Një hetim i grupit britanik “Conflict Armament Research” në zonat e çliruara nga kthetrat e ISIS në Irak hedh dritë rreth mënyrës se si i sigurojnë militantët e organizatës armët nga vendet e tjera.

Një raport i publikuar nga BBC të hënën më 21 nëntor zbuloi rezultatet e hetimit të cilin e realizoi një grup hetuesish nën drejtimin e përfaqësuesit të tyre, z. James Bevan, në zonat e çliruara nga grupet e armatosura ISIS në provincën Nejneva, si pasojë e përparimit të forcave irakiane drejt Mosulit, të mbështetura nga luftëtarët kurdë dhe elementë të grupimeve luftuese “Al-Hashd al-Sha’bi” dhe “Al-Hashd al-‘Ashairi” si dhe me mbështetjen e koalicionit ndërkombëtar.

Raporti citon z. Bevan të ketë thënë: “Deri më sot, komuniteti ndërkombëtar ka qenë i verbër në lidhje me mbërritjen e armëve në zonën e luftimeve”, duke shtuar se qëllimi i ekipit ishte “zbulimi i mënyrës se si kanë rënë këto armë në duar të gabuara.”

Hetimi është kryer në qytezën Karakush të çliruar para disa ditësh nga kthetrat e ekstremistëve, ku në një shtëpi të braktisur hetuesit kanë gjetur një kuti të boshatisur municionesh. Kjo mund të konsiderohet një sukses i madh, pasi zakonisht, mbi kuti shtypen shenja të cilat mundësojnë zbulimin e shtetit prodhues të tyre.

Përveç kësaj, në kishën lokale, ekipi arriti të gjente pjesë raketash dhe sasi lëndësh plasëse, si dhe një letër që përfshinte metodën e prodhimit të granatave të dorës.

Sipas informative të mbledhura nga hetuesit mësohet se militantët e ISIS kanë marrë në dorëzim nga shtete të huaja, veçanërisht nga Turqia, sasi të mëdha lëndësh të cilat i përdorin për prodhimin artizanal të armëve. Për shembull, rreth e qark kishës ekipi zbuloi disa qese që përmbanin lëndë kimike, të cilat nuk mund të gjenden tjetërkund përveçse në tregun e brendshëm turk.

Bevan theksoi se rrjeti i blerjeve të ISIS zgjatet deri në jug të Turqisë, duke shprehur mundësinë e ekzistencës së lidhjeve të forta ndërmjet ekstremistëve dhe disa furnizuesve lokalë.

Përfaqësuesi i grupit hetimor shpjegoi se në disa raste u bë e ditur se 3000-5000 qese kanë rënë në duart e ISIS njëherësh, gjë të cilën e vërtetojnë shenjat e vendosura mbi to, që do të thotë se një palë blerëse bleu njëherësh rreth gjysmën e lëndëve kimike të prodhuara në punishte.

Pas analizës së informacionit të disponueshëm, grupi arriti në përfundimin se në fazat e para të luftës kundër ISIS, militantët e organizatës në fushëbetejë zotëruan shumicën e sasive të armëve që ranë në kthetrat e tyre, si rezultat i realizimit të një morie fitoresh nga ana e tyre ndaj forcave qeveritare në Siri dhe Irak, por që nga fundi i vitit 2015, me fillimin e tërheqjes së saj, organizata zotëroi një burim shtesë armatimesh.

Shenjat e vendosura mbi arkën e municioneve të gjetura nga hetuesit treguan se ato ishin prodhuar në Evropën Lindore. Vendet prodhuese të tyre, në përgjigje të një kërkese të bërë nga ekipi, zbulojnë se këto municione ua kanë shitur si zbatim projekti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Arabisë Saudite, për t’ua dorëzuar më vonë nëpërmjet Turqisë fraksioneve opozitare siriane të cilat luftonin qeverinë në veri të vendit. Porse si përfundim, këto armatime u përdorën kundër forcave qeveritare në Tikrit, Ramadi, Faluxha dhe Mosul në Irak.

Ekipi theksoi habinë rreth periudhës së shkurtër gjatë së cilës armët kanë rënë në duart e ISIS, pas daljes së tyre nga fabrikat në veri të Evropës, pasi ndonjëherë periudha nuk i kalonte dy muaj.

Me këtë rast, raporti sjell në mendje se si Shtetet e Bashkuara dështuan kur armatosën disa fraksione muxhahedinësh “të moderuar” për të luftuar kundër trupave sovjetike në Afganistan gjatë viteve ‘80, dhe se si më pas këto armatime ranë në duart e grupeve më radikale, gjë e cila përfundimisht çoi në shfaqjen e Osama bin Laden, terroristit nr. 1 dhe themeluesit të “Al Kaedës”, i cili mban përgjegjësinë për sulmet e 11 shtatorit 2001, sulmit më të madh terrorist në historinë e vetë Shteteve të Bashkuara.

Duke komentuar mbi rezultatet e raportit të ekipit të tij, Bevan tha: “Nëse palëve joqeveritare në një krizë të brendshme ekstremisht të ndërlikuar do t’u dorëzohen armë dhe pajisje ushtarake, rreziqet e rënies së pajisjeve të tilla në duar të gabuara do të jenë të mëdha.”

4 COMMENTS

Comments are closed.