Banorët e fshatrave të shpëtuara nga Ushtria e Lirë Siriane (ULS), kanë treguar ditët e tmerrit të përjetuar gjatë kontrollit të organizatës terroriste DAESH.

Ndërkohë që ofensiva “Mburoja e Eufratit” e cila po zhvillohet nga ULS në koordinim dhe bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) si dhe me ndihmën e forcave ajrore të koalicionit ndërkombëtar është duke vazhduar, banorët e zonës së shpëtuar po punojnë që të lënë pas ato ditë të vështira.

Duke kaluar nga pika të shumta të kontrollit të ngritura nga forcat e ULS-së vërehen grumbuj dheu në anën e rrugëve të ngritura si vatra mbrojtëse kundër sulmeve. Shtëpitë, dyqanet, xhamitë dhe shkollat janë rrënuar plotësisht. Ndërsa në rrugët e fshatrave vërehen vetëm pak fëmijë dhe të moshuar. Në çdo rrugicë të këtyre fshatrave valëvitet flamuri i opozitarëve. Ndërsa shenjat e DAESH-it të vizatuara në muret e këtyre fshatrave janë duke u fshirë.

Ekipi i AA ka viztuar një nga fshatrat e shpëtuar nga ULS ku banorët e tij tregojnë tmerrin e përjetuar gjatë kohës kur kjo zonë kontrollohej nga DAESH-i. Banorët që qëndron prej 1 viti të ngujuar nga kjo organizatë terroriste, pranojnë të flasin me kusht që të mos identifikohen.

Banorët shprehen se nuk do ta harrojnë kurrë tmerrin që kanë përjetuar.

Një banor 65 vjeçar nga një fshat turkmen i cili ka 50 banorë dhe që u shpëtua ditën e djeshme thotë se kur DAESH-i erdhi në këtë fshat ata preferuan të mos braktisin shtëpitë e tyre.

Banori i fshatit turkmen shprehet: “Falenderoj Zotin që pas një viti arritëm të shpëtonim nga kjo e keqe, por rreziku ende vazhdon. Fshati i cili ndodhet menjëherë përballë nesh është në duart e tyre. Sapo erdhën në fshatin tonë, puna e parë që bënë ishte mbledhja e televizorëve dhe telefonave. Na dhanë urdhër të lëshonim mjekrat. Ndaluan duhanin, ndërsa vetë pinin hashash. Çdo ditë kontrollonin nëse kemi pirë ose jo cigare. Na merrnin erë nga goja si qenë gjuetie. Një ditë preva mjekrën time. Më rrahën me 40 kamxhikë. Në një moment i mblidhnin të gjithë dhe i dërgonin për të falur namazin. Nga frika ndonjëherë falja namazin edhe pa abdest.”

– “I vendosën dinamit në qafë dhe e hodhën në erë”

Banori i këtij fshati turkmen tregon dënimet e pashpirta të DAESH-it ndaj popullatës. “Përballë syve tanë një personi i vendosën dinamit në qafë dhe e hodhën në erë. Ato momente nuk më ikin asnjëherë nga sytë. Torturat nuk kanë të shpjeguara dhe nuk është e mundur të harrohen në një ditë. E mbaj mjekrën nga frika se mos vijnë përsëri.”

Ndërsa një tjetër banor i këtij fshati i moshës 30 vjeçare thotë: “Prej një viti nuk kemi kontakt me botën. Interneti u ndalua. Çdo gjë ishte e ndaluar. Pa u larguar mirë DAESH-i nga këtu nuk na largohet frika.”

Ndërsa banorët e një tjetër fshati refuzuan të flasin për shkak të frikës së DAESH-i mund të kthehet përsëri.

Ndërkohë disa banorë të cilët jetonin në çadër janë shprehur se deri sa të jenë të bindur që DAESH-i është larguar plotësisht nga zona nuk do të kthehen në shtëpi.

6 COMMENTS

Comments are closed.