Interes i paparashikueshëm në Gjermani për librin autobiografik të Adolf Hitlerit “Mein Kampf” në shqip “Beteja Ime”. I konsideruar si baza e ideologjisë raciste të ekstremit të djathtë në të gjithë botën, Mein Kampfin është e vështirë ta gjesh në libraritë gjermane këto ditë. Të 85 mijë kopjet e hedhura në treg që prej janarit të 2016-ës janë shitur.

Instituti i Historisë Bashkëkohore në Mynih që mban tashmë të drejtën e ribotimit thotë se po përgatit hedhjen në treg të mijëra kopjeve të reja, pasi kërkesa është mjaft e lartë. Kërkesa e paprecedentë vjen në një moment mbështetja për partitë opozitare populiste si Alternativa për Gjermaninë po rritet. Përgjatë një viti, Gjermania është prekur nga një valë sulmesh terroriste që mbajnë autorsinë e të huajve dhe në vend, tensionet janë të larta si pasojë e valës masive të refugjatëve nga vendet islamike.
Libri i ribotuar shoqërohet me mbi 3 mijë shënime analitike historike, që kanë për qëllim ta zhveshin atë nga propaganda naziste. Por pavarësisht kësaj, blerësit janë të shumtë duke nisur nga mbështetësit e fshehur të nazizmit, kureshtarët, por edhe studiuesit e politikës e historisë.

Drejtuesit e Institutit të Mynihut thonë se numri i shitjeve i ka befasuar dhe askush nuk e priste që interesi të ishte kaq i lartë. Sipas tyre, sapo ka përfunduar shitja e 4 mijë kopjeve të edicionit të 6 të ribotimit, teksa në janar të 2016-ës doli në treg edicioni i dytë i “Mein Kampfit” të ribotuar.
Instituti i Historisë Bashkëkohore në Mynih fitoi të drejtën e ribotimit të librit të Adolf Hitlerit, pasi qeverisë së shtetit federal gjerman të Bavarisë i skadoi e drejta e autorit, të cilën e mbajti për 70 vjet. Botimi i Bestsellerit në periudhën kur Gjermaninë e qeverisnin nazistët, u ndalua pas kapitullimit të tyre në 1945-ës që shënoi fundin e luftës së dytë botërore. Aleatët që morën nën adiminstrim territoret e Gjermanisë Perëndimore ndaluan ribotimin e këtij libri si propagandues të ideologjisë raciste të ekstremit të djathtë. Libri u botua nga Adolf Hitler në vitin 1923 kur vuante dënimin me burg në Landsber pas përpjekjes së dështuar për të rrëzuar qeverinë bavareze. Në 1933-shin, kur ai u bë kancelar, libri u shndërrua në më të shiturin. Pas 1945-ës libri u përkthye në 18 gjuhë të ndryshme dhe u shit në 45 milionë kopje.

Për qeverinë gjermane, shoqërimi i librit me komente e bën atë të parrezikshëm për përhapjen e ideologjisë naziste, për më tepër që shumë grupime politike të ekstremit të djathtë në këtë vend, janë të jashtëligjshme.

1 COMMENT

Comments are closed.