Kaq do të kursehej buxheti i Kosovës nëse mbeten vetëm 13 ministri

0

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë premtuar se qeverinë që do ta udhëheqin nuk do të ketë më shumë se 15 ministri.
Reduktimi i numrit të ministrive pritet të ndikojë pozitivisht në buxhetin e Kosovës.
Instituti i cili merret me studime të avancuara në Kosovë – GAP, vitin e kaluar ka bërë një hulumtim përmes të cilit tregon se sa do të kursehet buxheti i vendit nëse reduktohet numri i ministrive nga 21 sa janë aktualisht në 13.

Sipas raportit “Buxheti 2018 dhe rekomandimet e Komisionit Evropian”, të publikuar nga Instituti GAP çdo vit buxhetit të vendit do ti kurseheshin mbi 3 milionë euro nëse disa dikastere qeveritare shkrihen në departamente ose zyra në kuadër të institucioneve tjera të shtetit.

Kjo pasi që me zvogëlimin e ministrive pritet të ulet edhe numri i ministrave, zëvendësministrave e këshilltarëve.
Sipas këtij raporti nga buxheti i Kosovës brenda mandatit 4 vjeçar do të kursente 13 milionë euro.
“Sipas përllogaritjeve tona, nga kjo ulje e numrit të ministrive, vetëm nga shpenzimet e pagave, telefonisë mobile dhe drekave, buxhetit të Kosovës do t’i kurseheshin rreth 3.2 milionë euro në vit apo 12.9 milionë euro për një mandat qeverisës prej katër vitesh”, thuhet në raportin e GAP-it.
Mirëpo ende nuk dihet zyrtarisht se sa ministri do të ketë qeveria e re e cila pritet të drejtohet nga Albin Kurti, nëse arrihet koalicioni LVV-LDK.
Javë e kaluar këto dy parti kanë zhvilluar takimin e parë në nivelin e grupeve punuese, por nuk kanë dhënë ndonjë informacion rreth ndarjeve të ministrive.
Kujtojmë që qeveria paraprake e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ishte qeveria me numrin më të madh të ministrave e zëvendësministrave në historinë e Republikës së Kosovës.
Kjo qeveri kishte 21 ministra dhe më shumë se 80 zëvendësministra./Gazeta inFokus/
Shperndaje lajmin Kaq do të kursehej buxheti i Kosovës nëse mbeten vetëm 13 ministri appeared first on KosovaPost.

Loading...