Alida Tota, deri dje mbante postin e Drejtoreshës së Informacionit në televizionin “A1”, por është shkarkuar me shpejtësi pas denoncimeve për shfrytëzimin që i bëhej fëmijëve në landfillin e Sharrës dhe favorizimin që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i kishte bërë kompanisë që vepronte atje.

Në një rrëfim për Newsbomb.al, Tota tregon sesi kanë rrjedhur ngjarjet që sollën më pas shkarkimin e saj nga detyra. Ajo thotë se ka qenë drejtori i televizionit, Neritan Gjojdeshi, i cili më parë ka mbajtur postin e drejtorit të ujësjellësit, ai që ka urdhëruar shkarkimin e saj. Fillimisht Gjojdeshi ka thërritur në zyrë redaktorin e Totës për ta pyetur “se përse po sulmohej Erion Veliaj” dhe një orë më vonë juristi i televizionit është urdhëruar për të hartuar shkresën e shkarkimit nga puna.

Pardje dhe dje publikuam në “A1 News” dëshmi ekskluzive sesi shfrytëzoheshin fëmijët në landfill-in e Sharrës, ku u masakrua djali 17vjeç. Në dëshminë që e kishim regjistruar me kamera të fshehtë përmendej Erion Veliaj që ka favorizuar kompaninë e riciklimit që merrte 15 mijë euro/muaj nga Bashkia për riciklimin e mbeturinave në Sharrë.

Pas publikimit të sekuencave të para, ku dëshmohej se natën vonë, parmbrëmë i kishin përzënë punëtorët nga landfilli me një urdhër mbyllje nga Bashkia, i nisa sms Erion Veliajt për të dhënë prononcim për këtë dëshmi, për të qenë të balancuar në qëndrime.

I shkruajta që jam Alida Tota Drejtore e Lajmeve në A1 News. Nuk kthehu përgjigje dhe gazetarët e A1 News shkuan po ashtu te Bashkia, e cila iu refuzoi përgjigjen. Pas stand up të gazetares në Bashki, Drejtori i televizionit, ish drejtori i ujësjellësit Neritan Gjojdeshi thërret redaktorin tim dhe i thotë pse sulmoni Veliajn.

Ai i thotë duhet të flisni me Alidën se ajo është drejtoresha e lajmeve dhe ju ka informuar për dëshminë e Sharrës. Një orë më vonë Gjojdeshi kishte urdhëruar juristin e tv të hartonte shkresën e pushimit nga puna dhe më njoftoi vendimin për largimin. Shkresën e pushimit nga puna po ua nis bashkëngjitur dhe po ashtu sms që i kam nis Erion Veliajt”, ka treguar Alida Tota