gjurmëve, rokerëve të famshëm kosovarë. Që prej çasteve të njohjes me ta, tek sorollatesha melankolik rrugëve tiranase si student i pamësuar në kërkim të së resë, kjo këngë zu rrënjë thellë brenda meje, duke e bërë akute ndjenjën e mallëngjimit dhe trazimeve të një qyteti pa kuptim. Ose pa lumë, edhe pse e ka lumin, domethënë përroin kundërmues të shurrës dhe fekaleve. Pa lumë sepse për Gjurmët qyteti, apo qytetërimi ku jetojmë, nuk rrjedh, nuk sjell gjëra të reja, ide të larta dhe njerëzi që beson dhe lufton për të ardhme. Qyteti pa lumë i Gjurmëve është një qytet i ngrirë, pa domethënie, pa thellësi dhe përvoja ekzistenciale, ku gjithçka dhe gjithkush është konsumuar dhe të vetmet gjëra të reja janë kafenetë, telefonët, reklamat dhe idiotësirat.

Pra si të bëhesh hero në këtë kohë pa kohë? Vallai, problem plako! Në këtë kohë heroi është budalla, njeri qesharak që i hipën gomarit të idealit në botën ku vetura luksoze dhe jo transporti komod publik apo korsia e biçikletave, pasurimi i pistë dhe jo puna e ndershme, shkërdhimi seksual dhe jo dashurimi pasionant janë idealet më të larta për të cilat ia vlen të nënshtrohesh, të vritesh, të shtypesh e të lëpihesh. Pastaj koha jonë është shekull i mërzisë dhe mediokritetit. Heroi nuk i ngjan Piter Panit, por kapiten Gremçit. Nuk është Robin Hudi, por Sherifi i Notinghamit. Hirushja urrehet si konviktore e varfër dhe e ligë. Liza në botën e çudirave është një budallaçkë e dehur me qëllim për t’u dribluar. Ah po, Supermeni bën mirë t’i heqë ato brekët e kuqe se duket si gay dhe Çe Gevarën e mbath çdo sekser që ideal të vetëm ka paranë, paranë dhe paranë. Shekulli ynë s’ka revolucione, magjepsje teknologjike apo ëndrra për një shoqëri tjetër. Ai e mat veten me ajfon njëshin, ajfon dyshin, ajfon treshin. Nuk ka letërsi, muzikë, kinema, filozofi, bukuri. Por ka manuale idiote mbi seksin dhe suksesin, ka babastarsa dhe otiarsa, bigbradhërsa dhe vipa, bythë kardashianse dhe filozofira futbollistike skedinash.

A jam pesimist? Oh, jam edhe më keq, i thyer, i neveritur e depresiv. Por nuk kam ndërmend të vras veten. Sepse jam aq budalla sa të shpresoj. Të shpresoj jo duke pritur dhe përtuar. Shpresoj duke vepruar. Dhe jam i vetëdijshëm, siç thotë një këngëtar që për çudinë e të gjithëve mori çmimin më të lartë të letërsisë, se errësira ende nuk ka rënë siç duhet, edhe pse terri ka okupuar shqisat, ndjenjat dhe mendimet tona. Nuk kam ndërmend të loz lotarinë amerikane, por të qëndroj këtu. Nuk dua të iki, siç bëjnë të gjithë duke gënjyer veten se jashtë do të gjejnë tokën e premtuar, por do të digjem në ferrin e vetes dhe vendit tim gjersa ta bëj tokë ku të mbjellim ëndrrat e brezit. Nuk shullehem nëpër kafenera gjasme i dëshpëruar, por kërkoj heronjtë e mi në cepa gazetash, librash e fatesh njerëzore, të gjymtuar, të vdekur e të poshtëruar. Unë kam heronjtë e mi. Ata të cilët me gjestet dhe heroizmat e tyre të heshtura më japin shpresë dhe besim se ka rrugëdalje prej qoshkës së qelbur ku na kanë shtënë tash sa kohë.

Heronjtë e mi nuk kanë fuqi magjike, nuk fluturojnë, nuk janë kryetarë të dhjerë partish, nuk nxjerrin sekset në televizor, nuk janë bastardët dhe injorantët e zakonshëm. Ata janë njerëz të thjeshtë e të punës. Ata janë heronj sepse përballë pamundësisë dhe padrejtësisë qëndrojnë stoikë e dinjitozë, duke e dashur deri në fund jetën. Heroi im është Ardit Gjoklaj, 17 vjeç, që u vra mbi një mal mbeturinash për të siguruar librat dhe rrobat e shkollës. Heroina ime është Trendëlina Aliko, gruaja e kokoshkave, që policët bashkiakë e rrahën se nxirrte bukën e gojës pa i pyetur ata. Është Zylja, nëna që u bëri ballë gjobave dhe dhunës policore se shiste presh në trotuar. Isa, student që bën dy punë dhe gjen kohë të luftojë për të drejta. Dilaveri, minatori trim që guxon i vetëm të ngrejë zërin ndaj padronëve vrasës të minierave. Marta, mamaja ime, që shet prej njëzet vitesh rrëzë rrugës dhe nuk heq dorë edhe pse pakgjë ka nxjerrë në dritë. Heronjtë e mi janë qindra e mijëra gra të rrobaqepësive që skllavërohen për qindarka për të blerë bukën, rritur djalin e shkolluar vajzën. Këta janë heronjtë e kohës pa kohë, o njerëz!

Së fundmi, kam edhe një hero tjetër. Quhet Astrit Dehari. Ai nuk është hero si individ. Ai është hero si komunitet. Si prirje. Si përfaqësues i një grushti njerëzish brenda brezit dhe kohës ku jetojmë, që nuk kanë zgjedhur të jetojnë sa për të jetuar, pa shije dhe kuptim, por që jetojnë dhe janë gati për t’u shuar në emër të jetës së lartësuar të besimit dhe idealit. Astriti ishte djali i urtë e i butë i një familjeje aktivistësh dhe poetësh të atdhedashurisë. Ai ishte student shembullor i mjekësisë. Ishte militant i drejtësisë shoqërore. Ishte i burgosur padrejtësisht, me akuza të montuara makabre, me fajin e vetëm të qenit idealist dhe aktivist. Pritej të bëhej baba me të dashurën e zemrës së tij. Por e vranë. Në qelinë e errët të burgut. Me mjete të dhunshme dhe motive (jo aq!) misterioze. E vranë për t’u thënë njëzetvjeçarëve të tjerë, shokëve dhe shoqeve të tij dhe çdo bashkësie tjetër ëndërrimtarësh, t’i japin fund rezistencës për shkollë, për bukë, për punë dhe për barazi. Ia zuri frymën e ia ndali zemrën e zeza dorë vrasëse e atij grushti monstruoz njerëzish, e atij sistemi çdo ditë e më të dhunshëm dhe e kësaj kohe gjithnjë e më dramatike. Sepse ishte i rrezikshëm për të keqen. I rrezikshëm jo me trupin e tij të vogël, por me dëshirat e mëdha. I rrezikshëm me përpjekjen për të dalë prej kësaj kohe në emër të një kohe të re e të lavdishme. Këta heronj janë shpresa dhe guximi se do të ketë të ardhme, se do të vijë një tjetër kohë karshi së cilës e tashmja do të jetë një kujtim i trishtë dhe i largët.

12 COMMENTS

Comments are closed.