Misteri ka përfshirë zhdukjen e tre anijeve hollandeze të luftës së Dytë Botërore që gjendeshin deri pak kohë më parë, në shtratin e detit të Java-s, pranë brigjeve të Indonezisë. Autoritetet kanë nisur një hetim ndërkombëtar për të zbuluar rrethanat e zhdukjes misterioze të anijeve.

Ministria e mbrojtjes së Hollandës konfirmoi se rrënojat e dy prej anijeve të saj luftarake që u mbytën në vitin 1942 janë zhdukur plotësisht, ndërsa mungojnë edhe pjesë të mëdha të anijes së tretë.

Rrënojat u zbuluan së pari të paprekura nga zhytës amatorë në vitin 2002. Por një ekspeditë e nisur për të përgatitur aktivitete për 75-vjetorin e betejës së detit të Javës, zbuloi se anijet ishin zhdukur.

Hidrolokatorët kanë nxjerrë gjurmët e anijeve në fundin e oqeanit, por vetë anijet nuk janë më atje. Ministria përmes një deklarate theksoi: “Rrënojat e anijeve HNLMS De Ruyter dhe HNLMS Java duket se janë zhdukur krejtësisht. Një pjesë e madhe mungon gjithashtu, nga anija HNLMS Kortenaer”.

Të treja anijet e mbytura gjatë betejës së detit të Java-s që doli të ishte një nga humbjet më katastrofike për marinarët hollandezë, britanikë, amerikanë dhe australianë nga ana e forcave japoneze në shkurt të vitit 1942. Beteja ishte ndër ato  detare më të kushtueshme dhe mundësoi pushtimin japonez të të gjithë Indive Lindore Hollandeze.

anije-1

Rreth 2200 njerëz humbën jetën, përfshirë 900 shtetas hollandezë dhe 250 të tjerë me origjinë indoneziano-hollandeze, e kështu rrënojat e anijeve u deklaruan një varr i shenjtë lufte.

“Ka nisur hetimi për të parë se çfarë ka ndodhur me mbetjet e anijeve, ndërsa është informuar edhe qeveria”, deklaroi ministri i Mbrojtjes. “Dhunimi i një varri të luftës është një krim i rëndë”, shtoi ai, duke sugjeruar se mbetjet mund të jenë vjedhur në mënyrë të paligjshme.

Detrat përreth Indonezisë, Singaporit dhe Malajzisë janë varrezë për më shumë se 100 anije dhe nëndetëse të mbytura gjatë luftës. Për vite me radhë, gjuetarët e thesareve kanë zbuluar vendndodhjet e tyre dhe kanë vjedhur pjesë, si çelikun, aluminin dhe tunxhin.

Një shkollë rekreacioni në Malajzi tha për “Neë Straits Times”, vitin e kaluar, se anijet e mbytura hidheshin në erë me eksplozivë nga njerëz që maskohen si peshkatarë me qëllim vjedhjen e pjesëve metalike.

Ushtria amerikane zbuloi dy vjet më parë se kishte pasur “ndërhyrje të paautorizuara në vendvarrimin nënujor” të anijes USS Houston, e cila u mbyt gjatë betejës së ngushticës Sunda, po ashtu në detin e Javës. Ky vend është banesa e fundit për gati 650 marinarë dhe marinsa.

Theo Vleugels, drejtor për një fondacion të të rënëve hollandezë tha se njerëzit që kanë vdekur atje, duhet të lihen në paqe.

3 COMMENTS

Comments are closed.