OPINION/ANALIZË Politika

“Kurbani”/ A po e shet Edi Rama Vangjushin për të “joshur” Lul Bashën?!

Dako është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku është pyetur për dosjen e përgjimeve “339”. “Trimërimi” i kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela por dhe eprores së saj Arta Marku për të hetuar lidhjet e Vangjushit me elementët kriminalë për vjedhjen e votave, s’ka ardhur rastësisht. Rama është “tutori” politik i Arta Markut që kërkon një mandat 7 vjeçar si kryeprokurore dhe Donika Prelës që po tenton të kalojë Vettingun dhe kërkon kreun e SPAK. Ka qënë një presion i kryeministrit për hetimin e dosjes “339” të përgjimeve të Dakos?! Marrëdhëniet i kanë të akullta dhe Rama bën gjithçka për karrige, kërkon të bëjë pazar me Bashën që ta fusë në zgjedhje. Një historik i pazareve, që nga Berisha, Nano, Meta, Rama e Basha, dhe ku të sakrifikuarit kanë qënë gjithnjë bashkëpuntorët më të ngushtë

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku është pyetur për dosjen e përgjimeve të bisedave me elementë kriminalë, apo dosjen “339”.

Gjushi është thirrur nga organi i akuzës që ditën e enjte, por duke qënë se media ka qënë e zënë me komentet për artikullin e gazetës gjermane “Bild”, ngjarja ka kaluar pa u vënë re.

Dy prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi e kanë pyetur Gjushin për pesë orë me radhë për elementë të kësaj dosjeje, për të cilën akuzohet se ka lidhje me bandat kriminale të Durrësit, me të cilat ka bashkëpunuar për të vjedhur votat në fushatat elektorale.

Teksa SHBA ia ka hequr vizën me kohë Vangjush Dakos dhe familjes së tij, me sa duket ai do të jetë dhe i pari zyrtar i lartë që do përfundojë në “ingranazhin” e hetimit dhe të gjykimit të SPAK, i cili pritet të ngrihet shumë shpejt.

Por “trimërimi” i kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela por dhe eprores së saj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme Arta Marku për të hetuar lidhjet e Gjushit me elementët kriminalë për vjedhjen e votave, nuk ka ardhur rastësisht.

Rama është “tutori” politik i Arta Markut që kërkon një mandat 7 vjeçar si kryeprokurore dhe i Donika Prelës që falë kësaj mbështetje po kalon Vettingun dhe po kërkon kreun e SPAK.

Ka qënë një presion i kryeministrit për të filluar hetimin e dosjes “339” të përgjimeve të Dakos?!

Tashmë marrëdhëniet e akullta mes Ramës dhe Dakos janë bërë publike, dhe secili prej tyre po ushtron presion për të dalë pa u ‘lagur’ nga kjo histori, pasi në përgjime është përmendur dhe emri i kreut të qeverisë socialiste.

Për pasojë, në kushtet kur Edi Rama për karrigen e pushtetit sakrifikon miqtë dhe bashkëpuntorët e tij më të ngushtë, mos i ka ardhur tashmë radha Vangjushit të dorëzojë “kokën në sini”?

Rama nuk lëshon asgjë “badihava”, dhe me sa duket po e shet Dakon thjeshtë dhe vetëm për të “joshur” Lulzim Bashën, për ta ulur në tryezën e bisedimeve dhe pse jo dhe për të krijuar ndonjë mundësi që të fusë PD e LSI në zgjedhjet vendore. Madje duke i shtyrë dhe për në vjeshtë.

E themi se Rama po shet Gjushin për të “joshur” Bashën, pasi nuk është e para herë që një gjë e tillë ndodh në historinë politike shqiptare të paskomunizmit.

Sa herë që ka pazar mes palëve politike në Shqipëri, gjithnjë do të jetë dikush që do sakrifikohet për hir të arritjes së këtij pazari.

Në 28 vite pazar politik në Shqipëri, brenda llojit dhe jashtë tij, gjithnjë janë bërë “kurban” figurat më të afërta të liderëve që kanë bërë pazarin.

Në vitin 1992 Ramiz Alia bëri pazar me Sali Berishën për kalimin e pushtetit në dorë të PD dhe pavarësisht se dhe Fatos Nano ishte pjesë e këtij pazari, Berisha i futi në burg të dy.

Fatos Nano në “katharsisin” e famshëm në vitin 2001-2002 teksa rrëzoi Ilir Metën, sakrifikoi si pjesë të pazarit me të për të mos ndarë PS, sekretarin e organizimit Petro Koçi, njeriun më të afërt të tij.

Në vitin 2005, po Fatos Nano, në përpjekje për të bërë pazar me Berishën për të ardhur në krye të shtetit sakrifikoi si pjesë të pazarit vetë PS-në, të cilën e nxori në opozitë.

Por Berisha për të dytën herë e mashtroi dhe sot e kësaj dite Fatos Nano është në kërkim të postit të Presidentit, pa ia arritur qëllimit asnjëherë.

Në vitin 2008, Sali Berisha dhe Edi Rama arritën pazar mes tyre për ndryshimin e Kushtetutës, dhe i sakrifikuari i madh ishte aleati i kreut të PS Ilir Meta dhe LSI që mezi mori 4 deputetë më 2009.

Ish kreu i LSI ia ktheu reston Ramës, duke bërë koalicion me Berishën dhe lënë PS në opozitë.

Në vitin 2017, Basha dhe Rama arritën një pazar mes tyre për të ndarë pushtetin për 6 muaj dhe të sakrifikuarit e mëdhenj nga Basha për të “joshur” Ramën ishin PD që mbeti në opozitë, por dhe Patozi, Topalli e tërë figurat dominuese të PD.

Me sa duket ka ardhur radha që Rama ta “joshë” Bashën përmes shitjes së Vangjush Dakos tek drejtësia që t’i krijojë kushtet opozitës që të regjistrohet dhe hyjë në zgjedhje?!

Hapësira ligjore ekziston, deri më 30 maj kur të hapet zyrtarisht fushata elektorale për 30 qershorin mund të ndërmerret ndonjë vendim KQZ-je për regjistrim. Nuk janë pa gjë kërkesat e PD e LSI për pasur anëtarët e vet në komisionet zgjedhore vendore./Pamfleti

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/
autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e epavarura.com