ANDI BUSHATI
Udhëtimi i Edi Ramës në Bruksel, që është padyshim lajmi më i mirë pro kryeministrit, pas muajsh e muajsh të tërë goditjesh të pandalshme, i ka lënë të befasur dhe të trullosur një pjesë të madhe të kundërshtarëve dhe kritikëve të tij.
Si është e mundur që ai të pritet si një lider shteti i panjollë në selinë e BE? Si ka mundësi që edhe Tusk, edhe Junker edhe Mogherini të jenë në një zë për sukseset që ka arritur Shqipëria? Si shpjegohet që ata u treguan gati dashamirës me një kryeministër, piramida e drejtuar prej të cilit tashmë është provuar se është e lidhur me trafikun e drogës? Si mund të justifikohet mbyllja e syve për futjen e vendit në borxh dhe akumulimin e gjithë resurseve të tij vetëm në një grusht të vogël oligarkësh (fenomene të pohura edhe nga institucionet financiare)?
Këto ishin pak a shumë, pikpyetjet që qarkullonin në koridoret e politikës opozitare dhe në tryezat e kritikëve të shpallur të Ramës.
Ky moskuptim, që për më tepër bie ndesh edhe me mesazhet e nëndheshme që kanë lëshuar prej kohësh PD dhe LSI, sikur të gjitha goditjet kundër kryeministrit janë dririgjuar nga aleatët perendimorë që po furnizojnë me fakte opozitën, ka arsyet e veta që lidhen me real politikën.
Ndryshe nga çështë lënë të kuptohet, nuk është e vërtetë që kancelaritë perendimore e kanë shitur tashmë Edi Ramën. Natyrisht, portreti i tij është zhbërë me shpejtësi nga raportet e shërbimeve inteligjente. Imazhi i artistit që do të revolucionarizonte politikën është goditur ndjeshëm nga faktet për lidhje me kriminelët dhe për bashkëpunimin me trafikantët. Iluzioni i modelit të një lideri ballkanik ndryshe është shuar ende pa lindur mirë.
Por, si diplomatët e vendeve të rëndësishme të BE, po ashtu edhe burokratët e Brukselit, nuk janë as misionare të Nënë Terezës dhe as kampionë të mbrojtjes së parimeve dhe virtytit.
Më shumë sesa mbështetja e një politikani kleptokrat dhe të kriminalizuar, ata i tmerron vakumi i mungesës së një lideri.
Prandaj përkrahja që ata po i japin Ramës është një zgjidhje nga halli, një supë e servirur me hundën të mbyllur.
Dhe kështu do të vazhdojë të jetë për sa kohë në Shqipëri nuk do të gëlojë asnjë alternativë e besueshme.
Pak ditë përpara se Edi Rama të shkonte në Bruksel, PD që e akuzonte atë si patrues të parave të drogës doli papritmas e implikuar në aferën e shumave maramendëse të paguara për lobing, me origjinë të errët nga parajsat fiskale. Paralelisht me këtë, shpërthimi i skandalit 200 milionësh të PPP-ve për djegësit e plehrave, po aq sa dërrmonte një kryeministër të korruptuar, po aq njolloste edhe ministrin më jetgjatë të LSI, që rrezultonte me preshë në duar në këtë aferë të pisët.
Pyetja që lind pas këtyre ngjarjeve simbol të ditëve të fundit, që ngërthejnë pas vetes me dhjetra të tjera të ngjashme, është: Po ta shikosh gjendjen e vendit nga Brukseli, si një burokrat apo drejtues i BE, në emër të çfarë zgjidhjeje do t’a godisje Ramën?
Në një vend ku opozita është po njësoj e përlyer, ku shoqëria civile është më e tredhur se kurrë, ku shpesh mediat janë jashtë rolit që shoqëria pret nga to (gjë që u pa edhe në përgjigjen që Junker i dha gazetares shqiptare që në atë moment pagoi çmimin e të gjithë ne kolegëve të saj) ku mund të vihet gishti?
Pikërisht ky tmerr nga vakumi, kjo mungesë e një alternative më të mirë, ka bërë që Brukseli mos e godasë Ramën ashtu siç do të donin ata që nisen nga kriteret morale në gjykimin e tij.
Përpara tyre zyrtarët e BE-së kanë zgjedhur të jenë më cinikë. Në vend që t’a zbojnë ata po bëjnë përpjekjen e fundit për ta korrigjuar Edi Ramën. Kjo gjë shpjegn se ata janë radhitur me të gjitha betejat e kundërshtarëve të tij, kundër trafiqeve, kriminalizimit, apo rastit Tahiri. Por pavarësisht këtyre ata vazhdojnë e presin shefin e qeverisë shqiptare në Bruksel me të gjitha atributet e një kryeministri të ligjshëm. Dhe fatkeqësisht kjo frikë nga boshllëku do të vazhdojë t’i drejtojë në veprimet e tyre, deri sa vetë ne shqiptarët t’i afrojmë një alternativë të besueshme./ lapsi

SHPËRNDAJE