“Protestanët urdhërohen të varrosen pa kryq” është titulli i artikullit të sotëm i të përditshmes “Zëri” që për autore ka kryeredaktoren e kësaj të përditshme, Arbana Xharra, që i referohet varrezave të Gjakovës. Këtij artikulli i ka reaguar vet kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, e cila e ka demantuar atë, dhe e ka cilësuar si nxitje të urrejtjes ndërfetare. 

Në artikullin në fjalë shkruhet se Komuna e Gjakovës ka marrë vendim të prerë kundër ndarjes së tokës për varrezat e protestantëve.

Kjo gjë  ka ngjallur reagim të kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila. E cila ka thënë se “Zëri” ka ushqyer gjuhën e urrejtes fetare, urrejtje kjo e cila sipas saj nuk ka ekzistuar asnjëherë e as nuk ekziston në qyetin e Gjakovës.

Arbana Xharra

Arbana Xharra

Përderisa, Xharra shkruan se Gjakova nuk lejon protestanët të varrosen me kryqin e tyre, Kusari-Lila përjashton mundësinë që një gjë e tillë të ketë ndodhur në komunën me të cilën ajo udhëheq.

“Derisa flasim për tolerancë…Në Gjakovë fatkeqësisht, aty ku më së paku e kam pritur, protestantët nuk lejohen të varrosen me kryqin e tyre. Rasti i fundit, më 8 Janar, familja detyrohet të heq kryqin nga varri. Departamenti amerikan i Shtetit, po ashtu ne raportin e tij të fundit shkruan për këtë diskriminim të këtij komuniteti fetar”, me këtë përshkrim Xharra ka shoqëruar në rrjetin social Facebook artikullin në fjalë.

I menjëhershëm ishtë reagimi i Kusari-Lilës, ku ajo ndër tjerash ka bërë publike edhe përgjigjen drejtuar gazetës “Zëri”, transmeton gazetametro.net

“Askush kurrë nuk ndalohet të varroset me shenjat e veta fetare në varrezat e qytetit në Gjakovë. Në varrezat e qytetit në Gjakovë varrosen të krishterë e muslimanë bashkë. Protestantët kanë kërkuar të ndahet parcelë e veçantë. Parcela të veçanta nuk ka të ndara as për muslimanë dhe as për katolikë”, ka shkruar kryetarja e Gjakovës në faqen e saj të Facebookut.

“Varrezat janë pronë Komunale dhe administrohen nga kompania publike “Çabrati” dhe nuk administrohen as nga bashkësia Islame dhe as nga kisha katolike”, shpjegon tutje ajo, transmeton gazetametro.net.

Kusari-Lila poashtu ka thënë se kujt i pengon harmonia fetare në Gjakovë duhet të mendojë dy herë.

“Përndryshe, kujt i pengon harmonia fetare në Gjakovë le të mendojë dy herë. Muslimanë, Katolikë, protestantë, të gjithë bashkë me shenjat e tyre, Hëna, Kryqi, Dielli, dhe çkado që i bën të ndihen mund të varrosen”, ka shtuar ajo, transmeton gazetametro.net.

Përgjigja që i është dërguar gazetës “Zëri” sipas kryetares Lila ka qenë kjo më poshtë:

Komuna e Gjakovës disa muaj më herët e ka pranuar një kërkesë nga kisha Protestante Ungjillore për ndarjen e një hapësirë të veçantë në kuadër të parcelës së përgjithshme të varrezave të qytetit të Gjakovës, e cila do të përdorej për varrimin e pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, komuna e Gjakovës ka kthyer përgjigje negative, duke e arsyetuar këtë vendim me faktin se varrezat e qytetit të Gjakovës janë varreza të përbashkëta për të gjithë banorët e komunës së Gjakovës, pa asnjë dallim.Komuna e Gjakovës konsideron dhe respekti ndër fetar që ka mbizotëruar në këtë komunë qoftë në të shkuarën e qoftë aktualisht, ka sjellë si fakt të pa kontestueshëm ekzistimin e një palë varrezave të përbashkëta, në të cilat janë varrosur pa ndonjë problem si myslimani tradicional sikurse ai që i ka praktikuar tarikatet, sikurse i krishteri tradicional, e sikurse i krishteri protestant.

Në këto varreza pushojnë të qetë pranë njëri tjetrit të gjithë dhe kjo asnjëherë nuk ka paraqitur problem për askënd prej përfaqësuesve të komuniteteve fetare. Për këtë, komuna e Gjakovës ka konsideruar se ndarje e hapësirës së veçantë për vetëm një komunitet fetar rrezikon të prishë këtë harmoni dhe bashkëjetesë ndër fetarë, gjë e cila bije ndesh me të gjitha dëshirat dhe aspiratat tona si popull. /gazetametro

4 COMMENTS

Comments are closed.