Katolikë e myslimanë sëbashku, për t’i thënë jo terrorizmit e për tu lutur për paqen. Pas ngjarjes në Francë që i kushtoi jetën një prifti, komuniteti islamik italian ka pranuar ftesën e imamëve francezë për të marrë pjesë në meshat e së djelës në mbarë vendin.

Siç raportojnë mediat italiane, mbi 15 mijë vetë kanë marrë pjesë në lutjet e kësaj të djele ku myslimanë e katolikë bënë apel për më shumë dialog mes feve.

“Dialogu jonë me vëllezërit katolikë do të vazhdojë por që sot do të jetë edhe më intensiv. Ka nevojë për konfirmimin e vlerave tona të përbashkëta që janë paqja, solidariteti dhe dashuria e respekti për Zotin tonë të përbashkët”- tha Abdullah Cozzolino, Sekretar i Përgjithshëm i Kofederatës Islamike italiane duke folur në Kishën San Gennaro në Napoli.

Ndërkaq një dënim i ashpër i terrorizmit erdhi nga Imami Ahmed El Balazi në Brescia.

“Këta njerëz ndyjnë fenë tonë dhe është e shëmtuar që shumë njerëz i konsiderojnë të gjithë myslimanët terroristë. Feja është diçka tjetër, e tjetër është sjellja e disa myslimanëve që nuk na përfaqësojnë”- tha ai.

Një lutje e përbashkët për paqen u mbajt edhe në Torino, ku përfaqësuesit e xhamive shtrënguan duart me priftin që kremtoi meshën. Ndërkohë në Romë, ishte Kisha Shën Maria që mikpriti sot delegacionin islamik.

“Jemi këtu për të përcjellë unitet. Xhamitë nuk janë vende ku radikalizohen fanatikët por përkundrazi shpërndajnë paqen dhe dialogun”-thanë ata.

Edhe në kryeqytetin Lombard, në Milano, komuniteti islamik morri pjesë në meshën e së djelës. “Kjo është dëshmi konkrete e vëllazërisë me krishterimin”- tha Imami Bottiglioni përpara se të niste mesha.

E gjithë iniciativa është mirëpritur nga autoritetet italiane. Përmes një mesazhi në rrjetin social Tëitter, ministri i jashtëm Paolo Gentiloni ka falenderuar të gjithë myslimanët e Italisë që po kontribuojnë kundër fondamentalizmit.

7 COMMENTS

Comments are closed.