Rregullatorët gjermanë kanë ndaluar një kukull të lidhur me internetin të quajtur “Shoqja ime Cayla” që mund të bisedojë me fëmijët, duke paralajmëruar të premten se ajo ishte një “pajisje spiunimi” de facto.

Prindërve iu bë thirrje për të çaktivizuar lodrën interaktive nga Agjensia Federale e Rrjetit, e cila zbaton ndalimet për pajisjet e vëzhgimit.

“Gjërat që fshehin kamera ose mikrofona dhe që janë të afta për të transmetuar një sinjal, dhe për këtë arsye mund të transmetojnë të dhëna pa u zbuluar, kompromentojnë privatësinë e njerëzve,” tha kreu i agjensisë, Jochen Homann.

“Kjo vlen sidomos për lodrat e fëmijëve. Kukulla Cayla është ndaluar në Gjermani. Kjo është gjithashtu për të mbrojtur më të rrezikuarit në shoqërinë tonë.”

Kukulla punon duke dërguar pyetjen audio të fëmijës me valë në një aplikacion në një pajisje dixhitale, e cila e përkthen atë në tekst dhe kërkon në internet për një përgjigje, pastaj dërgon përsëri një përgjigje që shprehet nga kukulla.

Rregullatorët gjermanë në një deklaratë paralajmëruan se çdo gjë një fëmijë thotë, apo bisedat e njerëzve të tjerë, mund të regjistrohen dhe të transmetohen pa dijeninë e prindërve.

“Një kompani mund ta përdorë gjithashtu lodrën për të reklamuar direkt për fëmijën ose prindërit,” tha ajo.

“Për më tepër, në qoftë se prodhuesi nuk e ka mbrojtur në mënyrë adekuate lidhjen me wireless, lodra mund të përdoret nga të gjithë në afërsi për të dëgjuar bisedat.”

Genesis Toys, fabrika amerikane që prodhon kukullën, paralajmëron në faqen e saj se ”për fat të keq asnjë metodë e transmetimit në internet, ose metodë e magazinimit elektronik, nuk është 100 për qind e sigurt”. / Gazeta Impakt

Burimi: DS

2 COMMENTS

Comments are closed.