Klodi Leka

Disa dekada më parë, shkrimtari ynë revolucionar Migjeni shkruante: “Qeshu rini qeshu/Bota është e jotja.” Disa dekada më vonë, rinia shkulet së qeshuri, por bota nuk është e saj. Bota është e të vjetrës, e gënjeshtrës, e poshtërimit. Dhe për rrjedhojë e qeshura nuk është shprehje e një shpirti të ri, të çiltër dhe ëndërrues, që mes zhulit ku ndodhet gjen guxim të ironizojë mendësitë dhe realitetet mesjetare. Prandaj nuk është e qeshur, por zgërdhirje. Zgërdhihemi kur na rriten tarifat, kur na zhvatin, na tallin e na trajtojnë si kope delesh mjerane. Zgërdhihemi kur vipat e klasës përqeshin studentët modestë, kur lëshojnë ndonjë idiotësi në orë të mësimit e sillen me karagjozllëk ndaj të gjithëve dhe gjithçkaje. Zgërdhihemi me thirrjet në mbrojtje të të drejtave dhe interesave tona. Zgërdhihemi me çdo ide dhe ndjenjë të madhe. Në fund të ditës shikojmë veten në pasqyrë. Por ç’të shohim! Jemi të zgërlaqur e të dhjerë. Të zgërdhjerë.

Një ditë të pashë tek i shkoje pas si qenush i bindur një burokrati maskara, një politikani të korruptuar, një debili me pak pushtet. Kështu do të bëhem i pushtetshëm – mendon. Por jo i dashur. Po bëhesh numër që do t’u rrisë atyre zerot në llogaritë bankare. Po bëhesh mish për top. Ata, sado t’u lëpihesh, nuk kanë ndërmend të ta lëshojnë ty karrigen. Shiko si janë plakur dhe si janë kalbur në ato karrige! Ata as emrin, as fytyrën dhe as hallet tua nuk i mbajnë mend. Të buzëqeshin ditën dhe të vrasin natën. Të hedhin krahun në qafë dhe të fusin gishtin në bythë. Urraaaaa! Duartrokitje.

NDAL! Dëgjomë mua, vëllain tënd! Nuk ka skllav më të keq se servili. Servili nuk kërkon të mos rrihet më, por të zëvendësojë padronin, të rrahë me kamxhikun e tij skllevërit e tjerë. Servili nuk ëndërron të mos poshtërohet dhe të bëjë një jetë dinjitoze, por të mbathë kostumet dhe të ngasë veturat luksoze të padronit, që i ka blerë duke shitur gjakun dhe djersën e skllevërve. Servili nuk zemërohet me mizerjen ku e kanë shtënë, por pse nuk është hajdut me çizme si ata monstrat që i quani politikanë apo njerëz të suksesshëm. Mos u bëj skllav or mik! Bëhu njeri i lirë! Nuk ka lumturi më të madhe se liria dhe respekti për veten.

Pastaj, kur ndonjëri guxon të ngrejë krye, të mos e durojë më mizerjen ku rrojmë dhe bastardët që duartrokasim, nxjerrim me shpejtësi dhëmbët jashtë, turremi ta përbaltim, ta akuzojmë për të shitur, për të blerë, për sorosian dhe shumë trapllëqe tjera – porsi qenushë besnikë të padronit të shitur, të blerë dhe trap. Ore, si na kanë kalbur dhe thinjur deri në këtë farë feje?! S’ka mbetur asnjë pikë turpi ndër ne? Quajmë mendjemadhësi çdo mendim të sinqertë, dëshirë për t’u korruptuar çdo ngritje zëri, konspiracion çdo protestë të drejtë. A e kuptojmë se në ç’llum na kanë zhytur? Bashkëmoshatarët tanë, studentët ballkanas, evropianë dhe në çdo cep të humbur të botës po ngrihen me qindra dhe me mijëra, po u kallin tmerrin atyre me të cilët ne bëjmë selfie dhe po kërkojnë me brutalitet një jetë më të mirë. Por ne rrimë dhe heshtim. Pëllasim dhe duartrokasim. Lëpihemi dhe zgërdhihemi.

Mirëpo, e mira e të keqes është se mendtë, nëse nuk të vijnë prej qejfit, me siguri do të vijnë prej zorit. Dhe ajo ditë nuk është e largët. Unë që po ju shkruaj nuk jam as vip, as lëpirës dhe as moralist. Jam student i varfër. I ardhur nga periferitë. Me dy prindër të papunë dhe të sëmurë, të cilët, pasi i prangosën gjatë diktaturës dhe i vodhën gjatë demokracisë, nuk u ka mbetur asgjë: as punë, as pasuri, as pension. Asgjë! Veç meje natyrisht. Si të gjithë prindërit tanë. Mirëpo, përkundër varfërisë time, që nuk kam turp ta rrëfej apo ta zbukuroj me rroba kineze, kam zgjedhur të mos nënshtrohem. Byrekë do të ha dhe vrasësve të prindërve, të ëndrrave tona nuk do t’u lëpihem. Me rrecka do të vishem dhe qenush duartrokitës apo baltosës nuk do të bëhem. Nga shkolla le të më përjashtojnë, por as do të hesht dhe as do servilosem. Në burg le të më çojnë, por nuk do të ndaem së protestuari pareshtur kundër atyre që po na skllavërojnë me breza të tërë, duke na vjedhur, vrarë dhe vrerosur. Në djall të shkojnë! Në djall t’i çojmë! Qençe nuk durohet më.

3 COMMENTS

Comments are closed.