Shkencëtarët janë pajtuar prej kohësh për ndikimet negative të konsumimit të duhanit, por nuk e kuptuan saktësisht se si pirja e duhanit ndikonte në inflamacionet. Në një studim të publikuar në Journal of Leukocyte Biology, hulumtuesit nga Shtetet e Bashkuara dhe Suedia thonë se e kanë identifikuar lidhjen që mungonte, transmeton koha.net.

Hulumtuesit thonë se nikotina, kimikati adiktiv i cili gjendet në cigare dhe produktet e tjera të duhanit, i aktivizon qelizat specifike të bardha të gjakut të quajtura neutrofile për t’i liruar molekulat të cilat rezultojnë në rritjen e inflamacionit.

“Studimi ynë e zbulon një shpjegim se si nikotina kontribuon në nxitjen e inflamacionit dhe në këtë mënyrë tregon mundësi të reja për terapi të ardhshme për trajtimin e sëmundjeve të lidhura me duhanin, të cilat çdo vit çojnë në vdekje të parakohshme të disa miliona njerëzve në mbarë botën”, shpjegon studiuesi Constantin Urban në një njoftim për shtyp.

Gjatë studimit, hetuesit i analizuan efektet e nikotinës në neutrofilet e izoluara nga njerëzit dhe minjtë, dhe e vërejtën një lirim të molekulave inflamatore të varur nga doza. Autorët e studimit thonë se gjetjet e tyre sugjerojnë se edhe format alternative të konsumit të nikotinës janë gjithashtu të dëmshme, transmeton koha.net.

“Efektet e duhanpirjes që e shkaktojnë kancerin kanë qenë të njohura për dekada të tëra, por se si pirja e duhanit është e lidhur me ndryshimet e imunitetit ka qenë më pak e qartë”, shtoi E. John Wherry, zëvendësredaktor i Journal of Leukocyte Biology. “Për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë në mes të vetë nikotinës dhe inflamacionit, ky studim ka implikime të rëndësishme duke përfshirë faktin se format alternative të inhalimit të nikotinës, si forma e ashtuquajtur vaping në të cilën mungojnë kimikatet e tjera nga tymi i duhanit, mund të kenë megjithatë efekte të dëmshme imunologjike”.

Let’s block ads! (Why?)

7 COMMENTS