Lëkundja e tokës në zonën naftëmbajtëse të Marinzës, në Roskovec, është një fenomen që shqetëson banorët e zonës prej disa vitesh. Emisioni investigativ Fiks Fare siguroi disa dokumente nga lëkundjet e tokës të vitit 2013, ku në atë kohë, institucionet dolën në konkluzionin se kishim të bënim me tërmete natyrore.

Sipas një dokumenti të dalë nga Këshilli i Qarkut Fier, një grup ekspertësh vlerësuan dëmet nga lëkundjet e tokës të ndodhura më datë 21 nëntor dhe 4 dhjetor të vitit 2013. Nga viti 2013 deri në ditët e sotme, megjithëse është një listë ku secilës familje i janë akorduar një shumë të caktuar, ato nuk janë shpërndarë.

Fiks Fare shkoi para pak javësh në fshatin Marinzë për të pyetur banorët e zonës. “Nuk i kam marrë. S’kemi marrë asnjë kokërr leku, prapë ka tronditje. Çfarë bie jashtë, bie brenda. Ka filluar që në lëkundjen e parë. Është shumë e rrezikshme të banosh” thonë një banor, ndërsa një tjetër shton se ka shkuar një grup inspektimi. “Kanë ardhur, kanë parë, kanë shkruar dhe kanë ikur. Kaq, asnjë gjë nuk kanë bërë” thotë një banore.

Familja e Nesti Nushit jetonte në qiell të hapur. Shtëpia njëkatëshe është ende e shkatërruar. Grupi i verifikimit të dëmeve e ka cilësuar këtë shtëpi si të pabanueshme dhe i ka akorduar familjes 32 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim. “Nuk i kemi marrë këto lekë. Erdhi komisioni, i pa, i vlerësoi dhe s’na dha asnjë dëmshpërblim. Vajtëm në bashki, më thanë bëj dokumentet e tokës, s’më kanë dhënë asnjë lek. Shtëpia është e shkatërruar, më vdiq vjehrra dhe e çova te kunati për ta varrosur, nuk kisha ku ta mbaja” thotë e zonja e shtëpisë.

Një tjetër thotë se nuk ka asnjë shpresë se do t’i marrë këto lekë, ndërsa një tjetër saktëson se “erdhi një komision, e shkroi kështu, se ça u bë, se ça nuk u bë, nuk bëhet fjalë fare. Banesa është e hapur nga brenda. Ikën uji poshtë (hedh një gotë me ujë në dyshemenë e çarë)”.

Banesa e Agron Priftit, është cilësuar si e pabanueshme, por ai vazhdon të jetojë atje. Pyetjes se, nëse i ka marrë 21 milionë lekë të vjetra që i janë akorduar, thotë se nuk ka marrë as 100 lekë. “Është shembur në 2013. Pikon nga të gjitha anët” thotë Agroni, ndërsa pyetjes nëse ka frikë të banojë në banesën e shkatërruar, thotë se “E di perëndia lart!”.

Banorët thonë njëzëri se komisioni kaloi formalisht dhe i janë drejtuar kryeministrit dhe ministrit Gjiknuri për një zgjidhje, por që ende nuk ka zgjidhje.

“Ping-pongu” i institucioneve

Kur bëhet fjala tek hallet e qytetarëve, institucionet, apo personat që i drejtojnë, stepen dhe i largojnë “problemet” nga dera e tyre. Fiks Fare e ndoqi problematikën e dëmshpërblimeve të vitit 2013 edhe në disa institucione. Në Këshillin e Qarkut Fier nuk dëshironin të jepnin intervistë. Megjithatë, banorët e zonës regjistruan një bisedë me një punonjës. Një punonjës i emergjencave në Qarkun Fier shprehet i habitur për vlerësimin e dëmeve në Marinzë të vitit 2013. Ai flet në telefon me inxhinierin që ka bërë vlerësimin. “O inxhinier, një pyetje të vogël kam unë. Në vitin 2013, në fshatin e bukur Marinzë, të komunës Kuman, janë bërë disa dëme dhe ke qenë me një komision me Gëzim Lamajn dhe Pëllumb Saliajn. Këto shumat përkatëse që janë këtu, i kanë marrë këta banorët? Nuk di gjë! Mirë vëlla, ku mund të pyesim? Në Prefekturë? Në komunë, po të kuptova” ishte biseda e punonjësit, ndërsa u thotë banorëve se “nga ne, çfarë është bërë, ka kaluar. Këtu nuk ke çfarë pyet. Kjo është pjesa (shikon dokumentin) që i përket Këshillit të Qarkut. Bën mirë, përshembull, siç erdhe te mua këtu, ik në Prefekturë”.

Një përfaqësi e banorëve, si dhe ekipi i gazetarëve të Fiksit, shkojnë për të pyetur në prefekturë. Pyetja e thjeshtë që i drejtohet punonjëses është nëse lekët që janë shënuar në dokument janë dhënë apo jo. “Nuk jam unë përgjegjësja për të kthyer përgjigje janë kthyer apo jo lekët. Përgjegjëse është ish-njësia vendore. Lista, vlerësimi i dëmeve, shuma, kalimi i shumave, është komplet kompetencë e njësise vendore. Pastaj janë likujduar, s’janë likujduar, kush i ka marrë, kush s’i ka marrë, është një koordinim pune në njësinë vendore” thotë ajo. Më tej shton se dokumenti është informacion konfidencial.

Fiksi dhe banorët shkojnë për të pyetur në Njësinë Administrative Kuman. Kryetari thotë se “nuk e kam këtë informacion. Kanë marrë dëmshpërblime në vitin 2015. Po për 2013-ën nuk kam informacion dhe gjithsesi këtu mund të jetë bërë një vlerësim nga këta persona që kanë qenë atëherë dhe nga ish-komuna Kuman, është bërë një vlerësim dhe sesi mund ta kenë llogaritur këta nuk e di se çfarë dhe ku…”.

