gjyq-1

Ata janë njëzeteshtatë dhe sot konsiderohen si njerëzit më të rëndësishëm në Shqipëri, për shkak të përgjegjësisë historike, pritshmërive dhe besimit që u kanë dhënë shqiptarët dhe Perëndimi, për shembjen e sistemit aktual të drejtësisë, nëpërmjet identifikimit dhe largimit nga sistemi të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.

Në lartësinë e rëndësisë së detyrës janë edhe pagat dhe privilegjet e 27 anëtarëve të organeve të Vetingut.

Zbardhen superpagat, kufizimet, masat e sigurisë dhe privilegjet e tjera të 27 njerëzve, që do të kalojnë në skanerin e trefishtë rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësisë profesionale.

Përpos privilegjeve, anëtarët e Vetingut kanë edhe disa detyrime, ndalime dhe korniza, shkelja e të cilave mund t’u kushtojë largimin nga detyra. Anëtarët privohen nga 16 veprime, ku përfshihet shoqërimi me njerëz të korruptuar, përfitimet e padrejta, ndikimi i papërshtatshëm në detyrën e kolegut etj.

Pagat e anëtarëve të Vetting-ut
Anëtarët e Komisionit të Rivlerësimit, Komisioneri Publik dhe anëtarët e Kolegjit të Apelimit do të marrin një pagë mujore që arrin deri në 4 mijë USD. Ata do të paguhen në bazë të parashikimeve të ligjit të ri për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas këtij ligjit, paga mujore referuese për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë do të jetë 160 % e pagës së sekretarit të përgjithshëm dhe drejtorit.

Por, duke llogaritur shtesat për vjetëri pune, përqindjen për çdo fëmijë nën 18 vjeç, shtesën prej 40 % të pagës për delegimin, shtesën bazuar në pagën fillestare, vështirësitë etj., paga e anëtarit të organeve të Vetingut do të shkojë rreth 4 mijë USD në muaj.

Gjithashtu, ata do të përfitojnë edhe një pagesë mujore shtesë për shkak të vështirësive. Ndërkaq, këshilltari ligjor dhe ekonomik përfiton përkatësisht 80 për qind të pagës mujore përkatëse të anëtarit të institucionit të rivlerësimit.

Edhe ata përfitojnë një pagesë shtesë për shkak të vështirësisë, sipas rastit. Gjithashtu, pas përfundimit të mandatit, anëtarëve dhe stafit të tyre, shteti duhet t’i emërojë në pozicione të rëndësishme. Pra, atyre do t’u sigurohet e ardhmja për shkak të detyrës së tyre dhe vendimeve për fatin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, hakmarrjeve të mundshme etj.

Pagat e larta, më të lartat në sistemin e pagave në Shqipëri, janë vetëm një pjesë e privilegjeve që do të përfitojnë anëtarët e Vetingut. Anëtarët e Vetingut dhe fëmijët e tyre do të merren nën mbrojtje të veçantë.

Ligji parashikon se, anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, personat e lidhur me ta, personeli i institucioneve të rivlerësimit, si dhe personeli mbështetës i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit gëzojnë të drejtën për mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e veçantë.

4 COMMENTS

  1. … [Trackback]

    […] Find More on that Topic: epavarura.com/keto-jane-pagat-dhe-privilegjet-e-anetareve-te-organeve-te-vettingut/ […]

Comments are closed.