Gatime Shëndeti

Kërpudhat mund të mbrojnë nga kanceri i gjirit

Blerina Bombaj, dietologe
Një studim fantastik: kërpudhat ulin rrezikun e kancerit të gjirit me 64%
Egjiptianët e lashtë besonin se konsumi i kërpudhave sillte jetë të gjatë. Sot, studiuesit kanë arritur të konfirmojnë këtë besim. Një grup shkencëtarësh të Universitetit të Australisë Perëndimore ngritën një kërkim në mbi 2000 gra kineze, gjysma e të cilave vuante nga kanceri i gjirit. Nga analizimi i të dhënave të mbledhura, gratë që konsumonin vetëm 10gr kërpudha të freskëta çdo ditë, kishin 64% më pak rrezik të prekeshin nga kanceri i gjirit. Në këtë studim, konsumi i kërpudhave të thata, kishte përgjysmim të efektit mbrojtës. Fakti më impresionues ishte se, gratë që kombinonin konsumin e kërpudhave me çaj jeshil, kishin një mbrojtje akoma më të madhe duke rrëzuar rrezikun me 89%.
Cilat kërpudha kanë më shumë efekt anti-kancer?
Kërpudhat e bardha, portobelo, shitake, porcini, kanë të gjitha përbërës bioaktiv që lidhen me veprimtari anti kanceroze. Këto fitokimikate, pengojnë formimin e enëve të gjakut që ushqejnë masat tumorale, pengojnë rritjen dhe shumimin e qelizave kancoregjene të stomakut, gjirit, kolonës dhe prostatës.
Mesa duket, kërpudhat e bardha janë ato që kanë një efekt më të fuqishëm kundër kancerit të gjirit. Prandaj, konsumi i tyre i përditshëm, mund të jetë një hap shumë i rëndësishëm në ecurinë e shëndetit tuaj.