Kryetari i njësisë i adreson gazetarët në Qarkun e Fierit. “ë Qark shkuam, në Prefekturë shkuam dhe më thanë se e ka Njësia Administrative Kuman. Këta kanë pretendime se nuk kanë marrë asnjë lek, nga 2013-ta…” i thotë ekipi i gazetarëve kryetarit të Njësisë Kuman. Ky i fundit ka një zgjidhje: Të shkojnë në gjykatë, ta zgjidhin çështjen në gjykatë, meqë qenka vlerësuar dhe kështu. Nëse ti pretendon, ke të drejtë për të kërkuar, kam marrë apo s’kam marrë, bëji një kërkesë me shkrim, drejtohu zyrës së bashkisë dhe mbase të japin informacion.

Bashkia Roskovec “fsheh” dokumentet

Më datë 26 tetor 2016, Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë zyrtare Bashkisë Roskovec, ku kërkohej një person përgjegjës të na fliste (me kamer), ose përgjigjja të ishte me shkrim, në lidhje me dëmshpërblimet ndaj banorëve të Roskovecit për lëkundjet dhe shpërthimin e pusit në Marinzë. Pyetjet ishin: A janë dëmshpërblyer banorët e Marinzës, apo edhe të fshatrave të tjerë për lëkundjet e vitit 2013 dhe 2014, ku janë shkatërruar disa shtëpi. Është bërë një inventar, ku të paktën në fshatin Marinzë, në ish-komunën Kuman, janë evidentuar 121 familje që u janë prishur banesat. Për çdo familje janë edhe vlerat që duhet të merrnin. A i kanë merrë këto para? Një nga familjet e verifikuara nga redaksia ka të bëjë me banesën e z.Nesti Nushi. Ajo duhej të dëmshpërblehej me rreth 32 milionë lekë të vjetra. Përse nuk janë shpërndarë ketë para?.

Më datë 27 tetor, Bashkia na kthen përgjigje dhe na informon se “me porosi të kryetares ju komunikoj se, së shpejti do të merrni përgjigje rreth pyetjeve tuaja”. Më datë 14 nëntor, i dërgojmë një tjetër kërkesë, ku e informojmë se në bazë të ligjit, kërkesa duhet të kishte marrë një përgjigje brenda 10 ditëve. Megjithatë, i mirëkuptuam për shkak të angazhimeve për shkak të kohës së keqe. Në të njëjtën datë na kthejnë përgjigje dhe kërkojnë ndjesë për vonesë, “për ato arsye që dhe ju shprehni mirëkuptim. Brenda ditës së nesërme do të keni informacionin e kerkuar”. Më datë 23 nëntor, ia rikujtuam për herë të dytë kërkesën. Më 25 nëntor, na vjen përgjigjja, e cila është një dokument i këshillit të bashkisë, i datës 5 gusht i vitit 2015. Objekti i dokumentit ishte “për dhënien e ndihmës financiare pronarëve të objekteve të dëmtuara, të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore, në fshatin Marinzës, nën juridiksionin e Bashkisë Roskovec”. Përfitues në këtë rast ishin 49 familje, në vlerën totale 284 milionë lekë të reja. Siç edhe rezultoi, përgjigjja e Bashkisë Roskovec ishte e ndryshme nga pyetjet që i dërguam.

Bashkia, shpenzime për mbrëmje gala dhe “bukuroshen e Strumit”

Bashkia e Roskovecit, megjithëse s’ka dëmshpërblyet banorët e Marinzës, ka hapur disa tenderë. Njëri prej këtyre, sipas dokumenteve, është për organizimin e aktivitetit festiv social-kulturor që do të zhvillohet me rastin e festave të fundvitit. Fondi për këtë tender është 16 milionë lekë të vjetra. Në këtë organizim do të jepen titujt moralë për fermerin më të mirë, sipërmarrësin më të mirë, infermierin më të mirë, sipërmarrësin më të mirë, infermierin më të mirë, mësuesin më të mirë, punonjësin më të mirë bashkiak, blegtorin më të mirë, nxënësin, kryetarin e fshatit, shkollën dhe sportistin më të mirë.

Ndërkohë, para pak javësh, Bashkia Roskovec, ka hapur një proces tenderimi për këtë shtatore, e cila quhet “Bukuroshja e Strumit”. Kjo shtatore i ka kushtuar buxhetit të kësaj bashkie plot 32 milionë lekë të vjetra.

5 COMMENTS

  1. … [Trackback]

    […] Here you can find 21931 additional Info to that Topic: epavarura.com/lekundjet-e-tokes-ne-vitin-2013-parate-per-demshperblimet-e-banoreve-te-marinzes-shkuan-per-statujen-cica-jashte/ […]

  2. … [Trackback]

    […] Read More to that Topic: epavarura.com/lekundjet-e-tokes-ne-vitin-2013-parate-per-demshperblimet-e-banoreve-te-marinzes-shkuan-per-statujen-cica-jashte/ […]

  3. … [Trackback]

    […] Read More on to that Topic: epavarura.com/lekundjet-e-tokes-ne-vitin-2013-parate-per-demshperblimet-e-banoreve-te-marinzes-shkuan-per-statujen-cica-jashte/ […]

  4. … [Trackback]

    […] Find More Information here to that Topic: epavarura.com/lekundjet-e-tokes-ne-vitin-2013-parate-per-demshperblimet-e-banoreve-te-marinzes-shkuan-per-statujen-cica-jashte/ […]

Comments are closed.